Ndryshimi i qasjes së Kurtit ndaj Marrëveshjes së Uashingtonit po konsiderohet përshtatje me presidentin Trump
Ndryshimi i qasjes së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti sa i përket Marrëveshjes së Uashingtonit po konsiderohet si përshtatje me presidentin e ri amerikan, Donald Trump. Përkundër që këtë ujdi – kur ishte arritur në vitin 2020, Kurti e kishte quajtur të dëmshme, së fundmi ai tha se e njëjta promovon stabilitet. Ndryshimi i pozicionit…
Lajme
Ndryshimi i qasjes së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti sa i përket Marrëveshjes së Uashingtonit po konsiderohet si përshtatje me presidentin e ri amerikan, Donald Trump.
Përkundër që këtë ujdi – kur ishte arritur në vitin 2020, Kurti e kishte quajtur të dëmshme, së fundmi ai tha se e njëjta promovon stabilitet. Ndryshimi i pozicionit të Kurtit vlerësohet se po bëhet me qëllim të përafrimit me administratën e re amerikane dhe tejkalimin e qëndrimeve të kaluara.
Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, u nënshkrua më 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, ndërmjet ish kryeministrit Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në praninë e presidentit të atëhershëm amerikan Donald Trump, i cili tani është zgjedhur edhe për një mandat në krye të SHBA-se.
Kurti ka folur në gazetën spanjolle “El Mundo” – publikuar të hënën – për raportet me administratën Trump. Ai ka thënë se Marrëveshja e Uashingtonit e arritur në vitin 2020 ka promovuar stabilitet.
Analisti politik, Seb Bytyqi thotë se nën administratën aktuale të Trumpit mund ketë sërish përpjekje për ndonjë marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që fokus e ka bashkëpunimin ekonomik.
Sipas tij, secili shtet tani është duke u përshtatur me presidencën e re të Trumpit dhe se njësoj po vepron tani edhe kryeministri Albin Kurti.
“Fokusi i asaj marrëveshje ka qenë kryesisht ekonomik, me qëllim që të bëhet një progres në dialogun që kishte stagnuar në atë kohë. Ngjashëm edhe gjatë këtij mandati të presidentit Trump mund të presim përpjekje për eventualisht ndonjë marrëveshje tjetër që prap e ka fokus bashkëpunimin ekonomik. Sido që të jetë të gjitha shtetet janë duke u përshtatur me presidencën e re të zotëri Trump, dhe ngjashëm edhe Kosova duhet që patjetër të përshtatet me situatën e re. Për Kosovën është me prioritet që t’i ruaj ato përparimet që i ka bërë në shtrirjen e autoritetit në veri. Mos t’i rrezikojë ato përmes nxitjes së krizave dhe të jetë syhapur që të parandalojë ndonjë krizë të mundshme që mund të nxitet nga Beogradi”, thekson ai.
Mirëpo, ish-diplomati, Blerim Canaj, deklaron se përkundër përpjekjeve të kryeministrit Kurti për të krijuar një diskurs të ri me republikanët, në krye me presidentin Trump, një gjë e tillë do të jetë shumë e vështirë, duke ditur diferencat e mëdha që i kanë pasur gjatë administratës së parë të presidentit Trump.
Kurti në vitin 2020 ka akuzuar ish-emisarin e ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Richard Grenell, se ka ndikuar në rrëzimin e qeverisë Kurti I. Grenell tani është i zgjedhuri i Trumpit si përfaqësues për misione speciale.
“Kurti veçse është duke parë se Administrata Trump do të ketë një qasje tjetër. Një Trump dhe një Grenell në Amerikë, dhe një Albin Kurti në Kosovë, nuk është një shenjë e mirë. Si duket do të tentojë Kurti të ndryshojë diskurs, mirëpo kjo më duket se është tepër vonë pasi hiqe Marrëveshjen e Uashingtonit, ne e dimë edhe sjelljen e Kurtit dhe militantëve të tij në raport me këto dy figura, Trump dhe Grenell. Tani me siguri duke pasur parasysh edhe fushatën zgjedhore, po ashtu edhe faktin se në një fushatë zgjedhore ftohja e marrëdhënieve me SHBA-të ka kosto…Kjo është një situatë që Kurti dëshiron të përfitojë, por kjo nuk do të thotë se do të ndryshohet mendimi dhe qasja e kabinetit qeverisës në raport me qeverinë e Kosovës”, thekson Canaj.
Në lidhje me deklaratën e kryeministrit Kurti për Marrëveshjen e Uashingtonit ka reaguar edhe ish-kryeministri Avdullah Hoti, i cili ka thënë se “ky është një rast i pastër i mashtrimit politik, i një lideri që për vite ka manipuluar qytetarët e Kosovës për përfitime të ngushta politike”.
Disa prej pikave të marrëveshjes nuk janë zbatuar nga palët, derisa Hoti ka thënë se moszbatimi i saj ka shkaktuar dëm të pallogaritshëm për vendin tonë – nga humbja e mundësive ekonomike, deri te dëmtimi i marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë.
Kosova dhe Serbia, me lehtësimin e Bashkimit Evropian kanë arritur një marrëveshje tjetër për normalizimin e marrëdhënieve në vitin 2023, mirëpo e njëjta nuk ka gjetur zbatim në praktikë.