Në prag të zgjedhjeve, Posta e Kosovës u jep bonus 100 euro punëtorëve

Posta e Kosovës ka marrë vendim që punëtorëve që kanë marrëdhënie të rregullt dhe aktive në këtë ndërmarrje publike, t’u jap një bonus prej 100 eurove. Bonusi sipas vendimit i cili është marrë në mbledhjen e datës 23.01.2025, iu ka dalë punëtorëve me pagat e muajit janar, në prag të zgjedhjeve parlamentare, të cilat do…

Lajme

07/02/2025 10:56

Posta e Kosovës ka marrë vendim që punëtorëve që kanë marrëdhënie të rregullt dhe aktive në këtë ndërmarrje publike, t’u jap një bonus prej 100 eurove.

Bonusi sipas vendimit i cili është marrë në mbledhjen e datës 23.01.2025, iu ka dalë punëtorëve me pagat e muajit janar, në prag të zgjedhjeve parlamentare, të cilat do të mbahen më 09.02.2025.

KALLXO ka arritur që ta sigurojë vendimin e marrë nga bordi. Në dokumentin e siguruar nga burime brenda Postës së Kosovës, thuhet se vendimi u mor pas rekomandimit të Kryeshefes Ekzekutive, Nora Rraci.

“Pas shqyrtimit të zhvillimeve pozitive në ndërmarrje, progresit të arritur deri më tani dhe proceseve që pritet të realizohen në të ardhmen si dhe duke marrë parasysh faktorët e tjerë të rëndësishëm si inflacioni dhe rritja e kostove të jetesës, Kryeshefja Ekzekutive e ndërmarrjes propozoi dhënien e një bonusi për të gjithë punëtorët e ndërmarrjes”- thuhet në vendim

Gjithashtu në po të njëjtin dokument përmendet edhe fakti se ky bonus ka për qëllim edhe motivimin dhe angazhimin e punëtorëve të Postës së Kosovës.

Bordi i Postës së Kosovës përbëhet nga Gëzim Paci – kryesues; Safije Beseni – anëtare; Sebahate Krasniqi – anëtare; Visar Nura – anëtar dhe Hyrmete Mydydi – anëtare. Bordi është emëruar në janar të vitit 2022.

Gëzim Paci është emëruar kryesues i Bordit të Postës së Kosovës në mbledhjen e Qeverisë Kurti të mbajtur më 23.09.2024.

Kurse Nora Rraci është emëruar kryeshefe e Postës së Kosovës me vendim të Bordit të Drejtorëve të Postës më 30.11.2022.