Muhaxheri se mohon mundësinë e një koalicion me Vetëvendosjen e thotë se deputetët e LDK-së duhen shqetësuar më shumë për votat e partisë
Nënkryetari i partisë Lidhja Demokratike e Kosovës ka komentuar rezultatet paszgjedhore të subjektit që ai përfaqëson. Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, sipas rezultateve të deritanishme LDK ka arritur që të sigurojë 20 ulëse për në Kuvendin e Kosovës, në legjislaturën e ardhshme ku deputetët e kësaj partie pritet edhe të jenë të tjerë nga ata…

Lajme
Nënkryetari i partisë Lidhja Demokratike e Kosovës ka komentuar rezultatet paszgjedhore të subjektit që ai përfaqëson.
Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, sipas rezultateve të deritanishme LDK ka arritur që të sigurojë 20 ulëse për në Kuvendin e Kosovës, në legjislaturën e ardhshme ku deputetët e kësaj partie pritet edhe të jenë të tjerë nga ata që jemi mësuar t’i shohim për disa legjislatura me radhë.
Rezultatet e zgjedhjeve të fundit parlamentare nuk kanë krijuar pasqyrë të qartë për të ardhmen e institucioneve të reja të Kosovës, kjo pasi për formimin e Qeverisë së re të Kosovës do duhet një koalicion paszgjedhor për arritjen e shumicës minimale parlamentare prej 61 votave.
Kësisoj formimi i qeverisë së Kosovës mbetet paksa “pezull” duke mos ditur askush nëse Vetëvendosje do të lidh koalicion me partitë e komuniteteve jo-shumicë, apo do të bashkohet me ndonjë prej partive opozitare të tjera siç janë LDK, PDK, AAK-Nisma.
E mundësi tjetër mbetet formimi i qeverisë nga partitë opozitare. Pas certifikimit të rezultatit final të zgjedhjeve, Vetëvendosjes do t’i duhet të gjejë zgjidhje- apo në të kundërtën të “lëshoi rrugë” për formimin e qeverisë.
E në lidhje me këtë situatë të krijuar, kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri në një prononcim për lajmi.net përjashtoi mundësinë që LDK të bëjë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, por për momentin. Megjithatë ai poashtu mohoi një koalicion paszgjedhor me partitë opozitare.
Por në fakt ai nuk mohoi kategorikisht mundësinë e koalicionit edhe me Vetëvendosjen. Ai tha në të ardhmen janë duke pa se çka mund të vendoset.
“Për momenti me askënd, më vonë t’u pa t’u ba”, tha Gazmend Muhaxheri për lajmi.net.
I pari i Pejës poashtu komentoi kritikat e bashkëpartiakëve të tij për manipulim të votave nga Rrezarta Krasniqi, Driton Selmanaj dhe Arben Gashi të cilët kërkuan rinumërimin e votave të diasporës në pika të caktuara brenda partisë.
Ai tha se çdokush ka të drejtë për ankesë, megjithatë Muhaxheri thotë se akterët e LDK-së duhet të shqetësohen për votën e përgjithshme të subjektit politik.
“Është e drejta e tyre, por ata së pari duhet të brengosen për votat e partisë, për votën e përgjithshme e më pas vota individuale vjen më vonë”, përfundoi Muhaxheri për lajmi.net.
Kujtojmë se procesi i numërimit të votave ka përfunduar, teksa ende nuk është bërë certifikimi i rezultateve nga KQZ.
Së fundmi subjektet politike dhe kandidatët për deputet kanë dërguar ankesa në PZAP për rinumërimin e votave të diasporës pas dyshimeve për manipulim.
PZAP dje refuzoi kërkesën e Vetëvendosjes për përsëritjen e procesit të votimit me postë nga diaspora, kurse aprovoi kërkesën për rinumërimin e 1631 votave që u shpallën të pavlefshme në kuadër të votave jashtë vendit.
E nga tre deputetët e LDK-së pati vërejtje të hapura në lidhje me procesin e numërimit të votave. Madje Rrezarta Krasniqi kishte akuzuar bashkëpartiakun e saj, Xhafer Tahiri për manipulim të votave gjë që ndikoi që Prokuroria të marrë vendim për rinumërim të votave në Vushtrri.
E përpos Krasniqit, pakënaqësi në lidhje me votimin nga diaspora kanë edhe Arben Gashi dhe Driton Selmanaj, të cilët haptazi janë shprehur për rinumërim.
Pavarësisht se u bën një muaj që nga dita e zgjedhjeve në Kosovë ende nuk janë certifikuar rezultatet. Madje Komisioni Qendror Zgjedhor duket se s’është as afër që t’i bëjë ato publike pasi po vazhdon “avazi” i ankesave dhe parashtresave.
Kosovarëve do t’u duhet të presin ende për “alarmin” e presidentes Vjosa Osmani kur e njëjta do t’ua caktoj kohën për formimin e institucioneve e kur këtyre partive politike do t’u duhet me doemos të bëjnë zgjidhje- apo që vendi të shkojë sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme./Lajmi.net/