Mosprania e Thaçit në varrimin e babait, Specialja deklarohet sërish: Kërkesat shqyrtohen në bazë të kornizës ligjore të KSC-së

Dhomat e Specializuara të Gjykatës së Hagës kanë reaguar sërish përmes një komunikate ku kanë sqaruar situatën e mosardhjes së ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçit, në varrimin e babait të tij Haxhi Thaçit. DHSK-ja sqaron se korniza ligjore i lejon të paraburgosurit të kërkojnë një vizitë në Kosovë për arsye detyruese humanitare. “Gjyqtarët e miratuan…

Lajme

18/03/2025 14:31

Dhomat e Specializuara të Gjykatës së Hagës kanë reaguar sërish përmes një komunikate ku kanë sqaruar situatën e mosardhjes së ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçit, në varrimin e babait të tij Haxhi Thaçit.

DHSK-ja sqaron se korniza ligjore i lejon të paraburgosurit të kërkojnë një vizitë në Kosovë për arsye detyruese humanitare.

“Gjyqtarët e miratuan këtë rregull bazuar në ligjin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, duke përfshirë nenin 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Rregullat Standarde Minimale të Kombeve të Bashkuara për trajtimin e të burgosurve”, thuhet në komunikatën e dërguar mediave.

Zëdhënës Michael Doyle, tha se është shumë i vetëdijshëm për rëndësinë e të qenit me familjen në situata si kjo.

“Deri më tani, trembëdhjetë vizita të tilla nga të paraburgosurit në Kosovë janë urdhëruar nga gjyqtarët e Dhomave të Specializuara dhe janë menaxhuar nga gjykata, për shembull që një i paraburgosur të vizitojë një të afërm të sëmurë ose të bëjë nderime dhe të kalojë kohë me anëtarët e ngushtë të familjes pas vdekjes së një të afërmi”, theksoi ai.

“Kur një i paraburgosur bën një kërkesë të kësaj natyre, gjyqtarët që merren me çështjen vlerësojnë të gjitha rrethanat në kohën kur kërkesa është bërë me urgjencën dhe dhembshurinë që kërkojnë situata si kjo. Ata vendosin bazuar në kornizën ligjore të KSC dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”,shtoi Doyle.

Tutje në komunikatë, thuhet se kjo gjykatë nuk është në gjendje të japë informacion për ndonjë kërkesë apo vendim konkret në lidhje me ish-presidentin Thaçi.

” Kjo për shkak se kërkesat e një të paraburgosuri dhe vendimet për ato kërkesa janë gjithmonë fillimisht konfidenciale për arsye që përfshijnë privatësinë dhe sigurinë operacionale. Pas përfundimit të një vizite humanitare, gjyqtarët zakonisht i riklasifikojnë këto dokumente në mënyrë që publiku të mund të informohet më në detaje. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se ndërsa vizita të tilla, kur urdhërohen nga gjyqtarët, organizohen sa më shpejt që të jetë e mundur, kjo mund të marrë pak kohë, duke kërkuar koordinim të ngushtë me një numër aktorësh dhe marrëveshje komplekse logjistike, duke përfshirë fluturimet dhe sigurinë”, theksohet në komunikatën e lëshuar për media.