Mungon ish-zyrtari i Gjendjes Civile që akuzohet për korrupsion, shtyhet seanca ndaj tij
Në mungesë të të akuzuarit Bajram Kokalla, është shtyrë seanca e së premtes në Gjykatën Themelore të Gjakovës. Bajram Kokalla akuzohet se në cilësinë e zyrtarit të Gjendjes Civile në Komunën e Gjakovës ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”. Mbrojtësi i të akuzuarit Kokalla, avokati Meshari Selimaj bëri të ditur se i i…
Lajme
Në mungesë të të akuzuarit Bajram Kokalla, është shtyrë seanca e së premtes në Gjykatën Themelore të Gjakovës.
Bajram Kokalla akuzohet se në cilësinë e zyrtarit të Gjendjes Civile në Komunën e Gjakovës ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”.
Mbrojtësi i të akuzuarit Kokalla, avokati Meshari Selimaj bëri të ditur se i i mbrojturi i tij gjendet jashtë vendit, ndërsa për seancë të radhës i propozoi Gjykatës datat kur i njëjti gjendet në Kosovë.
Në mungesë të kushteve ligjore, seanca e sotme u shty për një datë tjetër.
Ndryshe, në seancën 17 janarit 2024 gjykatësi i çështjes Ilir Rashkaj ka bërë veçimin e procedurës ndaj të akuzuarit Bajram Kokalla, pasi i akuzuari tjetër në këtë rast Riza Kroj pranoi fajësinë për veprën që i vihet në barrë, të cilin Gjykata Themelore e Gjakovës, e ka dënuar me 6 muaj burgim me kusht.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 10 dhjetorit 2019, nga Prokuroria Themelore e Gjakovës i akuzuari Bajram Kokalla, në cilësinë e zyrtarit të Gjendjes Civile në Komunën e Gjakovës nuk ka përfillur udhëzimin administrativ të Ministrisë së Punëve të Brendshme, me të cilin përcaktohen kriteret e fitimit të shtetësisë, nuk e ka bërë verifikimin e palës në Zyrën e Gjendjes Civile, duke e regjistruar dhe bërë rishkrimin e datës së lindjes së tij me gjenerim të numrit personal, i cili regjistrim i ka shërbyer më pas të pandehurit Riza Kroj, që në emër të palës së dëmtuar M.B., të aplikojë dhe të pajiset me letërnjoftim të Republikës së Kosovës.
Me këto veprime, i pandehuri Bajram Kokalla akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.1 të Kodit Penal.
Ndërkaq, i akuzuari Riza Kroj, ngarkohet se më 10 nëntor 2019 në Gjakovë, tek Zyra e Gjendjes Civile, gjatë aplikimit për letërnjoftim të Republikës së Kosovës, ka prezentuar dokumentin kroat të pasluftës me përmbajtje “Dozvola Boravka”, duke u regjistruar në sistemin e Gjendjes Civile në emër të të dëmtuarit M.B.
Me këto veprime, i pandehuri Riza Kroj akuzohet se ka kryer veprën penale “Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes” nga neni 336, par.1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi