Dimal Basha tenton të kapet pak me Prokurorinë Speciale, i bën “tag” të gjithë ndjekësit që t’ia lexojnë statusin
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha ka filluar të kapet edhe me Prokurorinë Speciale, e siç duket këto “sulme” po rriten çdo ditë e më afër ditës së zgjedhjeve në vend. Ai përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se në vitin 2019 kur Ramush Haradinaj ka filluar qeverisjen e ka gjetur fondin e rezervave…
Lajme
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha ka filluar të kapet edhe me Prokurorinë Speciale, e siç duket këto “sulme” po rriten çdo ditë e më afër ditës së zgjedhjeve në vend.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se në vitin 2019 kur Ramush Haradinaj ka filluar qeverisjen e ka gjetur fondin e rezervave shtetërore me 4.8 milion euro, dhe sipas tij për 9 muaj ky fond ka rënë në zero euro.
Duke e përfolur Ligjin, Basha ka thënë se ky fond shtetëror mund të shfrytëzohet vetëm në raste urgjente.
Ai ka thënë se Qeveria Haradinaj atë kohë ka shpenzuar 70 mijë euro për nevojat e Koordinatorit Nacional për Rini dhe Kulturë, 300 mijë euro për Delegacionin shtetëror të Kosovës për procesin e dialogut me Serbinë, 112 mijë euro për rregullimin e këndit të fëmijëve dhe Parkut të Paqes në Preshevë si dhe 500 mijë euro për 11-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovë e që sipas tij pavarësisht këtyre shpenzimeve të kundërligjshme, Prokuroria nuk e ka ftuar asnjëherë kryeministrin Ramush Haradinaj në intervistë.
“Mendone sikur Albin Kurti ta kishte shpenzu fondin rezervë si PAN-i, çka ishin duke bërë sot hibridët me Prokurorinë Speciale!”, ka shkruar Basha në Facebook.
Ai i ka bërë “tag” të gjithë ndjekësit e tij që t’ia lexojnë statusin ku e sulmon përsëri punën e Prokurorisë Speciale.
Ky sulm i vazhdueshëm i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, ministrave e kryeministrit Albin Kurti drejt Prokurorisë Speciale ka ardhur pasi kjo Prokurori e ka ftuar kryeministrin Kurti për ta intervistuar në lidhje me rezervat shtetërore, çështja e njëjtë për të cilën ka shkruar Basha.
Kurti nuk i është përgjigjur pozitivisht kësaj ftese, duke mos shkuar në Prokurori për të kryer obligimin e tij por i ka ftuar prokurorët ta intervistojnë në zyrën e tij.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj ka thënë para mediave se Ligji është i njëjtë për të gjithë qytetarët e Kosovës kur është pyetur nëse do ta sjellin me forcë Kurtin në Prokurori. /Lajmi.net/
Postimi i plotë i Dimal Bashës në Facebook: