Kurti në ditën e dytë të fushatës: Dy zemra t’i kisha pas, të dyja t’i kisha falë ty Mitrovicë

Kandidati për kryeministër dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti, fushatën sonte në Mitrovicë e ka nisur dhe mbaruar me fjalët ‘Dy zemra t’i kisha pas, të dyja t’i kisha falë ty Mitrovicë’. Duke folur për arritjet e qeverisë, ai ka përmendur rrugë të asfaltuara në veri, regjistrimin e më shumë se 300 bizneseve, hapjen e…

Lajme

12/01/2025 23:34

Kandidati për kryeministër dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti, fushatën sonte në Mitrovicë e ka nisur dhe mbaruar me fjalët ‘Dy zemra t’i kisha pas, të dyja t’i kisha falë ty Mitrovicë’.

Duke folur për arritjet e qeverisë, ai ka përmendur rrugë të asfaltuara në veri, regjistrimin e më shumë se 300 bizneseve, hapjen e vendeve të punës, mbështetjen e Trepçës, ndërsa është zotuar se pas fitores në zgjedhjet e 9 shkurtit do të ketë zhvillim ekonomik, program multidimensional me mbështetje mbi një miliard euro, infrastrukturë sportive dhe investime në hekurudhën Prishtinë-Durrës, e shumë fusha tjera.

Ai tha se për dallim nga partitë opozitare, qeveria e tij aleancën me perëndimin e ka shfrytëzuar për ta forcuar ushtrinë dhe për ta mbrojtur kufirin e Kosovës.

Lideri I VV-së ka theksoi se në veri nuk do të ketë kurrë më sundim të bandave kriminale, qarkullim të targave ilegale e prodhim të kriptovalutave.

Ai ka përsëritur se zgjidhja e duhur dhe fitorja cep më cep janë 500 mijë vota për numrin 118 në ditën e zgjedhjeve.

“Dy zemra t’i kisha pas, të dyja t’i kisha falë Mitrovicë…Nuk ka më e nuk do të ketë kurrë më sundim të bandave kriminale, qarkullim të targave ilegale, ngritje të barrikadave, prodhim të kriptovalutave… Gjatë këtyre më pak se katër vite, 65 kilometra rrugë të asfaltuara janë shtruar në veri edhe 100 kilometra tjerë janë në proces. Në veri të Ibrit janë regjistruar vetëm në vitin që lamë pas 300 biznese të reja dhe qindra qytetarë janë punësuar… Për këta katër vjet të qeverisë sonë e tuajën, ne kemi shtuar gati më shumë vende pune sesa të tjerët për tetë vjet. Për çdo vit të qeverisjes tonë ia kemi shtuar ekonomisë nga një miliard euro, ndërsa atyre para neve iu nevojiteshin tri vjet për një miliard… 500 mijë zemra te numri 118 janë zgjidhja e vërtetë, janë fitorja cep më cep… Për këta tri vjet kemi mbështetur Trepçën tonë e tuaj të dashur me mbi 30 milionë euro. Qëllimi ynë është që Trepça të përfshihet në Fondin Sovran të Republikës së Kosovës… Pas fitores tonë të mbi gjysmë milioni zemrave do të kemi mbështetje deri në 1 miliard euro për investime të mesme e të mëdha në ndërmarrje prodhuese, do të kemi program multidimensional për turizmin, investime deri në 500 milionë euro në kompleksin turistik në Brezovicë në partneritet me investitorët privatë, do ta kompletojmë infrastrukturën sportive mbi 200 milionë euro për 20 stadiume në 18 komuna, në partneritet me investitorët privat…Do të bëjmë investime gjithnjë e më të mëdha të fabrikës së municionit, por edhe për ndërmarrje tjera nga fusha e ekonomisë ushtarake…”, tha Kurti.