Refuzohet si e pabazuar padia e kryetarit të Rahovecit ndaj inspektorit të Arsimit, ia kërkonte 100 mijë
Gjykata Themelore në Gjakovë e ka refuzuar si të pabazuar padinë për kompensim dëmi, të ushtruar nga Smajl Latifi ndaj inspektorit të Arsimit Gjergj Gojani. Padia ishte ushtruar më 7 prill 2022, ku Smajl Latifi kishte kërkuar nga i padituri Gjergj Gojani që në emër të dëmit jomaterial për dëmtim të reputacionit gjatë fushatës zgjedhore,…

Lajme
Gjykata Themelore në Gjakovë e ka refuzuar si të pabazuar padinë për kompensim dëmi, të ushtruar nga Smajl Latifi ndaj inspektorit të Arsimit Gjergj Gojani.
Padia ishte ushtruar më 7 prill 2022, ku Smajl Latifi kishte kërkuar nga i padituri Gjergj Gojani që në emër të dëmit jomaterial për dëmtim të reputacionit gjatë fushatës zgjedhore, paditësit t’ia kompensojë shumën prej 100 mijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykata pas vlerësimit të provave materiale të administruara në përfundim se kërkesëpadia e paditësit është në tërësi e pabazuar për arsyet se në këtë rast nuk ishte kontestuese se i padituri në cilësi të Inspektorit të Arsimit në Komunën e Gjakovës, kishte marrë vendim me të cilin ka kërkuar nga kryetari i Komunës se Rahovecit tani paditës, që të inicioj procedurën e shkarkimit të drejtorit të Arsimit në Komunën e Rahovecit, fakt i provuar edhe me vendimin e Inspektoratit të Arsimit në Gjakovë .
“Tutje u bë jokontestues fakti se paditësi pas pranimit të vendimit të lartcekur, ka telefonuar këtu të paditurin, ku temë diskutimi kishte qenë po vendimi i lartcekur.”, thuhet në vendim.
Sipas vendimit, nuk ishte kontestuese se i padituri kishte paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, në drejtim të paraqitjes së veprës penale “Kanosja”, pretenduar se paditësi e ka kryer këtë vepër penale, sikurse që nuk ishte kontestuese se kallëzimi penal i paraqitur nga i padituri, është hedhur nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, fakte të provuara me aktvendimin për hedhjen e kallëzimit penal.
“Kontestueses ishte se paditësit a i është shkaktuar dëm material si pasojë e dëmtimit të reputacionit, autoritetit integritetit me rastin e paraqitjes se këtij kallëzimi penal në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, përkatësisht me publikimin e lajmit nëpër media të shkruara online lokale dhe qendrore, lidhur me kallëzimin penal të cekur si me lartë.”, thuhet në vendim.
Vendimi thotë se me vendimin e Inspektoratit të Arsimit në Gjakovë, u provua se këtu i padituri duke vepruar në cilësinë e Inspektorit të Arsimit në Gjakovë, ka marrë vendim me të cilin ka kërkuar nga kryetari i Komunës së Rahovecit Smajl Latifit (këtu paditësi), që të inicioj procedurë disiplinore dhe ligjore për shkarkimin nga detyra të drejtorit A. M. – drejtor komunale të arsimit në Rahovec, për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Tutje, me ankesën e përpiluar nga paditësi S. L. pa numër dhe pa datë dhe e pa nënshkruar, shihet se nga paditësi në cilësi të kryetarit të komunës se Rahovecit, është atakuar vendimi, duke kërkuar edhe anulimin e të njëjtit.
“Me publikimet në Gazetet Online K. C.; K. P.; R. P.; si dhe R. 24., provohet se në periudhën kontestuese, janë plasuar lajme në gazetat online lidhur me kërkesën e Inspektoratit të Arsimit në Gjakovë, në drejtim të paditësit për shkarkimin e drejtorit të arsimit, e po ashtu deklarimet e të paditurit se nga paditësi është kërcënuar me fjalët “Më ka kërcënuar me jetë! Me ka thënë: A e din që unë jam kanë në luftë”, duke ia kujtuar se “me kë ka punë!”. Po ashtu, në këto publikime shihen tituj të tyre dhe atë: “Skandal! Kryetari i Rahovecit S. L. kërcënon një inspektor të arsimit, pasi iu kërkuar shkarkimi i një drejtori”, si dhe “Inspektori Gj. G. për K. P.: S. L. me kërcënoi me jetë”.”, thuhet në vendim.
Vendimi thotë se nga rezultatet e hulumtimit – Hulumtim i Opinionit publik në Komunën e Rahovecit, qershor 2021, pa burim të specifikuar, shihet se janë paraqitur të dhëna nga hulumtimet në teren në raport me punën e paditësit në cilësi të kryetarit, nga fillimi i mandatit në vitin 2017 e tutje, besueshmërinë e tij nga votuesit potencial, punët dhe prioritetet e qytetarëve në të ardhmen, si dhe votimi eventual në rast se do të mbaheshin zgjedhjet në atë periudhë.
Mirëpo sipas vlerësimit të kësaj gjykate, ky hulumtim ka të meta substanciale, pasi që nuk dihet burimi i këtij hulumtimi, kush e ka porositur, organizatë vendore apo e huaj, të meta këto të cilat i pamundësojnë gjykatës vlerësimin meritor në aspektin e humbjes apo jo të besueshmërisë qytetare për këtu paditësin.
Gjykata, bazuar në thëniet e paditësit dhe nga rrjedha e procedurës, ka ardhur në përfundim se në këtë rast, ligj i aplikueshëm është Ligji mbi Marrëdhëniet e Detyrimeve, i vitit 2012, ngase paditësi pretendon se dëmi i është shkaktuar si pasojë e paraqitjes se kallëzimit penal nga ana e të paditurit, e po ashtu nga publikimi i lajmit në gazeta ditore online se ndaj paditësit është paraqitur kallëzim penal për veprën penale Kanosja nga këtu i padituri.
Gjykata vlerëson se tek rastet e shpërblimit të dëmit duhet të plotësohen disa kushte siç janë: ekzistenca e dëmit, ekzistenca e paligjshmërisë së veprimit ose të mosveprimit, ekzistenca e fajit, dhe ekzistenca e lidhjes shkakësore midis veprimit ose mosveprimit dhe dëmit të ardhur. Rrjedhimisht, tek rasti kontestues nuk është përmbushur asnjë element.
Gjykata ka vlerësuar se në këtë shqyrtim, me asnjë provë materiale nuk është provuar paditësit i është shkaktuar ndonjë dëm nga i padituri.
Vendimi thotë se përkundrazi, marrë parasysh frikën e pretenduar nga këtu paditësi, se i njëjti ka qenë në kohën para zgjedhjeve lokale duke pretenduar se ka përjetuar frikë të tërthortë për shkak të suksesit në zgjedhjet e vitit 2021, ky pretendim doli të jetë i pabazuar, pasi që shikuar rezultatet e zgjedhjeve lokale për kryetar të komunës, ato të vitit 2017 dhe ato të vitit 2021, rezulton se paditësi ka pasur rritje në votën e fituar në zgjedhjet lokale të vitit 2021, fakt i provuar nga rezultatet zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 7 prill 2022, paditësi Smajl Latifi kërkon nga i padituri Gjergj Gojani që në emër të demit jomaterial për dëmtim të reptuacionit gjatë fushatës zgjedhore, paditësit t’ia kompensojë shumën prej 100 mijë euro.
Në padi thuhet se i padituri Gojani në cilësinë e udhëheqësit të sektorit të Inspektoratit të Arsimit kishte lëshuar një vendim me të cilin (kinse) ka konstatuar shkelje dhe parregullsi dhe shkelje të ligjin në drejtorinë e Arsimit në Rahovec dhe kishte marr vendim ku kishte kërkuar fillimin e procedurës disiplinore dhe shkarkimin e drejtorit të Arsimit, Avni Morina.
Sipas padisë, me të pranuar vendimin paditësi (Smajl Latifi) e ka telefonuar të paditurin (Gjergj Gojani) dhe ka kërkuar të sqarohet në lidhje me përmbajtjen e vendimit sepse sipas tij, i njëjti është i kundërligjshëm.
Tutje, në padi thuhet se pas bisedës ndërmjet paditësit dhe të paditurit i padituri ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Gjakovë për kanosje.
Sipas padisë, në kohën e paraqitjes së kallëzimit penal nga i padituri ishte fushata zgjedhore dhe ky kallëzim penal i paraqitur nga ana e të paditurit është shpërndarë nga të gjitha gazetat publike, lokale dhe nacionale. Veprimet e tilla e kanë dëmtuar në masë të madhe reputacionin e paditësit.
Më pas, në padi thuhet se Prokuroria në Gjakovë kishte filluar procedurën ku kishte intervistuar paraqitësin e kallëzimit penal Gjergj Gojanin dhe disa dëshmitar ku kishte analizuar provat dhe në fund është bërë hudhja e kallëzimit penal.
Sipas padisë, me hudhjen e kallëzimit penal është vërtetuar se i padituri kishte bërë kallëzim penal me qëllim që të dëmtojë reputacionin e paditësit Smajl Latifi.