Dodik zbuloi se çfarë do të bëjë nëse dënohet

Presidenti i Republikës Serbe (RS) Milorad Dodik deklaroi sot se nëse ai dënohet nga Gjykata e Bosnje dhe Hercegovinës për moszbatim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë, Republika Serbe do të ndalojë punën e gjykatës dhe prokurorisë shtetërore, dhe agjencive të sigurisë shtetërore në territorin e këtij entiteti dhe do të “kthehet në Marrëveshjen e…

Lajme

21/02/2025 14:22

Presidenti i Republikës Serbe (RS) Milorad Dodik deklaroi sot se nëse ai dënohet nga Gjykata e Bosnje dhe Hercegovinës për moszbatim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë, Republika Serbe do të ndalojë punën e gjykatës dhe prokurorisë shtetërore, dhe agjencive të sigurisë shtetërore në territorin e këtij entiteti dhe do të “kthehet në Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit”.

Duke iu përgjigjur pyetjes nëse ai pret trazira, Dodik tha në televizionin Pink se Republika Serbe do të mbetet e qetë.

“Ne do t’i marrim të gjitha vendimet në nivelin e parlamentit të RS dhe është e mundur që në një fazë të bëjmë një referendum për të gjitha këto,” vuri në dukje Dodik.

“Kjo nuk është lufta e Milorad Dodik, por një reagim ndaj veprimit të ndërmarrë nga Sarajeva politike,” tha ai.

Dodik tha se nëse ai dënohet, “Republika Serbe do të anulojë çdo prani të gjykatës dhe prokurorisë, Agjencisë së Hetimit dhe Mbrojtjes së BeH-së (SIPA) dhe organeve të tjera në nivel të BeH, do të ndalojë punën e tyre në territorin e Republikës Serbe, do të miratojë ligjin e vet zgjedhor dhe do të bëjë gjithçka për t’i kthyer 83 kompetencat në pozicionin e tyre kushtetues”.

Ai tha se “i vetmi skenar i saktë kushtetues dhe ligjor” është pezullimi i procedurës në Gjykatën e BeH ndaj tij ose shpallja e pafajësisë, në të kundërtën Republika Serbe “do të merr vendime në përputhje me Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit”, që do të thotë gjithashtu se Republika Serbe do të anulojë ose tërhiqet nga të gjitha reformat.

Dodik tha se Republika Serbe “mbron Kushtetutën e BeH” dhe njoftoi se “të gjitha shkeljet që kanë ndodhur për 25 vjet do të rishikohen.”