Protestat e studentëve në Serbi në sytë e serbëve nga Kosova
Distancim nga deklaratat apo qëndrimet e individëve në njërën anë; mbështetje për studentët apo autoritetet në Serbi në anën tjetër. Kjo është një përmbledhje e shkurtër e reagimeve nga Kosova për protestat e studentëve në Serbi. Për më shumë se dy muaj, ata janë duke i bllokuar fakultetet në këtë vend, në shenjë pakënaqësie me situatën…
Lajme
Distancim nga deklaratat apo qëndrimet e individëve në njërën anë; mbështetje për studentët apo autoritetet në Serbi në anën tjetër.
Kjo është një përmbledhje e shkurtër e reagimeve nga Kosova për protestat e studentëve në Serbi.
Për më shumë se dy muaj, ata janë duke i bllokuar fakultetet në këtë vend, në shenjë pakënaqësie me situatën socio-politike.
Aktualisht, të bllokuara janë mbi 60 fakultete, të cilat funksionojnë në kuadër të Universitetit të Beogradit, Novi Sadit, Nishit e Kragujevcit.
Brenda sistemit të Serbisë funksionon edhe Universiteti i Mitrovicës së Veriut – në veri të Kosovës, ku studentët thonë se “nuk ka kushte” për bllokimin e tij, por shtojnë se “nuk duam të jemi vëzhgues të heshtur”.
Kështu, më 27 janar, një grup prej dhjetëra studentësh mbajtën 15 minuta heshtje para Fakultetit Filozofik në Mitrovicë të Veriut, për të nderuar 15 njerëzit që humbën jetën nga shembja e një strehe në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad, më 1 nëntor të vitit të kaluar.
Ata mbanin pankarta, ku shkruhej: “Përkrahje për studentët dhe nxënësit nga Kosova e Metohia” dhe “Nëse keni arritur të blini një individ, paratë i keni shpenzuar për marrëzi”.
Pas aksionit, ata nuk deshën t’i drejtoheshin publikut, duke thënë se kishin një marrëveshje me kolegët e tyre nga Serbia, të cilët më 27 janar filluan bllokimin 24-orësh të Autokomandës – njërës prej qendrave kryesore të trafikut në Beograd.
Përndryshe, ky ishte tubimi i parë në mbështetje të protestave studentore anembanë Serbisë, të organizuara nga studentët e Universitetit të Mitrovicës së Veriut në veri të Kosovës.
Profesoresha në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Mitrovicës së Veriut, Senka Kostiq, tha se “e admiron guximin” e studentëve që vendosën të mos heshtin dhe të solidarizohen publikisht me kolegët e tyre nga Serbia.
Ajo është ndër nismëtarët e një peticioni online, në mbështetje të protestave të studentëve, i cili deri më tani është nënshkruar nga rreth 350 profesorë të Universitetit të Mitrovicës së Veriut.
Ky universitet u zhvendos nga Prishtina, pas luftës së vitit 1999, dhe punëson gjithsej rreth 800 mësimdhënës dhe ndihmës-mësimdhënës, ndërsa në dhjetë fakultetet e tij studiojnë rreth 9.000 studentë.
Mbështetja e qytetarëve
Tubimi, i cili u mbajt para Fakultetit Filozofik në Mitrovicë të Veriut, u mbështet nga disa dhjetëra qytetarë.
Një prej tyre ishte edhe Millentije Jakshiq, i cili tha se mbështet studentët dhe kërkesat e tyre “për një shtet ligjor” dhe për “një shoqëri më të mirë”.
“Unë mendoj se, gjatë dhjetë vjetëve të fundit, ne e kemi përjetuar më së miri se si është të jetosh nën Qeverinë aktuale në Serbi”, tha ai.
Një tubim i ngjashëm në mbështetje të protestave të studentëve në Serbi u mbajt në Mitrovicë të Veriut edhe më 24 janar, por me ftesë të banorit Sërgjan Gjorgjeviq.
Ai tha se në këto rrethana në Kosovë “nuk është e lehtë të shprehësh mendimin, qëndrimin apo solidaritetin”.
“Megjithatë, ne jemi sot këtu”, tha Gjorgjeviq.
“Mund të humbasësh punën për shkak të pikëpamjeve tua liberale”
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, profesoresha Kostiq tha se “është shumë e vërtetë që dikush mund të humbasë punën ose të vuajë disa pasoja, për shkak të veprimeve të tij apo për shkak të lirisë së mendimit”.
Ajo, personalisht, nuk u përball me pasoja të drejtpërdrejta për mbështetjen e protestës së studentëve, por tha se kishte “pak tensione” për zgjatjen e kontratës.
“Për momentin, mbetem në punë. Kur të qëndroni pas asaj që bëni në punë, kur nuk kanë se për çfarë t’ju kritikojnë, atëherë mund të jeni vetvetja dhe të keni integritet”, u shpreh Kostiq.
Protestat e studentëve në Serbi
Studentët në Serbi janë duke bllokuar mbi 60 fakultete për më shumë se dy muaj.
Ata kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për vdekjen e 15 personave nga shembja e strehës në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad.
Ata morën mbështetje edhe nga figura të shumta publike, aktorë, këngëtarë, sportistë, punonjës të medias, si dhe individë nga profesione të tjera, si avokatë, gjyqtarë, prokurorë, mjekë, edukatorë, e po ashtu edhe politikanë të opozitës në Serbi.
Autoritetet serbe thonë se në organizimin e bllokadave janë të përfshira edhe shërbimet e huaja inteligjente, ndërsa në mesin e studentëve ka edhe “mercenarë të huaj”.
Sipas tyre, këtë e dëshmon fakti se bllokadat e studentëve nuk ndalen, edhe pse kërkesat e tyre janë plotësuar – gjë që hidhet poshtë nga studentët.
Kërkesat e studentëve për ndalimin e bllokadave përfshijnë publikimin e dokumentacionit të plotë për rindërtimin e Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit, për të përcaktuar përgjegjësinë për aksidentin e 1 nëntorit, 2024.
Ata gjithashtu kërkojnë që sulmuesit e demonstruesve nëpër Serbi, gjatë protestave që pasuan aksidentin, të identifikohen dhe të përballen me përgjegjësi penale.
Kërkesat përfshijnë edhe lirimin e aktivistëve të arrestuar gjatë protestave, ndalimin e procedurave penale kundër tyre, si dhe rritjen e buxhetit për universitetet.
Zyra e Prokurorit të Lartë Publik në Novi Sad ka ngritur aktakuzë kundër 13 personave në lidhje me shembjen vdekjeprurëse të strehës në Stacionin Hekurudhor të qytetit.
Rektorati i Universitetit me seli në Mitrovicë të Veriut njoftoi në mes të dhjetorit të vitit të kaluar se mbështet të drejtën për opinion të lirë, por se distancohet nga pikëpamjet e individëve.
Sipas tij, komuniteti akademik nuk duhet të politizohet.
Ky njoftim erdhi pasi disa profesorë i përkrahën publikisht studentët në Serbi, duke thënë se me nënshkrimet e tyre, duan të kontribuojnë në luftën për një shoqëri më të drejtë dhe më të përgjegjshme.
Në deklaratën e Rektoratit thuhej se, “marrë parasysh mjedisin në të cilin funksionojnë institucionet tona, besojmë se çdo paraqitje e paqëndrueshmërisë mund të ketë pasoja të paparashikueshme për studentët dhe punonjësit”.
“Ne mbështesim presidentin Aleksandar Vuçiq, autoritetet shtetërore dhe institucionet e Republikës së Serbisë në ruajtjen e lirisë akademike, sigurimin e të drejtave të studentëve dhe mësimdhënësve, si dhe kushteve për punë dhe funksionim normal të institucioneve të arsimit të lartë në Republikën e Serbisë”, u tha në atë reagim.
Për profesoreshën Kostiq, Rektorati në Mitrovicë të Veriut është dashur të jetë më shumë përkrahës për qytetarët dhe studentët, e më pak për autoritetet.
“Mendoj se ata, thjesht, e gjetën një mënyrë për të mos qëndruar me studentët. Në mënyrë qyqare, ata fshihen pas zhvillimeve aktuale politike në Kosovë. Unë besoj se janë nën presion të madh për të dalë dhe për të mbështetur politikat e Aleksandar Vuçiqit, por kjo ka qenë një situatë, në të cilën nuk është dashur ta përkulin shtyllën kurrizore”, tha Kostiq.
Radio Evropa e Lirë kontaktoi Rektoratin e Universitetit të Mitrovicës së Veriut për ta pyetur nëse i mbështet studentët që u solidarizuan me kolegët e tyre në Serbi më 27 janar dhe nëse ata që shprehin lirshëm pikëpamjet e tyre, mund të vuajnë ndonjë pasojë, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.
Studentët e ndarë
Më 24 janar, Parlamenti Studentor i Universitetit të Mitrovicës së Veriut u bëri thirrje studentëve në Serbi që të distancohen nga mbështetja prej kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
“Ai që ju ka mbështetur, po na vret dhe po na dëbon”, u tha, ndër të tjera, në deklaratë.
Sipas saj, studentët në Kosovë kanë nevojë që “Serbia të jetë e fortë dhe e qëndrueshme politikisht dhe ekonomikisht – një vend me institucione të forta me sundim të ligjit, që ka mirëkuptim dhe miq si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim”.
Megjithatë, disa studentë të Fakultetit Filozofik në Mitrovicë të Veriut u distancuan nga kjo deklaratë, duke thënë se Parlamenti studentor nuk është mbledhur në ndonjë seancë dhe se deklarata e publikuar është “e turpshme dhe keqdashëse”.
Njëri prej tyre ishte Jovan Zafiroviq, i cili është i njohur për publikun edhe për aforizmat e tij.
“Në fillim të deklaratës thuhet ‘Ne studentët’, cilët studentë? A është ky qëndrim i shumicës së studentëve? Ata kanë lëshuar një deklaratë pa i pyetur studentët. Parlamenti studentor që nënshkroi deklaratën, me të vërtetë nuk ka të drejtë të flasë në emër të të gjithë studentëve”, u tha Zafiroviq gazetarëve të premten.
Ai tha se ka folur me shumë kolegë të tij, të cilët nuk e mbështetën deklaratën e Parlamentit studentor, por se shumica kishin “frikë” ta thoshin publikisht.
Radio Evropa e Lirë kontaktoi Parlamentin studentor për t’i kërkuar komente për akuzat e kolegëve se deklarata nuk pasqyron qëndrimin e shumicës së studentëve, por nuk mori përgjigje.
Përndryshe, anëtar i Parlamentit studentor për disa vite ishte edhe Nemanja Bishevac, aktivist i Listës Serbe – partisë më të madhe serbe në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit. Aktualisht, ai është këshilltar i rektorit të Universitetit të Mitrovicës së Veriut.
Njëkohësisht, ai është edhe në listën e kandidatëve për deputetë nga Lista Serbe, që do të garojnë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë.
Lidhjet mes Universitetit dhe Listës Serbe
Sipas të dhënave që mund të shihen në ueb-faqen e Universitetit të Mitrovicës së Veriut, së paku pesë anëtarë të Listës Serbe, përfshirë edhe kryetarin e kësaj partie, Zllatan Ellek, janë anëtarë të Këshillit të Universitetit që përfaqësojnë Republikën e Serbisë.
Një nga anëtarët e këtij këshilli është edhe Goran Rakiq, ish-kryetar i Listës Serbe dhe deputet aktual në Kuvendin e Serbisë, ku përfaqëson Partinë Përparimtare Serbe në pushtet.
Këshilli i Universitetit është organ drejtues dhe përbëhet nga 19 anëtarë, dhjetë prej të cilëve janë përfaqësues të fakultetit, gjashtë përfaqësues të themeluesve – përkatësisht Qeverisë së Serbisë – dhe tre përfaqësues të studentëve.
Edhe disa profesorë apo dekanë të fakulteteve në Universitetin e Mitrovicës së Veriut janë në listën e kandidatëve për deputetë të Listës Serbe, për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Një prej tyre është profesoresha dhe dekania e Fakultetit Ekonomik, Tanja Vujoviq. REL