Rizvanolli në Davos: Kosova synon energji të pastër dhe të qëndrueshme

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, po merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ku Kosova përfaqësohet me hapësirën e saj dhe një vizion për zhvillimin ekonomik dhe energjinë e qëndrueshme. Në fjalën e saj, ministrja Rizvanolli theksoi arritjet gjatë mandatit aktual dhe planet ambicioze për transformimin e sektorit energjetik në Kosovë. “Gjatë mandatit tonë…

Lajme

21/01/2025 19:09

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, po merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ku Kosova përfaqësohet me hapësirën e saj dhe një vizion për zhvillimin ekonomik dhe energjinë e qëndrueshme.

Në fjalën e saj, ministrja Rizvanolli theksoi arritjet gjatë mandatit aktual dhe planet ambicioze për transformimin e sektorit energjetik në Kosovë.

“Gjatë mandatit tonë kemi dyfishuar eksportet dhe investimet e tyre. Kemi gjeneruar 33 për qind më shumë të ardhura tatimore, pa rritur tatimet, por duke harmonizuar administratën dhe duke digjitalizuar mbi 100 shërbime administrative,” tha Rizvanolli.

Ajo foli edhe për sfidat në sektorin e energjisë, duke theksuar varësinë aktuale nga linjiti dhe nevojën për të kaluar drejt burimeve të ripërtërishme të energjisë.

“Tema e këtij paneli, shfrytëzimi i energjisë së pastër për një të ardhme të qëndrueshme, është një prej fushave ku Kosova ka vizion dhe demonstron ambicie të madhe. Aktualisht, mbi 90 për qind e energjisë elektrike përdoret nga linjiti. Këto resurse, që kanë shtyrë përpara rritjen ekonomike, nuk përputhen më me aspiratat tona për një ambient më të shëndetshëm dhe një planet më të pastër,” deklaroi ajo.

Ministrja Rizvanolli njoftoi për objektivat konkrete të Kosovës në këtë drejtim.

“Synojmë të ulim emetimin e gazrave serë për 30 për qind dhe të rrisim energjinë e ripërtërishme për 25 për qind. Planifikojmë të ndërtojmë 1300 megavatë kapacitete të reja për energji të ripërtërishme, duke përfshirë energjinë diellore,” tha ajo.

Ajo shtoi se tranzicioni energjetik i Kosovës do të vendosë qytetarët në qendër të procesit.

“Kjo nënkupton ruajtjen e përballueshmërisë, mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm dhe ofrimin e qasjes në investime dhe efikasitet energjetik për të gjithë. Asnjë qytetar nuk do të mbetet prapa në këtë proces,” theksoi Rizvanolli.

Ajo tha se Kosova po bëhet pjesë e rëndësishme e tranzicionit energjetik në rajon duke shfrytëzuar resurset e saj të bollshme natyrore dhe duke tërhequr investime të huaja për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

“Resurset e bollshme të Kosovës me erë dhe diell janë një potencial i madh për shfrytëzim. Mbi 100 megavat kapacitete të reja, që udhëhiqen nga një konsorcium zviceran, janë shembull i përkushtimit tonë për qeverisje të mirë dhe transparencë. Kjo tërheq investime të huaja, duke kontribuar në rritjen e ekonomisë dhe hapjen e vendeve të reja të punës,” tha Rizvanolli.

Ajo theksoi rëndësinë e edukimit dhe zhvillimit të shkathtësive për të plotësuar nevojat e tregut dhe për të përgatitur vendin për rolin e tij në revolucionin energjetik.

“Edukimi dhe zhvillimi i shkathtësive janë një pjesë përbërëse e tranzicionit tonë. Përgatitja e terrenit për investime të mëdha si depozitimi i baterive dhe një nga termocentralet më të mëdhenj me qymyr në Evropë tregon që Kosova është e gatshme të jetë në ballë të zhvillimit teknologjik në sektorin e energjisë,” tha ajo.

Ministrja përmendi gjithashtu eksplorimin e zgjidhjeve inovative për kapitalizimin e resurseve natyrore të vendit, siç është hidrogjeni i bardh.

“Duke aplikuar teknologji të reja për të shfrytëzuar këto resurse, Kosova mund të ketë një rol kritik në revolucionin energjetik. Jemi të përkushtuar të eksplorojmë mundësi të reja që na sjellin më afër një të ardhmeje të qëndrueshme energjetike,” përfundoi Rizvanolli.

Kjo është hera e parë që Kosova përfaqësohet me “Shtëpinë e Kosovës” në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.