Reagimet e shumta për zgjedhjen e Besnik Berishës, KPM jep sqarime

Zgjedhja e Besnik Berishës kryetar të Komisionet të Pavarur të Mediave (KPM) ka nxitur reagime të shumta në vend. E përkitazi me ketë proces, KPM ka bërë një sqarim, ku thuhet se Rregullorja e Punës e KPM-së nuk ka qenë asnjëherë në diskutim publik, dhe se e njëjta është një interpretim i qartë ligjor se…

Lajme

23/01/2025 16:35

Zgjedhja e Besnik Berishës kryetar të Komisionet të Pavarur të Mediave (KPM) ka nxitur reagime të shumta në vend.

E përkitazi me ketë proces, KPM ka bërë një sqarim, ku thuhet se Rregullorja e Punës e KPM-së nuk ka qenë asnjëherë në diskutim publik, dhe se e njëjta është një interpretim i qartë ligjor se katet e brendshme institucionale që rregullojnë procedurat e brendshme të punës së institucionit dhe që nuk rregullojnë ose përcaktojnë në çfarëdo forme marrëdhëniet me palët e jashtme (pra në këtë rast mediat e licencuara dhe publikun) nuk vendosen në diskutim publik.

“Rregullorja e Punës e KPM-së nuk ka qenë asnjëherë në diskutim publik. Është interpretim i qartë ligjor që aktet e brendshme institucionale që rregullojnë procedurat e brendshme të punës së institucionit dhe që nuk rregullojnë ose përcaktojnë në çfarëdo forme marrëdhëniet me palët e jashtme (pra në këtë rast mediat e licencuara dhe publikun) nuk vendosen në diskutim publik”, thuhet në reagimin e KPM-së.

Për më tej thuhet po ashtu se: “Pra janë të vetmit anëtarët e KPM-së që kanë të drejtën dhe mund të ndryshojnë Rregulloren e Punës në çdo kohë. Gjithashtu edhe zgjedhja e Kryetarit bëhet ekskluzivisht nga anëtarët e Komisionit si e drejtë dhe obligim ligjor i tyre”.

Në një sqarim të gjatë të KPM-së thuhet po ashtu se “Është obligim i anëtarëve të Komisionit që brenda kapaciteteve të tyre, të bëjnë gjithë çfarë është e mundur që KPM të funksionojë në mënyrë sa më efikase dhe efektive, e që ndër të tjera nënkupton edhe evitimin e krijimit të vakumit institucional, pra në rastin konkret mungesën e Kryetarit dhe Nënkryetarit. Përveç tjerash, zgjedhja e Kryetarit mundëson që me ardhjen e vetëm një anëtari të ri të KPM-së të krijohet kuorumi i duhur për mbajtjen e mbledhjeve të rregullta. Në të kundërtën, duhet pritur ardhjen e dy anëtarëve të rinj, e që nga praktika e zgjedhjes së tyre mund të ketë raste me diferencë kohore disa mujore ose dhe vjetore.

Në ditën kur ishte zgjedhur kryetari i ri i KPM-së, kishte reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK.

Në reagim thuhet se po përcjellin me shqetësim mbledhjen e sotme të Komisionit të Pavarur të Medieve, në të cilën është votuar një kryetar i ri, disa ditë para skadimit të mandatit të kryetarit aktual, Jeton Mehmeti.

“Zgjedhja e Besnik Berishës për kryetar të KPM-së ngre pikëpyetje ligjore për mënyrën e ndryshimit të Rregullores së KPM-së, e cila parasheh që kryetari i ri zgjidhet në mbledhjen e parë pasi t’i ketë skaduar mandati ose të jetë shkarkuar kryetari aktual. AGK-ja e sheh votimin e sotëm si përpjekje të hapur për politizimin dhe instrumentalizimin e KPM-së për interesa të partisë në pushtet, duke u bazuar në qëndrimet publike të iniciatorëve për ndryshimet e sotme. Komisioni i Pavarur i Medieve, si organ kushtetues, luan rol të rëndësishëm në rregullimin e skenës mediale në Kosovë dhe, si i tillë, duhet ta ruajë pavarësinë e plotë dhe të mos lejojë ndërhyrjet politike”, thuhej në reagim.

Edhe aktivistja e shoqërisë civile, Flutura Kusari pati alarmuar atë ditë, ku kishte thënë se propozimi për ndryshim-plotësimin e rregullores së punës së KPM-së paraqet përpjekje për “kapjen” e KPM-së.

“Kapja politike e KPM-së u kompletua. Siç ju paralajmërova: Rregullorja e re u ndryshua kundërligjshëm; Jeton Mehmeti u shkarkua De Facto nga pozita e kryetarit të KPM-së; KPM tash ka kryetar jolegjitim. Ky është sulm politik ndaj pavarësisë së Komisionit të Pavarur për Media dhe është bërë për të ushtruar presion në televizione. Ne punën tonë e kryejmë, e dokumentuam kapjen politike nga pushteti të KPM-së”, thuhej në reagimin e saj.

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) është organ kompetent për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Kosovë. Ai është themeluar në vitin 2005 dhe ka për përgjegjësi të mbajë një sistem të drejtë dhe të hapur për licencimin dhe rregullimin e shërbimeve mediale audiovizuele dhe menaxhimin e spektrit të frekuencave të transmetimit në pajtim me standardet më të mira ndërkombëtare.