Plaçkitja në argjendarinë në Prizren, reagon ESNAF

Shoqata e biznesmenëve dhe zejtarëve, ESNAF, ka reaguar pas plaçkitjes që ka ndodhur sot në një argjendari në Prizren, ku persona të panjohur kanë vjedhura ari, në vlerë rreth 170 mijë euro.Në reagimin e tyre, thuhet që shpresojnë që sa më shpejtë të kapen personat që kanë kryer plaçkitjen. “Shprehim shqetësimin ndaj aktit të turpshëm…

Lajme

14/01/2025 15:18

Shoqata e biznesmenëve dhe zejtarëve, ESNAF, ka reaguar pas plaçkitjes që ka ndodhur sot në një argjendari në Prizren, ku persona të panjohur kanë vjedhura ari, në vlerë rreth 170 mijë euro.Në reagimin e tyre, thuhet që shpresojnë që sa më shpejtë të kapen personat që kanë kryer plaçkitjen.

“Shprehim shqetësimin ndaj aktit të turpshëm të plaçkitjes që ka ndodhur tek afaristi i qytetit të Prizrenit, argjendaria Gold 2000, e cila veprimtarinë e saj ushtron në rrugën Adem Jashari, në Prizren. Shpresojmë se organet e sigurimit në një afat të shkurtër kohor do të zbulojnë dhe të kapin kryerësit e këtij akti të shëmtuar dhe të sjellin para drejtësisë”, thuhet në reagim.

Tutje, në reagim ata kanë pohuar se duhet shtuar policia në këtë pjesë të kryeqytetit, ku ushtrohet veprimtaria delikate.

“Shoqata ESNAF edhe më herët ka paraqitur kërkesë për shtimin e sigurisë në rrugën Adem Jashari duke aktivizuar policët e komunitetit dhe shtuar sigurinë në këtë pjesë të qytetit ku ushtrohet një veprimtari delikate siç është argjendaria. Shpresojmë se rastet në fjalë, edhe një herë, janë mësim dhe nuk do të përsëriten më dhe organet e sigurisë më me seriozitet do të përkushtohen sigurisë në rrugën Adem Jashari”, vijon reagimi.

Ndryshe, persona të panjohur deri më tani dyshohet se gjatë ditës së hënë kanë kryer vjedhje në një argjendari në rrugën “Adem Jashari” në Prizren, me ç’rast janë vjedhur stoli ari e argjendi me vlerë të konsiderueshme.

Zyrtari për informim në Policinë rajonale të Prizrenit, Vesel Gashi ka bërë të ditur se rasti i vjedhjes së rëndë është duke u hetuar nga Policia në bashkëpunim me Prokurorinë e shtetit.

“Dyshohet se nga personat e panjohur deri më tani është arritur që të vidhen gjësende me vlerë përfshirë ari dhe argjend, ku sipas palës së dëmtuar vlerësohet se bëhet fjalë për një vlerë të konsiderueshme. Policia së bashku me Prokurorinë e shtetit kanë filluar hetimet dhe rasti po trajtohet si vjedhje e rëndë”, ka thënë Gashi.

Sipas raportimeve të deritanishme dyshohet se me këtë rast janë vjedhur rreth katër kilogramë ari e argjend në vlerë rreth 170 mijë euro.