Banorët e Jagodës kërkojnë masa urgjente për siguri
Banorët e Jagodës nuk po ndihen të sigurt. Ata u kanë kërkuar zyrtarëve të hekurudhave që të ndërhyjnë në mënyrë urgjente për ta rritur sigurinë. Fajin për mosrespektim të sinjalistikës rrugore, zyrtarët nga ‘Trainkos’ ia atribuuan drejtuesit të veturës. Sirena tregon që treni është në lëvizje. Itinerari i qarkullimit është i çdoditshëm. Ora shënon 12:30…

Lajme
Banorët e Jagodës nuk po ndihen të sigurt. Ata u kanë kërkuar zyrtarëve të hekurudhave që të ndërhyjnë në mënyrë urgjente për ta rritur sigurinë. Fajin për mosrespektim të sinjalistikës rrugore, zyrtarët nga ‘Trainkos’ ia atribuuan drejtuesit të veturës.
Sirena tregon që treni është në lëvizje. Itinerari i qarkullimit është i çdoditshëm. Ora shënon 12:30 e mesditës. Në këtë kohë, në të njëjtin vend ditën e diel treni kishte goditur një veturë. Për fat të keq aksidenti ishte fatal.
Treni që kishte goditur veturën e kishe bartur atë për më shume 200 metra, gjurmët e te cilit vazhdojnë të jenë prezent. Goditja e trenit ndodhi këtu në Jagodë të Klinës që la të vdekur një person, derisa dy 2 të tjerë u lënduan.
Ngjarja ndodhi derisa banorët e Jagodës së Klinës kishin përfunduar ritualet fetare të së dielës.
Ata që ishin prezentë, tregojnë se si ndodhi akti tragjik, ndërsa thonë se ky nuk është rasti i parë.
” Mas orës 12:30 kemi qenë në meshë, i ndjeri me vëlla, shoqën e kunatën kanë shkuar për punët e veta. Ka ardhur treni, i ka fshi 200 metra. Do të na qesë fare treni. Edhe para një viti ndodhi, burrë e grua prej Deçani i ka mbytur…”, tha Gjergj Saliçuni, Jagodë, Klinë.
Ndonëse sinjalistika hekurudhore është e vendosur, aty mungojnë laurat. Saliçani thotë se jeta e tyre është në rrezik, duke marrë për bazë qarkullimin e madh të banorëve.
” Jena të rrezikuar, nxënësit i kemi që shkojnë në shkollë, për besë tmerr është, gjynah është …”, tha Saliçuni.
Përveç Policisë që e ka konfirmuar vdekjen e një personi dhe lëndimin e tre të tjerëve , ka reaguar edhe kompania “Trainkos”.
Në komunikatën e tyre thuhet se sipas raportit fillestar, aksidenti ka ndodhur për shkak të mosrespektimit të shenjave të komunikacionit nga drejtuesi i veturës. Më tej në njoftim thuhet se komunikacioni hekurudhor rregullohet me ligje dhe sinjalizime specifike, të cilat obligohemi t’i respektojmë në përpikëri dhe se rregullat dhe sinjalizimi i trafikut rrugor janë obligative për të gjithë përdoruesit e rrugës, përfshirë drejtuesit e mjeteve rrugore./rtk