Dështoi apo pati efekt bojkoti i marketeve në Kosovë?
Sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës, për shkak të bojkotit të dyqaneve të hënën, më 10 shkurt, qarkullimi i bizneseve ka shënuar një rënie të lehtë prej mbi 100 mijë euro më pak, krahasuar me 3 shkurt(ditë e hënë). Ndërkaq, kjo iniciativë e bojkotit ndaj supermarketeve do të vazhdojë edhe më datën 15…
![](https://lajmi.net/wp-content/uploads/2025/02/14.jpg)
Lajme
Sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës, për shkak të bojkotit të dyqaneve të hënën, më 10 shkurt, qarkullimi i bizneseve ka shënuar një rënie të lehtë prej mbi 100 mijë euro më pak, krahasuar me 3 shkurt(ditë e hënë). Ndërkaq, kjo iniciativë e bojkotit ndaj supermarketeve do të vazhdojë edhe më datën 15 dhe 16 shkurt, kjo për shkak çmimeve të larta. Kështu kanë bërë të ditur në rrjete sociale një grup i personave që kanë realizuar këtë iniciativë.
Dyqanet kanë realizuar mbi 13 milionë e 496 mijë euro më 3 shkurt të këtij viti, derisa qarkullimi më 10 shkurt (hënë), ditën e bojkotit ka qenë rreth 13 milionë e 393 mijë euro ose 103 mijë e 99 euro më pak, raporton KosovaPress.
Në një përgjigje për KosovaPress, sipas këtij institucioni, këto të dhëna janë nga Sistemi për Pajisje Elektronike Fiskale (PEF) të cilët kanë transmetuar të dhëna me datën 3 dhe 10 shkurt, pasi siç thuhet në përgjigjen e tyre ATK nuk ka të dhëna që transmeton qarkullimin në kohë reale nga Pajisjes Fiskale të datës 3 shkurt dhe 10 shkurt.
“Ju informojmë se Administrata Tatimore e Kosovës nuk ka të dhëna që transmeton qarkullimin në kohe reale nga Pajisjet Fiskale të datës 3 shkurt dhe 10 shkurt, sepse një pjesë e pajisjeve fiskale që janë në përdorim nga tatimpaguesit janë të vjetra dhe transmetojnë të dhënat një herë në muaj në sistemin e ATK-së dhe për këtë shkak ne nuk kemi mundësi te dimë saktësinë e transaksioneve që kanë ndodhur për ato dite të caktuara. Në tabele keni të dhënat nga Sistemi për PEF të cilët kanë transmetuar të dhëna me datën 3 dhe 10 shkurt dhe kjo është gjendja aktuale: Qarkulli me datën 3 është, 13,496,181.91 euro, ndërsa më 10 shkurt, 13,393,082.21 euro”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.
Kujtojmë se, qytetarë të shumtë i janë bashkuar të hënën iniciativës për bojkotimin e supermarketeve si rrjedhojë e rritjes së vazhdueshme të çmimeve. Ata e përkrahën këtë iniciativë, duke theksuar se shteti duhet të ndërmarrë masa për të ndaluar këtë dukuri. Iniciativa ka marrë mbështetje në rrjete sociale, ku është formuar një grup i qytetarëve që kanë bërë thirrje për bojkotin, i cili ka fituar mbështetje nga më shumë se 6 mijë qytetarë, ndërsa mbi 200 mijë të tjerë janë informuar për të.