Anëtarët e PDK-së në KQZ: Ka tendenca të manipulohet votimi në diasporë
Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), kanë ngritur shqetësime se ka tendenca të hapura për t’u manipuluar procesi i votimit me postë. Iliri Gashi, anëtari i KQZ-së nga PDK, gjatë mbledhjes së KQZ-së, ka lëshuar një video ku dëgjohet një adresë ku ftohej mërgata ta vizitonin…
Lajme
Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), kanë ngritur shqetësime se ka tendenca të hapura për t’u manipuluar procesi i votimit me postë.
Iliri Gashi, anëtari i KQZ-së nga PDK, gjatë mbledhjes së KQZ-së, ka lëshuar një video ku dëgjohet një adresë ku ftohej mërgata ta vizitonin me qëllim për t’u ndihmuar qytetarëve të votojnë. Sipas Gashit, një veprim i tillë është vepër penale, andaj ftoi Prokurorinë e Shtetit për hetimin e rastit.
“Ka tendencë të hapur publike për t’u pamundësuar ose manipuluar procesi në disa raste të fillimit të procesit të diasporës. Gjatë ditës së djeshme personalisht kam pranuar përmes rrjeteve sociale nga persona të ndryshme video të publikuara nga qytetarët e Kosovës jashtë vendit, të cilët i ftojnë votuesit për t’u regjistruar përmes postës që të shkojnë në një adresë të caktuar gjoja t’iu ndihmojnë për të votuar përmes postës. Këto thirrje janë tendenca të hapura, përpjekje për të kontaminuar procesin e votimit në diasporë përmes postës. Së pari, nuk lejohet improvizim i vendvotimeve nëpër kafene, zyra të partive politike, apo zyra të OJQ-ve. Qytetarët që janë të regjistruar për të votuar me postë shkojnë në këto adresa të caktuara kinse që të ndihmohen për të votuar, vota është e shenjtë e personale… I bëj thirrje prokurorisë së shtetit të merret me të gjitha rastet pavarësisht se kush janë ata, apo kush janë, sepse nuk do të duhej që ky proces qysh në ditën e parë të kontaminohet dhe të vihet në pikëpyetje vullneti i qytetarëve”, tha ai.
Edhe anëtari tjetër nga radhët e PDK-së, Arianit Elshani bëri thirrje që veprimet e tilla të ndalen.
“E keqja e të keqes është pikërisht kjo që së pari nuk ka logo aty të subjektit politik. Pra, mund të jetë person i ndonjë subjekti politik, por që nuk ka logo të subjektit politik që të tregojë se votuesit e të cilit subjekt politik po thirren. Ekziston rreziku real që qytetarët, të cilët kanë dëshirë të votojnë, të cilët janë regjistruar, ta konsiderojnë atë si një hapësirë të KQZ-së, e këtu publikisht e them se ajo nuk është hapësirë e KQZ dhe as hyrje e KQZ-së, është thirrje nga personat e autorizuar nga partitë politike”, tha ai.
Ibrahim Selmanaj, anëtari i KQZ-së nga radhët e AAK-së, tha se kjo çështje është shqetësuese pasi që me këtë po kontaminohet vota për një proces të rëndësishëm zgjedhor.
“Thjesht është votë e kontaminuar, por dallimi ekziston te fushata, te kampanja dhe te votimi, edhe unë e kam të njëjtin shqetësim dhe shqetësim duhet pasur sidomos kur nuk e kontrollojmë votën dhe nuk e shohim”, tha ai.
Por, anëtari i KQZ-së nga Vetëvendosje, Sami Kurteshi, tha se një veprim i tillë nuk përbën aspak shqetësim.
“Nuk është shqetësim, hiq nuk është shqetësim, është ndoshta një shqetësim i një natyre tjetër. Por, gjithkush e ka obligim gjithkujt t’i ndihmojë deri në momentin që nuk shkruan votë me dorën e tij. Kolegu dëshiron të shpërndajë skepticizëm, dyshim te njerëzit që askush akujt të mos i ndihmoj. Askush nuk duhet lejuar të votojë për të me dorën e tjetrit, por vetëm me dorën e vet dhe pa ndikim të tjetrit. Përndryshe, fushata zgjedhore dhe dita e zgjedhjeve janë për këtë punë për t’i bindur votuesit që të votojnë për subjektin tonë“, tha Kurteshi.
Sipas tij nuk ka pasur raste që Vetëvendosje është gjykuar për manipulim të votës.
“Asnjë rast nuk ka pasur jashtë ose brenda, ku Lëvizja Vetëvendosje është gjykuar për manipulim të votës. I kemi disa parti tjera, me vjedhje industriale, me prishje të zgjedhjeve, me anulim të zgjedhjeve, por jo për Vetëvendosjen.. Lini njerëzit të votojnë, të shprehen, mos i lini njerëzit të votojnë për tjetrin. Unë jam kundër asaj që dikush t’i merr dikujt fletëvotimin dhe ta mbushë”, tha ai.
Ndërsa, Sami Hamiti nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se në mënyrë institucionale mërgimtarëve u janë ofruar informacionet e nevojshme për mënyrën e votimit.
“U kanë shkuar në Gjermani 30 mijë aplikuesve, të cilëve saktë iu tregojnë se çfarë duhet të bëjnë, cilin e kanë hapin e parë, cilin hapin e dytë, nuk ka nevojë ajo (videoja) të lëshohet rrugëve apo në kafene, pasi se si duhet të veprojnë (diaspora) është institucioni ai që ua ka dërguar (instruksionet për votim)”, theksoi Hamiti.
KQZ sot ka diskutuar edhe mbi ndarjen e këshillave të vendvotimeve, të cilat kanë ngritur pakënaqësi te subjektet politike nga radhët e komuniteteve. Po ashtu, anëtarët e KQZ-së kanë miratuar edhe vendimin për pagesat e stafit të angazhuar në qendrat e votimit, vendvotime dhe qendrat komunale të numërimit.