Qytetarët vizitojnë Reçakun në 26-vjetorin e masakrës

Numër i madh i qytetarëve po bëjnë homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak. Në 26-vjetorin e masakrës në këtë fshat të Shtimes, po vendosen lule pranë varreve të 45 civilë të pafajshëm shqiptarë. Gra, fëmijë e të moshuar u vranë nga forcat policore dhe ushtarake serbe në atë që njihet si masakra që zgjoi botën…

Lajme

15/01/2025 09:45

Numër i madh i qytetarëve po bëjnë homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak. Në 26-vjetorin e masakrës në këtë fshat të Shtimes, po vendosen lule pranë varreve të 45 civilë të pafajshëm shqiptarë.

Gra, fëmijë e të moshuar u vranë nga forcat policore dhe ushtarake serbe në atë që njihet si masakra që zgjoi botën 26 vjet më parë.

I pari që i tha botës që në këtë fshat të Shtimes po kryhet krim kundër njerëzimit, ishte shefi i atëhershëm i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker.

Të gjitha të dokumentuara, por Serbia ende e mohon masakrën e 15 janarit 1999 e cila shënoi kthesën e madhe në historinë e Kosovës.

Ngjarja e rëndë në Reçak nxiti reagimin e ndërkombëtarëve ku NATO vendosi të sulmoi caqet ushtarake policore serbe – bombardime këto të zgjatën 78 ditë. Fundi i tyre u shënua më 10 qershor 1999 kur edhe u miratua Rezoluta 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Pas kësaj, mbi 800.000 shqiptarë të Kosovës – të dëbuar dhunshëm, filluan të ktheheshin në shtëpitë e tyre.