Gjermania në krizë: Më pak investitorë, më shumë të papunë
Shumica e kompanive gjermane presin efekte negative në konkurrencën e tregut ndërkombëtar, sepse, siç njoftoi Trump, ai dëshiron të kontrollojë tregtinë dhe të vendosë tarifa për mallrat nga vendet e tjera. Kosto më të ulëta të energjisë. Më pak taksa. Më shumë stimuj financiarë për investime. Ligji i punës më fleksibël. Ngrirja e shpenzimeve sociale.…
Bota
Shumica e kompanive gjermane presin efekte negative në konkurrencën e tregut ndërkombëtar, sepse, siç njoftoi Trump, ai dëshiron të kontrollojë tregtinë dhe të vendosë tarifa për mallrat nga vendet e tjera.
Kosto më të ulëta të energjisë. Më pak taksa. Më shumë stimuj financiarë për investime. Ligji i punës më fleksibël. Ngrirja e shpenzimeve sociale. Dhe mbi të gjitha, më pak burokraci. Këto janë gjërat që ekonomia gjermane kërkon nga qeveria e ardhshme federale, transmeton lajmi.net.
“Ekonomia është në rënie. Shkalla e papunësisë po rritet. ” Gjermania po bëhet gjithnjë e më pak tërheqëse për investitorët”, është mënyra se si Rainer Dulger , president i Shoqatës së Punëdhënësve, e përshkroi situatën aktuale në kongresin e organizatës së tij. Ka gjithnjë e më pak fuqi punëtore të mirëarsimuar niveli i rregullimit dhe burokracisë është rritur në vitet e fundit, ashtu siç janë rritur edhe kostot e punës dhe përfitimet e tjera për kompanitë, kritikoi Dulger.
Republika Federale nuk është më konkurruese në krahasimin global, kjo është diagnoza e Dulger. Fuqia ekonomike e vendit mbështetet në një masë të madhe (më shumë se 25 përqind) në industri . Pas dy vitesh në recesion, Shoqata Federale e Industrisë Gjermane (BDI) pretendon se prodhimi në kompani është më i ulët sot se sa ishte pesë vjet më parë. Lajme të ngjashme negative vijnë nga sektorë të tjerë. Kudo në Gjermani po prodhohet gjithnjë e më pak, më pak po ndërtohet, më pak po blihet dhe më pak po konsumohet, shkruan DW.
Ekspertët ekonomikë që këshillojnë qeverinë federale në analizën aktuale vjetore deklarojnë se ata kanë vërejtur një rënie të vazhdueshme që shtrihet përgjatë dhe në të gjitha degët dhe sektorët. Veçanërisht shqetësuese: Gjermania eksporton gjithnjë e më pak. Për dekada, modeli gjerman mbështetej në një formulë të thjeshtë: lëndët e para dhe produktet gjysëm të gatshme bliheshin relativisht lirë jashtë vendit, pastaj me ndihmën e aftësive inxhinierike gjermane dhe energjisë së lirë, ato u “përpunuan” në një teknikë që mbante etiketën prestigjioze. “Prodhuar në Gjermani”.
Agresioni rus kundër Ukrainës, kriza energjetike, inflacioni dhe detyrimi i tranzicionit drejt një ekonomie neutrale ndaj klimës rezultuan në një rritje të çmimeve të energjisë. Ky ishte një problem veçanërisht për ato kompani që konsumojnë shumë energji. “Ndikohen veçanërisht sektorët më të rëndësishëm ekonomikë si inxhinieria mekanike dhe pajisjet elektrike, ndërsa për sa i përket industrisë kimike, pas një rënie të ndjeshme në vitin 2023, ajo është stabilizuar në nivele të ulëta”, shkruan organi këshillimor që mbledh ekspertë kryesorë të ekonomisë.
Ekonomia kërkon ulje të ndjeshme të çmimeve të energjisë elektrike për të qenë sërish konkurruese. Në krye të listës së dëshirave është kërkesa për të ulur kostot e burokracisë. Në këtë kontekst, instituti ifo i Mynihut flet për shumën prej 65 miliardë eurosh në vit – këto janë paratë që kompanitë gjermane duhet të shpenzojnë për të përmbushur detyrime të ndryshme ligjore, për shembull në lidhje me dokumentacionin e biznesit, pra plotësimin e parakushteve për miratimin e projekteve të reja.
Humori në kompani është i keq, dhe pasiguria në lidhje me zhvillimin ekonomik është e lartë. Në vend që të investojnë në vendin e tyre, kompanitë kërkojnë alternativa tërheqëse jashtë vendit.
Siç tregoi një sondazh i BDI-së, rreth një e treta e kompanive të anketuara konfirmuan se tashmë kishin zhvendosur departamentet e tyre të kërkimit dhe zhvillimit jashtë vendit. Kreu i BDI-së, Peter Leibinger, paralajmëron se ky migrim kërcënon Gjermaninë si destinacion për aktivitete ekonomike./Lajmi.net/