Kosovë, pritshmëritë e qytetarëve nga administrata e re amerikane
Ceremonia e rikthimit të Donald Trump në presidencën amerikane të hënën ndiqet me vëmendje të posaçme edhe në Kosovë, ku roli i Shteteve të Bashkuara vlerësohet i pazëvendësueshëm në procesin e çlirimit dhe shtetndërtimit. Qytetarët në Prishtinë me të cilët bisedoi Zëri i Amerikës thanë se pavarësisht ndërrimit të pushtetit lidhja ndërmjet dy popujve mbetet…
Lajme
Ceremonia e rikthimit të Donald Trump në presidencën amerikane të hënën ndiqet me vëmendje të posaçme edhe në Kosovë, ku roli i Shteteve të Bashkuara vlerësohet i pazëvendësueshëm në procesin e çlirimit dhe shtetndërtimit.
Qytetarët në Prishtinë me të cilët bisedoi Zëri i Amerikës thanë se pavarësisht ndërrimit të pushtetit lidhja ndërmjet dy popujve mbetet e palëkundur ndërsa shfaqën shpresën se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Kosovën në proceset e ardhshme politike dhe ato të integrimeve euroatlantike.
“I uroj suksese dhe shpresoj meqë ne kemi qenë gjithmonë mirë me Amerikën, na ka ndihmuar shumë, na ka përkrahur edhe në kohën e luftës por edhe pastaj. Uroj që mos të lëkundet ajo marrëdhënie që kemi bashkë si shtete. Shpresoj edhe që në problemet që i kemi me Serbinë do të na mbështes edhe më shumë sepse kemi ende nevojë për përkrahjen e saj në këtë cështje, kemi nevojë për intervenim që të pajtohen dy shtete sepse nuk kemi si të ia bëjmë ndryshe”, thotë Besarta Latifi.
“Amerika ne shqiptarët na do. Amerika e ka qëllimin që ne t’i marrim të drejtat që i ka çdo popull në Evropë. Planet e zhvillimit në Amerikë nuk i bëjnë sot për nesër por për 100 e besa edhe më shumë vite dhe atë drejtim pa marrë parasysh se cili president vjen në pushtet nuk guxon ta lëshojë”, thotë Gani Krasniqi.
“Unë mendoj se presidenti Trump atë çfarë e thotë e zbaton, i mirëmbahet atyre rregullave dhe është shumë i vendosur. Prandaj besoj që për Kosovën nuk do ndryshojë asgjë vetëm çka do të bëhet ndoshta edhe më mirë”, thotë Selvete Krasniqi.
Ndonëse roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës vlerësohet thelbësor në çlirimin e vendit, Kosova po kalon një periudhë të asaj që duket si një zbehje në marrëdhënien e qeverisë së Kosovës me Shtetet e Bashkuara.
E ndodhur para zgjedhjeve të reja parlamentare që pritet të mbahen me 9 shkurt, Kosova thonë vëzhguesit, duhet të punojë në ruajtjen dhe forcimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara./Zeri i Amerikes