BE dhe Emiratet dakordohen mbi nisjen e bisedimeve për tregtinë e lirë
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe presidenti i Emirateve Mohamed bin Zayed Al Nahyan, sot gjatë një bisede telefonike, u dakorduan për fillimin e bisedimeve për një marrëveshje të tregtisë së lirë ndërmjet BE-së dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. “Lartësia e Tij Mohamed Bin Zayed dhe unë sapo vendosëm të nisim negociatat…

Bota
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe presidenti i Emirateve Mohamed bin Zayed Al Nahyan, sot gjatë një bisede telefonike, u dakorduan për fillimin e bisedimeve për një marrëveshje të tregtisë së lirë ndërmjet BE-së dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
“Lartësia e Tij Mohamed Bin Zayed dhe unë sapo vendosëm të nisim negociatat për një marrëveshje të tregtisë së lirë BE-Emiratet e Bashkuara Arabe. Kjo marrëveshje do të forcojë marrëdhëniet tona dypalëshe dhe do të kontribuojë në prosperitetin e rajonit më të gjerë”, ka shkruar Von der Leyen në X.
Ky shënon një hap pozitiv përpara në marrëdhëniet BE-EBA dhe, krahas negocimit të marrëveshjeve më të gjera të Partneritetit Strategjik, mund të shërbejë si një katalizator për lidhje më të forta midis BE-së dhe Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC), njofton Komisioni Evropian.
Von der Leyen theksoi historikun e fortë të Bashkimit Evropian për arritjen e marrëveshjeve tregtare me standarde të larta dhe ndërtimin e partneriteteve bazuar në tregtinë e hapur dhe përfitimin reciprok.
Në këtë frymë, negociatat e ardhshme do të fokusohen në liberalizimin e tregtisë në mallra, shërbime dhe investime, ndërsa thellojnë bashkëpunimin në sektorë strategjikë si energjia e rinovueshme, hidrogjeni i gjelbër dhe lëndët e para kritike, përkujton Komisioni Evropian.
Kreu i KE-së shprehu besimin se të dyja palët mund të lëvizin me shpejtësi, ndërkohë që komisionari Marosh Shefchovich së shpejti do të kthehet në Emiratet e Bashkuara për të çuar përpara bisedimet.
Ofrimi i një marrëveshjeje moderne dhe ambicioze jo vetëm që do të përforcojë marrëdhëniet BE-Emiratet e Bashkuara Arabe, por gjithashtu do të kontribuojë në prosperitetin më të gjerë rajonal.
Kujtojmë, nisja e negociatave BE-Emiratet e Bashkuara Arabe vjen në kohën e vendosjes së tarifave të presidentit të SHBA-së Donald Trump ndaj 185 vendeve të botës, përfshirë edhe vendet e familjes së madhe evropiane. Trump ndërkohë ka pezulluar tarifat e tij me përjashtim të Kinës ndaj të cilës ka vendosur sot ngritjen në 145 për qind.