Kuotat gjinore në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme përputhen me Kushtetutën, konstaton Gjykata Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese ka vendosur që kuotat gjinore prej së paku 30% në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme janë në përputhje me Kushtetutën. Ky vendim erdhi pas shqyrtimit të kërkesës së Avokatit të Popullit, i cili kishte ngritur pretendime për cenim të barazisë gjinore dhe të drejtave zgjedhore. Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka shpallur…

Lajme

26/12/2024 15:19

Gjykata Kushtetuese ka vendosur që kuotat gjinore prej së paku 30% në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme janë në përputhje me Kushtetutën. Ky vendim erdhi pas shqyrtimit të kërkesës së Avokatit të Popullit, i cili kishte ngritur pretendime për cenim të barazisë gjinore dhe të drejtave zgjedhore.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka shpallur aktgjykimin në rastin KO15/24, ku shqyrtohej kushtetutshmëria e nenit 28 (Kuotat gjinore) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, të parashtruar nga Avokati i Popullit. Me tetë vota për dhe një kundër, Gjykata ka pranuar kërkesën si të pranueshme dhe njëzëri ka konstatuar se neni 28 i Ligjit nuk bie ndesh me Kushtetutën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit, kuotat gjinore prej së paku 30% për secilën gjini në listat zgjedhore janë në përputhje me nenin 45 të Kushtetutës, i cili garanton të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes. Gjykata thekson se ky përcaktim përfaqëson një masë afirmative që synon barazinë gjinore në politikë, duke u bazuar në standardet kombëtare dhe ndërkombëtare.

Në vendimin e saj, Gjykata vë theks te rëndësia e barazisë gjinore si një vlerë thelbësore kushtetuese për zhvillimin demokratik të Kosovës dhe obligimin e institucioneve publike për të siguruar mundësi të barabarta për pjesëmarrjen e grave dhe burrave në jetën publike dhe politike. Po ashtu, Gjykata thekson se kuotat gjinore janë një masë e përkohshme dhe e nevojshme deri në arritjen e barazisë së plotë gjinore.

Aktgjykimi adreson edhe pretendimet e Avokatit të Popullit, i cili kishte argumentuar se kuotat gjinore përbëjnë një formë diskriminimi të pajustifikuar dhe cenojnë frymën e barazisë gjinore. Në përgjigje, Gjykata sqaron se masa e përcaktuar ligjërisht është në përputhje me parimet kushtetuese dhe përbën një mjet të domosdoshëm për të adresuar pabarazitë ekzistuese.

Gjykata Kushtetuese ka theksuar se përcaktimi i kuotës gjinore prej 30% në listat zgjedhore është një masë afirmative e nevojshme për të garantuar barazinë gjinore, duke lënë Kuvendin përgjegjës për përcaktimin dhe zbatimin e kësaj mase. Ndërkaq, përfaqësimi prej 50% i synuar në Ligjin për Barazi Gjinore është një aspiratë dhe jo një detyrim ligjor, duke kërkuar angazhim të vazhdueshëm nga institucionet drejt realizimit të barazisë gjinore në mënyrë graduale.

Sipas Gjykatën Kushtetuese, aktgjykimi vë theks në faktin që Republika e Kosovës ka detyrimin kushtetues që të sigurojë barazinë gjinore si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë dhe mundësi të barabarta për pjesëmarrje të grave dhe burrave në jetën politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe në fushat të tjera të jetës shoqërore.