Rritja prej 20% e pensioneve për kategoritë e luftës, Qeriqi: Vendim elektoral që e morëm vesh nga mediat, s’plotëson as nevojat minimale
Qeveria e Kosovës pak ditë më parë miratoi vendimin për rritjen e pagesave për kategoritë e luftës për 20 për qind mbi bazën e pagesës aktuale. Kjo rritje prej 20 për qind u kritikua thuajse nga të gjithë, pasi është e ulët dhe erdhi në kohë fushate, pikërisht tani kur po kërkohet besimi i qytetarëve…
Lajme
Qeveria e Kosovës pak ditë më parë miratoi vendimin për rritjen e pagesave për kategoritë e luftës për 20 për qind mbi bazën e pagesës aktuale.
Kjo rritje prej 20 për qind u kritikua thuajse nga të gjithë, pasi është e ulët dhe erdhi në kohë fushate, pikërisht tani kur po kërkohet besimi i qytetarëve për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Në lidhje me këtë lajmi.net ka kontaktuar, Xhevdet Qeriqin nga shoqata e invalidëve të luftës në Kosovë meqë rast tha se ky vendim është bërë për qëllime elektorale duke ditur që jemi në kohë të fushatës zgjedhore.
Qeriqi shtoi tutje se Qeveria Kurti nuk ka përmbushur as kërkesat minimale të tyre, duke thënë se rritja prej 20% e pensioneve nuk është e mjaftueshme për këtë kategori.
“Kemi pasur një takim së bashku me disa kolegë me kryeministrin dhe kemi kërkuar një trajtim më të dinjitoz për këto kategori dhe një ngritje më të madhe të pensioneve, sepse trajtohemi si raste sociale. Fatkeqësisht është bërë një ngritje prej 20% e cila as prej së afërmi nuk i mbulon nevojat e kategorive të luftës. Poashtu kemi pasur edhe kërkesa të tjera për të cilat na u është premtuar se do të ndërmarrin hapa në këtë drejtim për këto kategori. Përveç këtij vendimi nuk ka pasur as edhe një lëvizje në kërkesat e tjera që kemi paraqitur para kryeministrit. Kemi pritur një rritje më të madhe, ka kaluar një kohë e gjatë që si kategori nuk kemi pasur asnjë ngritje, por kryeministri ka ardhur deri te ky vendim. Ne nuk ishim të njoftuar, vetëm e kemi parë përmes mediave. Nuk kemi qenë të njoftuar se për sa do të rriten pensionet për këto kategori”, tha fillimisht ai.
Qeriqi shtoi se mirëqenia sociale e kategorive të luftës vazhdon të jetë e cenueshme, ku sipas tij me raste kanë probleme edhe për trajtim dhe rehabilitim të tyre pas pasojave të luftës.
“Normalisht, tash jemi në kohë fushate, ky është vendim elektoral. Po shihet hapur se është marr në fund të mandatit, në prag të fushatës, jo vetëm për ne por edhe për kategori të tjera. Kam adresuar të gjitha shqetësimet dhe problemet me të cilat përballen këto kategori të luftës. Nuk kemi pasur asnjë mbështetje tjetër deri tani përveç këtij vendimi të fundit. Në fakt invalidët e luftës kanë probleme të ndryshme, kanë probleme me proteza, ballafaqohemi edhe me probleme me rehabilitim për banja të ndryshme, probleme të strehimit dhe shumë probleme të tjera”, përfundoi Qeriqi për lajmi.net.
Skema e pensioneve për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës sipas kategorive përfshin 12.681 përfitues, sipas Agjencisë Kosovare të Statistikave (ASK).
Kjo është rritja e parë në 10 vjetët e fundit për këto kategori, prej kur ishin bërë këto skema më 2014.
Në mbledhjen e kaluar të kabinetit, Qeveria e Kosovës e ka miratuar rritjen e pensioneve për të gjitha kategoritë e dala nga lufta e fundit në Kosovë, për 20 për qind.
Kabineti i kryeministrit Kurti e miratoi përditësimi e një aneksi në Ligjin për kategoritë e luftës gjatë një takimi të premten, për ta mundësuar rritjen e premtuar tetorin e kaluar.
“Siç patëm njoftuar në tetor, sot, edhe zyrtarisht, do të aprovohet rritja për 20 për qind mbi shumën aktuale për familjet e dëshmorëve, invalidët, veteranët, pjesëtarë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimat e dhunës seksuale dhe viktimat civile”, tha Kurti.
Kurse ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se rritja për të gjitha kategoritë e veteranëve, invalidëve dhe viktimave të dhunës seksuale do të jetë 20 për qind mbi shumën e tanishme pensionale.
Për disa kategori ka rritje edhe përtej shkallës prej 20 për qind, tha ministri. Kategoritë që përfitojnë rritje mbi 20 për qind, janë familjet e dëshmorëve të UÇK-së që kanë dy dëshmorë ose më tepër, familjet e të zhdukurve të UÇK-së që kanë mbi dy të zhdukur dhe familjet e viktimave civile, tha ai.
Me rritjen e re, Murati tha se familja që ka një dëshmor lufte do t’i marrë 537 euro në muaj, familja që ka dy dëshmorë lufte do t’i përfitojë 806 euro, familja që ka tre dëshmorë do të marrë pension mujor prej 1.075 eurosh, ndërsa jo që ka katër dëshmorë lufte 1.344 euro
Rritja do të vlejë nga ky muaj, theksoi ministri Murati në një konferencë për media. Pakënaqësi në lidhje me këtë vendim pati edhe nga OVL.
U.d së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku deklaroi se se vendimi prej 20 % është 34 euro.
E si pas tij, në vend se veteranët t’i merrnin 350 euro, do t’i marrin 204.
“Meqenëse ky pushtet i ka hequr veteranët e luftës së UÇK-së nga paga minimale në Kosovë (350€), nga 170€ sa i kanë marrë do të thotë se me këtë ka pasur zbritje prej 180€. E tash, vendimi prej 20% rritje në kohë fushate është 34€.Pra, në vend se veteranët t’i merrnin 350€, tash do t’i marrin 204€.Nëse votuesi mashtrohet përsëri kjo është çështje e tij, por kaluan katër vite dhe çështja e “verifikimit” të veteranëve nga kjo Qeveri ka qenë vetëm farsë e që i është dashur dhe i duhet vetëm për opinionin publik, çështje e cila është e një procesi gjyqësor i cili nuk ka përfunduar ende.Më e pakta që duhet të bëjnë veteranët e luftës së UÇK-së dhe familjet e tyre, është që mos t’i besojnë më mashtrimit”,deklaroi ai./Lajmi.net/