“Djali duhet ta përcjellë prindin”, qytetarët kritikojnë Gjykatën Speciale
Qyteti i Skenderajt sot mblodhi burra e gra nga e gjithë Kosova por edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, të cilët erdhën për nderime te arkivoli i babait të ish-presidentit, Hashim Thaçi, Haxhi Thaçi. Në palestrën “Ilaz Kodra”, radhët ishin të gjata të atyre që prisnin për të bërë homazhe te arkivoli i Haxhi Thaçit,…

Lajme
Qyteti i Skenderajt sot mblodhi burra e gra nga e gjithë Kosova por edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, të cilët erdhën për nderime te arkivoli i babait të ish-presidentit, Hashim Thaçi, Haxhi Thaçi.
Në palestrën “Ilaz Kodra”, radhët ishin të gjata të atyre që prisnin për të bërë homazhe te arkivoli i Haxhi Thaçit, ku krahas familjarëve e qytetarëve, homazhe bënë edhe bashkëpunëtorë politik dhe bashkëluftëtarë të ish-presidentit, Hashim Thaçi.
Aty mungoi ish-presidenti, Hashim Thaçi, i cili ndodhet në paraburgim në Hagë, e Gjykata Speciale, sipas OVL UÇK, nuk ia lejoi të marrë pjesë në ceremoninë përcjellëse të babit të tij.
Qytetarët e konsideruan të padrejtë këtë vendim, derisa fjalë të mëdha thanë për Haxhi Thaçin.
Baba që ka dhënë shumë për luftën e Kosovës e ka quajtur të ndjerin, Haxhi Thaçin, qytetari Rexhep Kodra nga Prekazi.
Kodra i cili vjen nga një familje atdhedashëse e quajtur të pandërgjegjshme Gjykatën Speciale.
“Është një baba që ka dhënë shumë për luftën çlirimtare të Kosovës…kjo është një gjykatë e cila nuk është e ndërgjegjshme, nuk është e lëvdueshme”, tha ai.
Nga Vushtrria në Skenderajt për nderime te familja Thaçi erdhi edhe Hajrullah Bajrami, i cili tha se familja Thaçi ka kontribuar për vendin. Ndërsa, shprehet i indinjuar me veprimin e Speciales që nuk e lejuan ish-kreun e UÇK-së, Hashim Thaçi të marrë pjesë në varrimin e babait të tij.
Për këtë qytetar Gjykata Speciale është e korruptuar dhe e dobët.
“Për këtë familje ka gjithmonë fjalë të mëdha, ka dhënë një kontribut e gjitha të mirat, por Gjykata Speciale e dimë që është gjykatë e korruptuar, e dobët, e ulët nuk e kanë liruar njeriun të marrë pjesë në varrim”, tha ai.
Fjalë të mëdha për familjen Thaçi e veçanërisht për Haxhi Thaçin tha edhe Rrahman Mustafa nga Obria e Ulët.
Edhe ky qytetar i cili erdhi për homazhe te arkivoli i babait të ish-presidentit, Hashim Thaçi e quajti të padrejtë vendimin e Speciales, me të cilin ia mohoi të drejtën që ish-presidenti të jetë i pranishëm në ceremoninë mortore të babait të tij.
“Shumë e padrejtë me ligj ndërkombëtar duhet me u lejua me ardh me varros prindin. Por, po na mohohen të drejtat, po duket haptazi, jemi në shkallën e tretë apo të katërt. Duhet me përcjell djali prindin…(Për Haxhi Thaçin) shumë ka qenë njerëzorë, familje shumë e mirë me babë e babagjysh kanë qenë patriota, atdhetare kombëtare”, tha ai.
Pas homazheve në palestrën “Ilaz Kodra”, u mbajtë edhe një mbledhje komemorative për të nderuar Haxhi Thaçin, ku morën pjesë qytetarë, familjarë, bashkëpunëtorë të ish-presidentit, Hashim Thaçi.
Varrimi i babait të Thaçit është bërë në varrezat e reja në fshatin Burojë.
Përveç telegrameve të ngushëllime, krerët shtetëror nuk erdhën në Skenderaj për të bërë homazhe te arkivoli i Haxhi Thaçit.
Për ngushëllime me rastin e vdekjes së Haxhi Thaçit, babait të ish- presidentit Hashim Thaçi, një delegacion institucional i Shqipërisë erdhi në Skenderaj.
Këtë delegacion e përbëjnë kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Elisa Spiropali, ministri i Diasporës, Taulant Balla, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, bashkëshortja e kryeministrit, Edi Rama, Linda Rama, ish-kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramos Ruqi.
Haxhi Thaçi vdiq mbrëmjen e së dielës në moshën 87-vjeç në QKUK, teksa po trajtohej nga një sëmundje.
Dhomat e Specializuara të Hagës nuk i kanë dhënë leje ish-presidentit, Hashim Thaçi për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të babait të tij. Ky vendim i Speciales ngriti reagime të shumta përfshirë atë të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu për çka tha se do t’i shkruaj edhe kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilovës.
Kujtojmë që ish-presidenti, Hashim Thaçi të enjten e kaluar me lejen e Gjykatës Speciale, ishte në Kosovë ku vizitoi babain e tij tashmë të ndjerë, i cili ishte duke marrë trajtim mjekësor pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Ky takimi i cili zgjati 3 orë ishte, edhe takimi i fundit i Thaçi me babain e tij.
Kjo vizitë e ish-presidentit u përcoll nën masa të larta të sigurisë.
Hashim Thaçi po përballet me një proces të tejzgjatur gjyqësor në Gjykatën Speciale në Hagë.
Ai ndodhet në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020.
Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë e akuzon Thaçin për krime të pretenduara të luftës.
Ai është deklaruar i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.