Shefi i KRM ‘Pastrimi’: Rama po manipulon me mbeturinat, që t’iu jap tenderë miqve
Pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme me menaxhimin e mbeturinave në Prishtinë, kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë “Pastrimi”, Petrit Reçica ka reaguar duke thënë se situata e krijuar është betejë për tenderët dhe kontrollin mbi paratë publike. Reçica në postimin e tij në facebook ka publikuar komunikimin zyrtar me Komunën e Prishtinës, teksa ka thënë se…
Lajme
Pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme me menaxhimin e mbeturinave në Prishtinë, kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë “Pastrimi”, Petrit Reçica ka reaguar duke thënë se situata e krijuar është betejë për tenderët dhe kontrollin mbi paratë publike.
Reçica në postimin e tij në facebook ka publikuar komunikimin zyrtar me Komunën e Prishtinës, teksa ka thënë se kjo është përpjekje “për manipulim me mbeturinat për t’ua dhënë tenderët miqve të Ramës”.
“Komuna ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për menaxhimin e mbeturinave, duke pretenduar se ‘Pastrimi’ nuk po e kryen punën si duhet. Të nderuar qytetarë, ne po punojmë pa pushim ne 24 orë për 7 ditë të javës, me gjithë këto sfida, dhe nuk dorëzohemi me të vetmin qëllim që Prishtinën do ta pastrojmë nga mbeturinat”, ka shkruar ai.
Më tutje ka thënë se kjo kompani private e përzgjedhur për pastrimin e qytetit, ka lidhje me pushtetin komunal.
“Përmes këtyre veprimeve të kundërligjshme fillimisht u fut në lojë një kompani private, pastaj u hap një tender i ndarë në pesë llote në vlerë 16.5 milionë euro, me kritere të përgatitura sipas qejfit për të favorizuar emrat e dëshiruar. Ky tender përfundoi i bllokuar në OSHP, duke dëshmuar manipulimin e procesit, favorizimet të operatorëve të caktuar si dhe tendencën për të përjashtuar dhe falimentuar KRM “Pastrimin”, vazhdon postimi.
Ndërkaq sot nëpërmjet një konference për media, Komuna e Prishtinës ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për menaxhim të mbeturinave në kryeqytet. Vendimi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme bazohet në rezultatet e arritura gjatë vitit 2024 pas marrjes së masave emergjente për përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave.
Përparim Rama ka thënë se kanë angazhuar kompani private, pasi sipas tij, kompania “Pastrimi” nuk po ka kapacitet për menaxhim të mbeturinave.