Pas 26 viteve, identifikohen tri viktima të Masakrës së Krelanit

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka njoftuar se pas 26 vitesh pritjeje dhe kërkimi, sot janë informuar zyrtarisht familjet për identifikimin e mbetjeve mortore (eshtrave) edhe të tre viktimave të Masakrës së Kralanit, që ishin në Listën e Personave të Zhdukur, që nga koha e luftës së fundit në Kosovë: Sabedin (Kadri) Kryeziu, nga…

Lajme

18/03/2025 18:50

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka njoftuar se pas 26 vitesh pritjeje dhe kërkimi, sot janë informuar zyrtarisht familjet për identifikimin e mbetjeve mortore (eshtrave) edhe të tre viktimave të Masakrës së Kralanit, që ishin në Listën e Personave të Zhdukur, që nga koha e luftës së fundit në Kosovë:

Sabedin (Kadri) Kryeziu, nga fshati Mleqan – Malishevë ;

Mentor (Maliq) Kryeziu, nga fshati Bubavec – Malishevë ;

Vehbi (Pajazit) Halilaj, nga fshati Llapqevë – Malishevë.

Informimi zyrtar i familjeve është bërë nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore , me praninë edhe të Kryetarit të Shoqatës së Familjeve të Viktimave të Luftës dhe Personave të Zhdukur “Kujtesa” dhe përfaqësuesve të Komunës së Malishevës.

“Këto tri identifikime vijnë pas identifikimeve të tetë viktimave të tjera nga e njëjta masakër, eshtrat (mbetjet mortore) e të cilëve u gjetën dhe zhvarrosën nga lokacioni i varrit masiv në Bishtazhin, për të cilat familjet u njoftuan gjatë javës së kaluar. Shprehim ngushëllimet për familjet Kryeziu dhe familjen Halilaj. Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur do të vazhdojë me angazhimin maksimal për të vërtetën dhe ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së gjithë personave të zhdukur me forcë gjatë luftës”, thuhet në njoftim. /Lajmi.net/

Njoftimi i plotë: