Mustafa beson se opozita do t’i fitojë zgjedhjet: VV ka nisur të ushtrojë opozitarizmin, është abuzim që dikush jashtë LDK-së të thirret në frymën rugoviste

Zgjedhjet e 9 shkurtit përpos që do të sjellin ndryshime në Kuvendin e Kosovës e që janë të padiskutueshme, ndoshta surpriza do të ketë edhe sa i përket kryeministrit e kabinetit qeveritar në përgjithësi. Fushata elektorale që po zhvillohet tash e disa javë bën që të mos dihet fare se kush në fakt do t’i…

Lajme

29/01/2025 18:00

Zgjedhjet e 9 shkurtit përpos që do të sjellin ndryshime në Kuvendin e Kosovës e që janë të padiskutueshme, ndoshta surpriza do të ketë edhe sa i përket kryeministrit e kabinetit qeveritar në përgjithësi.

Fushata elektorale që po zhvillohet tash e disa javë bën që të mos dihet fare se kush në fakt do t’i fitojë këto zgjedhje.

Thuajse secila parti në këto tubime elektorale ka salla të mbushura plotë, takime të njëpasnjëshme me qytetarë nëpër lagjet e Prishtinës, fshatrat e Anamoravës e komunat e Dukagjinit.

Në çdo vend të Kosovës partitë politike po udhëtojnë çdo ditë e natë që të shfaqin para elektoratit programin e tyre, e që t’u kërkojnë votën dhe besimin për zgjedhjet nacionale.

E në lidhje me fushatën dhe rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme për lajmi.net është deklaruar edhe ish-kryeministri njëherësh ish-lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Mustafa madje është shprehur optimist dhe i bindur se në zgjedhjet e 9 shkurtit partitë të cilat kanë qenë në opozitë do të dalin fituese.

“Unë besoj fuqishëm se partitë të cilat kanë qenë në opozitë do të dalin fituese në këto zgjedhje. Ndryshe do t’ia thyejmë qafën Kosovës”, deklaroi ai.

Isa Mustafa tha se pas masakrës që iu bë Lidhjes Demokratike të Kosovës në vitin 2021 ( një lloj holokausti për zhbërje politike nga shumë akterë të brendshëm, por edhe ndërkombëtarë- ajo falë atyre që i qëndruan besnik po rikëmbet.

“Mendoj se pas masakrës që iu bë LDK-së në vitin 2021 ( një lloj holokausti për zhbërje politike) nga shumë akterë të brendshëm, por edhe ndërkombëtar, ajo falë atyre që i qëndruan besnik po rikëmbet, maskat e mashtrimeve dhe e profiterëve po bien, po merr përkrahje të gjerë të qytetarëve dhe do të delë fituese, sepse e meriton”, tha Mustafa.

Duke komentuar fushatën elektorale e cila po bëhet tashmë nga të gjitha partitë në vend, Isa Mustafa deklaroi se opozita po realizon një fushatë shumë të emancipuar derisa partitë e pushtetit po përdorin gjuhë ofenduese e denigruese në mungesë të rezultateve.

“Me mesazhe pozitive, oferta të qarta e respektim të qytetarëve, si LDK, PDK, AAK por edhe Lista për familjen, si subjekt i ri zgjedhor. Në të kundërtën VV në mungesë të rezultateve, po shërbehet me gjuhë ofenduese dhe denigruese. Kam përshtypjen se po e ofendon dhe dëmton më shumë vetveten sesa të tjerët. Ose se nuk ka besim të qeverisë dhe ka filluar ta ushtrojë opozitarizmin para se të përfundojnë zgjedhjet”, shtoi ai.

Mustafa i cili për 10 vite ishte në krye të LDK-së e njihej si bashkëpunëtor i afërt i ish-presidentit Ibrahim Rugova u deklarua edhe në lidhje me deklarimet e shumta që po bëhen ditëve të fundit nga pozita e opozita se kush në fakt është më “rugovian” se tjetri. Duke u thirrur në vlerat e personalitetit të Rugovës dhe politikës që ai bënte dikur së fundi janë parë e dëgjuar edhe nga VV e drejtuar nga Albin Kurti që dikur e kritikonte shumë ashpër atë e Lista Guxo, ku në krye të saj qëndron Donika Gërvalla-Schwarz e cila dihet se çfarë marrëdhënie pati me LDK-në vite më parë.

Sipas Mustafës, sa i përket Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe rugovizmit është paradoks që dikush jashtë LDK-së të thirret në Rugovën.

“Sa i përket LDK-së dhe rugovizmit unë e konsideroj paradoks dhe abuzim që dikush tjetër, jashtë LDK-së të thirret në Rugovën dhe frymën rugoviste. Rugova është themelues i LDK-së me orientim politik konservator, të qendrës së djathtë. LDK e ka ruajtur frymën rugoviane ashtu qysh fryma rugoviane si ide-mendim i përbashkët e ka ruajtur LDK-në”,deklaroi Mustafa.

Po ashtu ai tha se ata që kanë dalë jashtë Lidhjes Demokratike të Kosovës në parti të majta e kanë braktisur këtë frymë.

“Njerëzit që e ndërrojnë fenë-besimin, heqin dorë edhe nga predikuesi i saj…ndryshe më kujtohet një deklaratë e një fshatari tonë kur pyeste me habi në ekran “Si është e mundur bre, edhe Dragishë edhe shqiptar”, shtoi Mustafa.

Tani që partitë politike fokusin më të madh e kanë në fushatë elektorale dhe në atë se çfarë do t’i sjellë vendit rezultati i zgjedhjeve të 9 shkurtit, duhet përkujtuar që Isa Mustafa ishte udhëheqës i LDK-së nga viti 2010 deri në vitin 2021.

Mustafa pati dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të kësaj partie pas rezultati të zgjedhjeve më 14 shkurt.

“Unë do të isha i lehtësuar po ta dija se pse qytetarët e ndëshkuan me votë LDK-në në këto zgjedhje. E ndëshkuan, sepse nuk u nënshtrua ndaj propagandës së majtë, ndaj dhunës dhe presionit, ashtu siç nuk u nënshtrua nga Serbia në vitet e nëntëdhjeta. Apo, pse??? Se është ndëshkuar, pse e kemi prishur koalicionin me VV-në, unë nuk pendohem, sepse do ta prishja edhe sot. Ndërmjet SHBA-së dhe VV-së, LDK ka zgjedhur partneritetin me SHBA-të. Ndërmjet konfrontimit me administratën e Presidentit Tramp dhe me Lëvizjen Vetëvendosje, LDK ka zgjedhur të evitojë çdo konfrontim dhe acarim të marrëdhënieve me SHBA por është rreshtuar në ndërtimin e raporteve miqësore”, pati shkruar Mustafa asokohe.

E pikërisht administrimi i ShBA-ve tani u rikthye sërish nën drejtimin e Donald Trump.

Trump ishte kritikuar me të madhe nga Lëvizja Vetëvendosje dhe zv/kryeministrja e vendit nga Lista Guxo, Donika Gërvalla.

Gërvalla e cila shpesh herë thirret në emër të frymës rugoviane deklaratat sa i përket administratës Trump i kishte në shumë raste tejet të ashpra.

Nga zgjedhjet e 9 shkurtit dhe rezultateve të dala nga këto zgjedhje mbetet të shihet se kush do të drejtojë institucionet kyçe të vendit dhe se ndonjëra prej partive politike në Kosovë do të mund të mbledhë mjaftueshëm vota nga elektorati sa të mos ketë nevojë të lidh koalicion me ndonjë prej partive të tjera. Nëse jo, atëherë na mbetet të presim se kush me kë do të bashkohet për të drejtuar këtë vend për 4 vitet e ardhshme në pushtet./Lajmi.net/