Antidroga realizon operacionin “Befasia”, sekuestrohen disa lloje të substancave narkotike – I dyshuari ishte i dënuar me 2 vite burgim

Dje (e marte), Policia e Kosovës, konkretisht hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve– Mitrovicë Jug, në bashkëpunim me Njësinë e Reagimit të Shpejtë – Mitrovicë Jug, kanë realizuar një kontroll të planifikuar në një shtëpi dhe objektet përcjellëse në lagjen Koloni në qytetin e Mitrovicës. Policia ka njoftuar se ky kontroll u…

Lajme

12/03/2025 09:19

Dje (e marte), Policia e Kosovës, konkretisht hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve– Mitrovicë Jug, në bashkëpunim me Njësinë e Reagimit të Shpejtë – Mitrovicë Jug, kanë realizuar një kontroll të planifikuar në një shtëpi dhe objektet përcjellëse në lagjen Koloni në qytetin e Mitrovicës.

Policia ka njoftuar se ky kontroll u realizua si pjesë e planit taktik të quajtur ‘Befasia’, në kuadër të luftës kundër krimeve të organizuara dhe trafikimit të substancave narkotike.

Gjatë kontrollit të realizuar në këtë operacion policor, janë sekuestruar:

ü 24 qese me substancë të dyshuar narkotike e llojit kokaine, me peshë totale 7.5 gram.

ü 6 qese me substancë narkotike të llojit marihuanë, me peshë totale 68.7 gram.

ü 4 tableta Ekstazi, me peshë totale 2.2 gram.

ü Qese të zbrazëta, që shërbejnë për paketimin e substancave narkotike në sasi të vogla.

ü 1 telefon mobil që dyshohet të jetë përdorur për aktivitetet e paligjshme.

Në vendin e ngjarjes ka dalë një ekip i Krimteknikës Rajonale, i cili ka kryer fotografimin, evidentimin, matjen dhe sekuestrimin e të gjitha provave materiale. Hetuesit e DHTN-së, pas realizimit të veprimeve operative, kanë arrestuar të dyshuarin, i cili është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.

“Në bazë të urdhrit të arrestit të lëshuar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, i dyshuari ka një dënim të formës së prerë prej 2 vitesh burgim për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 267 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Lidhur me këtë rast, është informuar Prokurori Kujdestar pranë Prokurorisë Themelore të Mitrovicës – Departamenti i Krimeve të Rënda, i cili ka urdhëruar që i dyshuari pas intervistimit të dërgohet në vuajtje të dënimit. Rasti është duke u hetuar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve – Mitrovicë Jug. Pas intervistimit, i dyshuari është dorëzuar në Stacionin Policor Mitrovica Jug, ku është dërguar për të vuajtur dënimin në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë”, ka njoftuar Policia e Kosovës. /Lajmi.net/ 

Fotografi nga substancat që u sekuestruan: