PZAP hedh poshtë ankesën e kandidatit për deputet nga AAK, Agron Kuçi për parregullsi në votimin me postë

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka refuzuar ankesën e kandidatit për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Agron Kuçi, e cila kishte të bënte me pretendimet për parregullsi gjatë administrimit të numërimit të votave të diasporës për zgjedhjet e 9 shkurtit. Sipas vendimit të PZAP, ankesa e paraqitur më 18 mars…

Lajme

18/03/2025 16:31

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka refuzuar ankesën e kandidatit për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Agron Kuçi, e cila kishte të bënte me pretendimet për parregullsi gjatë administrimit të numërimit të votave të diasporës për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Sipas vendimit të PZAP, ankesa e paraqitur më 18 mars 2025 u hodh poshtë si e pasafatshme, pasi ishte dorëzuar jashtë afatit ligjor prej 48 orësh nga momenti i supozuar i shkeljes, siç parashikohet në nenin 105 të Ligjit për Zgjedhjet në Kosovë.

Dokumenti thekson se rezultatet përfundimtare të numërimit të votave të diasporës ishin publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 4 mars 2025, ndërsa ankesa është dorëzuar 14 ditë më vonë, duke e tejkaluar afatin ligjor.

Në ankesën e tij, Kuçi kishte pretenduar për keqpërdorime dhe shkelje ligjore në procesin e votimit me postë nga diaspora, duke kërkuar rihapjen dhe rinumërimin e fletëvotimeve që ishin shpallur të pavlefshme nga KQZ.

Ai argumentonte se një pjesë e konsiderueshme e votave të bashkatdhetarëve nga Juniku dhe subjektet e tjera politike, përfshirë Lidhjen Demokratike të Kosovës, ishin refuzuar padrejtësisht.

Megjithatë, PZAP ka theksuar se kërkesa për rihapjen e këtyre fletëvotimeve nuk mund të shqyrtohet për shkak të vonesës në paraqitjen e ankesës.

Sipas rregullave, Kuçi ka të drejtë të ankimojë këtë vendim në Gjykatën Supreme të Kosovës brenda 48 orëve nga pranimi i tij./Paparaci