Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës injorojnë mbledhjen komomorative të Haxhi Thaçit, delegacioni nga Shqipëria nderon babain e ish-presidentit
Familjarët Thaçi u mblodhën sot në sallën sportive “Ilaz Kodra” në Skenderaj. Nëna Hyrë, vëllezërit, gruaja e djali i Hashim Thaçit po prisnin që në orët e para të ditës qytetarë të shumtë që shkuan për homazhe me rastin e ndarjes nga jeta të kryefamiljarit, Haxhi Thaçi. Mijëra qytetarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut,…

Lajme
Familjarët Thaçi u mblodhën sot në sallën sportive “Ilaz Kodra” në Skenderaj.
Nëna Hyrë, vëllezërit, gruaja e djali i Hashim Thaçit po prisnin që në orët e para të ditës qytetarë të shumtë që shkuan për homazhe me rastin e ndarjes nga jeta të kryefamiljarit, Haxhi Thaçi.
Mijëra qytetarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi e Lugina u drejtuan sot për në Burojë.
Si fillim ata morën pjesë në homazhe që po bëheshin para arkivolit të Haxhi Thaçit. Pas kësaj, Komuna e Skenderajt kishte organizuar edhe një Akademi Përkujtimore për figurën dhe kontributin e Haxhi Thaçit.
E në këtë organizim të ceremonisë përkujtimore për Haxhi Thaçin morën pjesë edhe nga institucionet në Shqipëri, për dallim nga drejtuesit e institucioneve në Kosovë.
Në homazhe në Akademi Përkujtimore sot nuk ishte asnjë zyrtarë i Presidencës, Qeverisë së Kosovës apo edhe nga Kuvendi i Kosovës.
Kësisoj zyrtarët e lartë shtetërorë të vendit, por edhe vartësit e tyre zgjodhën që të injorojnë në tërësi këtë organizim në nderim të figurës së Haxhi Thaçit.
Kurse një delegacion shqiptar, i prirë nga Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, kanë bërë homazhe pran arkivolit të Haxhi Thaçit. Ata kanë ngushëlluar edhe familjen e ngushtë të ish-presidentit.
Madje e pranishme bashkë me Spiropalin, ishte edhe gruaja e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, Linda Rama.
Ajo zgjodhi që të mbajë edhe një fjalim , duke përkujtuar e nderuar Haxhi Thaçin.
Kryekuvendarja e Shqipërisë dhe bashkëshortja e kryeministrit të Shqipërisë kanë mbajtur edhe fjalime emocionuese në këtë mbledhje.
E para ka thënë se përveç Serbisë, nuk i bënë nder fakti që udhëheqësit e UÇK-së janë në Hagë.
“Nuk i bënë nder askujt përveç armiqve të lirisë, fakti që Hashim Thaçi dhe udhëheqësit e UÇK-së janë sot në shtatë penxheret në Hagë. Si viktima të një drejtësie që po bëhet iluzion, e po shkallmon vlerat, parimet e standardet e drejtësisë. I vuri vulën me ndalimin e Hashim Thaçit për t’i dhënë lamtumirën babait të vet. Baca Haxhi në vend të Hashimit kemi ardhur të të përcjellim nga Shqipëria e nga gjithë shqiptaria. Të kam sjell edhe një dorë dheu nga Shqipëria. Lamtumirë atit të atit të pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Elisa Spiropali.
Ajo ka vlerësuar se babi i Thaçit është shembull se si një njeri i thjeshtë mund të bëhet atdhetar i madh.
“I dashur Hashim, padrejtësitë politike e kombëtare, sot iu shtua edhe një padrejtësi morale e njerëzore. Ky burrë është shembull se si një njeri i thjeshtë mund të bëhet atdhetar i madh. Kjo është e mundur kur urtësia, ndjeshmëria, lidhjet e forta me njerëzit, i një burri që duket i zakonshëm, shumëfishohen, ndryshohen, shumëfishojnë sakrificat. Faleminderit burrit e patriotit që na dha Hashim Thaçin, udhëheqësin politik të UÇK-së, lufta e të cilës me mbështetjen e popullit, e të Amerikës, e ka bërë Kosovën shtet të lirë”, është shprehur ajo.
Edhe Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ka mbajtur një fjalim emocionues.
“Erdha këtu për t’i dhënë lamtumirën bacës Haxhi, me respektin e thellë për këtë familje të njësuar me historinë e Kosovës, falë njërit prej djemve të tij, Hashimit. Kjo është një ditë e trishtuar, dhe në këtë ditë jam këtu me ty nana Hyrë, jo në këmbë të Edit, por në radhë të parë sepse e di mirë se çfarëdo të thotë të jesh prind i një politikani, e posaçërisht, nëna e një politikani. E kam përjetuar, pranë nënës së Edit. Jam këtu me të gjithë familjen tuaj, të cilës sot i mungojnë dy burra. E di dhe më mirë se çfarë do të thtoë të jesh bashkëshortja e një politikani, aq më tepër një udhëheqësi, aty ky frynë dhe nuk pushojnë erërat e forta, e përjetoj çdo ditë”, ka thënë Rama.
E për të përkujtuar babain e ish-presidentit Hashim Thaçi, në këtë Akademi Përkujtimore folën edhe i pari i PDK-së, Memli Krasniqi si dhe kandidati për kryeministër nga radhët e kësaj partie, Bedri Hamza.
Në fund një fjalim tejet emocional para të pranishmëve e mbajti edhe djali i ish-presidentit Thaçi, Endriti.
Gjyshi asnjëherë s’u dorëzua përballë sëmundjeve, shpresa për ta ritakuar babin dhe bashkëluftëtarët e tij në Hagë ishte më e madhe se sa sëmundjet. Besimi në pafajësinë e tyre ishte më i hekurt se sa aktakuza e padrejtë, në muajt e fundit çdo orë , cdo minut priste që babi t’ia hapte derën e spitalit nuk u dorëzua dhe u rikthye në jetë disa herë. Tri orë bashkëbisedim atë dit iu bën tri orët me të rëndësishme të jetës së tij. Në bisedë babë e bir, që të dy e kërkonin lirinë, çlirimin dhe vdekjen e shpejtë të gjyshit e pash në fytyrën e babit kur doli nga spitali. Gjyshi i mbijetoi të gjitha vuajtjeve, e dhimbjeve nëpër të cilat kaluam si popull, por këto katër vite nuk i mbijetoi vuajtjeve dhe dhimbjes nga padrejtësia. Një sëmundjen e pashërueshme për njerëz të fortë, krenar e me dinjitet”, tha Endrit Thaçi.
Ai përkujtoi edhe një citat të thënë nga vetë gjyshi “Me vdek pa u korit”.
“Gjysh as sot nuk jemi korit. Fatkeqësisht babin nuk e lejuan t’i japë lamtumirën e fundit bashkë me ne sot, nuk e lejuan t’ia gjuajë një grusht dhe të Drenicës mbi varrë, por në vend të babit sot ka ardhur Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut e Lugina. I madh dhe i përjetshëm do të jetë kujtimi ynë për ty gjysh. Për ne gjyshi ishte Kështjellë e pathyeshme e urtësisë dhe dashurisë. Na mësoi se bashkimi është çelësi i çdo fitore dhe personifikimi i kësaj janë bashkëluftëtarët në Hagë dhe ta ndjekim shembullin e tyre për t’u bashkuar sërish në fitoren e radhës mbi padrejtësinë. Ju falënderoj të gjithëve që keni mbështetur familjen tonë, të axhit Kadri, të bacës Jakup të axhit Rexhë e të atyre që po mbahen në Hagë. Lamtumirë gjysh, prehu në paqe”./Lajmi.net/