Abdixhiku: S’kemi rezultatin e menduar, por jemi rritur si parti për 70 mijë vota- 7 deputetë më shumë

Është duke vazhduar procesi i numërimit të votave me postë, të ardhura nga diaspora. Në numërim e sipër vërehet se Lidhja Demokratike e Kosovës ka një ngritje të përqindjes. Pas kësaj ka reaguar kryetari i LDK-së, Lumir Abdihxiku. Abdixhiku tha se partia e tij është rritur për 70 mijë vota dhe ka shtatë deputetë më…

Lajme

03/03/2025 10:41

Është duke vazhduar procesi i numërimit të votave me postë, të ardhura nga diaspora.

Në numërim e sipër vërehet se Lidhja Demokratike e Kosovës ka një ngritje të përqindjes.

Pas kësaj ka reaguar kryetari i LDK-së, Lumir Abdihxiku.

Abdixhiku tha se partia e tij është rritur për 70 mijë vota dhe ka shtatë deputetë më shumë.

Abdixhiku tha se nuk janë arritur rezultatet e menduara dhe se për këtë e mban përgjegjësinë mbi supe, transmeton lajmi.net.

Po ashtu kreu i LDK-së theksoi se dritë do të ketë derisa tha se pas certifikimit të rezultateve do të nis turneun e falënderimit.

Postimi i plotë:

Ju faleminderit mërgatë!

Tani që numërimi i votave nga mërgata po i afrohet fundit, e kemi të qartë dhe fotografinë finale të zgjedhjeve tona.

Jo, nuk arritëm rezultatin e menduar.

Jo, nuk ndryshuam renditjen që dukej se na ishte parapërcaktuar. Për këtë kam marrë përgjegjësinë mbi supe unë!

Por, po, jemi rritur!

Dhe atë për plot 70 mijë vota! Si kurrë më parë!

Për plot 7 deputetë më shumë!

Prandaj kokën lartë.

Rënia, ajo katastrofalja, është e shpejtë! Shpeshherë dhe fatale. Ringritja, ajo e vështira, është e ngadaltë. Kërkon punë dhe punë shumë!

Punë e shpresë dhamë. Po bëhemi, sërish, adresë e 180 mijë qytetarëve tanë. Ecëm drejtë, ecëm mbarë. Mangu asgjë. Do të sillemi me plot dinjitet në gjithë rrugëtimin tonë përpara. LDK, si partia me rritjen më të madhe në këto zgjedhje, ka kthyer tashmë votuesin e vet. Koha të shkojmë përtej kësaj. Do të shkojmë!

Dritë do të ketë!

Faleminderit gjithë atyre që na besuat. Në veçanti, faleminderit mërgatës sonë që na dhatë kaq mbështetje. Asgjë befasuese.

Së shpejti, pas certifikimit të rezultateve, do të nisi TURNEUN E FALËNDERIMIT. Sepse ju kam premtuar! Ju kam dhënë fjalën se nuk do të shihemi vetëm në zgjedhje. Do të takoj gjithë ata që u rreshtuan në thirrjen time për ndryshim. Këtë herë nuk ishim mjaft. Por u bëmë më shumë. Do të bëhemi dhe më shumë./Lajmi.net/