Rritja e temperaturave ul konsumin e energjisë elektrike, megjithatë KEDS bën thirrje për kursim
Konsumi i energjisë elektrike është ulur gjatë ditëve të fundit. Kjo edhe me rritjen e temperaturave. Kështu ka thënë zëdhënësi i KEDS, Lulzim Krasniqi, i cili shtoi se në vazhdimësi janë ndërmarrë masa për optimizimin e ngarkesës. Ai ka thënë se ditët e fundit konsumi i energjisë elektrike ka shënuar rënie, e rrjedhimisht edhe mbingarkesa.…
Lajme
Konsumi i energjisë elektrike është ulur gjatë ditëve të fundit. Kjo edhe me rritjen e temperaturave.
Kështu ka thënë zëdhënësi i KEDS, Lulzim Krasniqi, i cili shtoi se në vazhdimësi janë ndërmarrë masa për optimizimin e ngarkesës.
Ai ka thënë se ditët e fundit konsumi i energjisë elektrike ka shënuar rënie, e rrjedhimisht edhe mbingarkesa. Megjithatë, KEDS ka bërë thirrje për kursim të energjisë elektrike.
“Për shkak të konsumit të lartë, i cili është rritur me uljen e temperaturave në vendin tonë, janë shkaktuar mbingarkesa në asetet e rrjetit të shpërndarjes dhe të transmisionit. Mbingarkesa të tilla në nivelin e transmisionit-KOSTT-it, në disa raste edhe në nivel të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, kanë filluar të shfaqen muajin e kaluar në rajonin e Ferizajt, Gjilanit, Gjakovës dhe Prizrenit.
Për të garantuar stabilitetin e sistemit dhe për të shmangur dëme të mundshme në pajisjet kritike, në vazhdimësi janë ndërmarrë masa për optimizimin e ngarkesës.
Rrjedhimisht, nuk bëhet fjalë për reduktime të energjisë elektrike, por për ndërprerje të energjisë elektrike për sigurinë e sistemit në zona të afektuara me qëllim të tejkalimit të mbingarkesave, të cilat kërkesa janë bërë me kërkesë të KOSTT-it në periudha të caktuara kohore. Megjithatë, përgjatë ditëve të fundit, meqë kemi edhe një mot më të butë, krahasuar me periudhën në fjalë, konsumi i energjisë elektrike ka shënuar paksa rënie, bashkë me të edhe mbingarkesat.
KEDS u bën thirrje konsumatorëve që të kursejnë energjinë elektrike sa më shumë që munden, në mënyrë që të mos rrezikohen asetet elektroenergjetike nga mbingarkesa të tilla”, ka thënë Krasniqi për Reporterin.
Në prag të festave të fundvitit, disa komuna në Kosovë u përballën me mungesë të rrymës për orë të tëra. Problemet më të theksuar ishin në rajonin e Ferizajt, Gjilanit, Gjakovës dhe Prizrenit. Kjo u tha se ndodhi për shkak të mbingarkesës në sistemin energjetik të vendit, si pasojë e rritjes së konsumit.
Gjatë kohës sa problemet me furnizim me energji elektrike kanë qenë të pranishme kudo nëpër Kosovë, institucionet u kanë bërë thirrje qytetarëve që ta kursejnë atë.