PDK e çoi në Kushtetuese, Gjykata merr vendim në lidhje me çështjen e Agron Bekës

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim në lidhje me shkarkimin e anëtarit të KPK-së Agron Beka. Kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të lartcekur të Kuvendit e ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri dhe nëntë deputetë tjerë të Kuvendit të Kosovës. Gjykata e ka hedhur poshtë…

Lajme

26/12/2024 13:53

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim në lidhje me shkarkimin e anëtarit të KPK-së Agron Beka.

Kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të lartcekur të Kuvendit e ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri dhe nëntë deputetë tjerë të Kuvendit të Kosovës.

Gjykata e ka hedhur poshtë çështjen e paraqitur nga PDK si opozitë, ku po ashtu thuhet se nuk pati shkelje,  transmeton lajmi.net.

Njoftimi i plotë:

Gjykata, ka vendosur, njëzëri, që të deklarojë kërkesën të pranueshme; dhe të konstatojë se Vendimi [nr. 08-V-668] i 15 dhjetorit 2023 i Kuvendit, nuk është në kundërshtim me paragrafin 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] si dhe paragrafin 4 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës.

Aktgjykimi fillimisht sqaron që, rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me shkarkimin e Bekës nga pozita e anëtarit jo-prokuror të Këshillit Prokurorial, përmes Vendimit të kontestuar të Kuvendit. Siç sqarohet në Aktgjykim, shkarkimit të anëtarit të Këshillit Prokurorial, i kishte paraprirë Rekomandimi [nr.08/4446/Do-1994] i 28 shtatorit 2023 i Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, përmes të cilit ky i fundit i kishte rekomanduar Kuvendit, shkarkimin e z. Beka nga pozita e anëtarit jo-prokuror, duke u bazuar në gjetjet e këtij komisioni parlamentar. Siç është reflektuar dhe sqaruar gjerësisht në Aktgjykimin e publikuar, në Rekomandimin e lartcekur të Komisionit për Legjislacion, janë listuar arsyet në të cilat ky i fundit e bazon rekomandimin e tij drejtuar Kuvendit për shkarkimin e z. Beka nga pozita e anëtarit jo-prokuror të Këshillit Prokurorial, duke vlerësuar se veprimet përkatëse përbëjnë shkelje të ligjit, përkatësisht nënparagrafit 2.2 të paragrafit 2 të nenit 13 (Përfundimi i mandatit) të Ligjit nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, i cili në mënyrë specifike thekson se anëtari i Këshillit Prokurorial shkarkohet në rast se “2.2 ushtron funksionin në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e tij”.

Parashtruesit e kërkesës para Gjykatës kontestuan kushtetutshmërinë e Vendimit [nr. 08-V-668] të 15 dhjetorit 2023 të Kuvendit, duke pretenduar, ndër të tjera, që i njëjti është nxjerrë në kundërshtim me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], paragrafët 1 dhe 2 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike], nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave], si dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës. Sipas parashtruesve të kërkesës, në esencë, Kuvendi ka tejkaluar autorizimet e tij kushtetuese sepse nuk ka kompetencë që të ndërpresë mandatin kushtetues të një anëtari të Këshillit Prokurorial. Pretendimet e parashtruesve u mbështeten nga Këshilli Prokurorial dhe Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa u kundërshtuan nga Komisioni për Legjislacion dhe Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Në kontekst të çështjeve të mësipërme, Aktgjykimi fillimisht vë theks në faktin që, rrethanat dhe pretendimet e lartcekura, ndër tjerash, kanë ngritur çështje si në vijim: (i) nëse Kuvendi, ka autorizimin që të ndërpresë mandatin kushtetues të një anëtari jo-prokuror të Këshillit Prokurorial; dhe (ii) nëse ndërprerja e mandatit në rrethanat e rastit konkret, ka rezultuar në cenimin e pavarësisë së Këshillit Prokurorial.

Në kontekstin e parimeve që burojnë nga analiza e dispozitave kushtetuese, Aktgjykimi, ndër tjerash, sqaron që në kontekst të ushtrimit të funksioneve të Kuvendit lidhur me institucionet e pavarura kushtetuese në kuadër të kapitullit VII [Sistemi i Drejtësisë] të Kushtetutës, rëndësi të veçantë ka ndërveprimi i Këshillit Prokurorial me Kuvendin, sipas përcaktimeve të neneve 65 [Kompetencat e Kuvendit] dhe 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës, të cilat, në esencë, përcaktojnë ushtrimin e kompetencës së Kuvendit për të përcaktuar përbërjen e Këshillit Prokurorial dhe për të zgjedhur anëtarët e Këshillit Prokurorial, gjithnjë në funksion të ruajtjes së pavarësisë së plotë të këtij Këshilli në ushtrimin e funksioneve të tij kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin 1 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës dhe njëkohësisht, të respektimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, siç është përcaktuar në paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushteteve] të Kushtetutës. Aktgjykimi, tutje rikujton se parimet lidhur me pavarësinë e Këshillit Prokurorial, nërveprimin e këtij të fundit me Kuvendin në funksion të ruajtjes së pavarësisë së plotë të Këshillit Prokurorial në ushtrimin e funksioneve të tij kushtetuese, si dhe sigurinë e mandateve të anëtarëve të Këshillit Prokurorial, janë përcaktuar nga Gjykata përmes Aktgjykimit të 24 marsit 2023, në rastet KO100/22 dhe KO101/22 lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 08/L-136 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial.

Në kontekst të rrethanave specifike të këtij rasti, Aktgjykimi sqaron që, përkundër faktit që Kushtetuta, përmes paragrafit 4 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të saj, ka përcaktuar që përbërja e Këshillit Prokurorial, si dhe dispozitat, ndër tjerash, ndërlidhur me shkarkimin përcaktohen me ligj, kjo kompetencë e Kuvendit, duhet të ushtrohet gjithnjë në përputhje me paragrafin 1 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës, përmes të cilit garantohet pavarësia e plotë e Këshillit Prokurorial dhe e cila kompetencë nuk mund të pakësohet përmes dispozitave ligjore. Megjithatë dhe sipas sqarimeve të dhëna, në kontekst të shkarkimit të anëtarëve jo-prokurorë të Këshillit Prokurorial, nga përmbajtja e paragrafit 10 të nenit 10 (Procedura e propozimit, zgjedhjes dhe e shkarkimit të anëtarëve që zgjedhën nga Kuvendi) të Ligjit për Këshillin Prokurorial, rezultojnë dy forma të ndryshme të propozimit në Kuvend për shkarkim të anëtarit jo-prokuror të Këshillit Prokurorial, respektivisht: (i) përmes propozimit nga Komisioni përkatës i Kuvendit, i cili ka për detyrë të shqyrtojë dhe vlerësojë performancën ose sjelljen e anëtarit jo-prokuror dhe, në rast të propozimit për shkarkim, i njëjti i dorëzohet Kuvendit për votim; si dhe (ii) përmes propozimit të vet Këshillit Prokurorial, kur i njëjti vlerëson se një anëtar jo-prokuror nuk e përmbush detyrën e tij në përputhje me përgjegjësitë ose nëse ka vepruar në mënyrë të papërshtatshme, të cilin propozim e dorëzon në Kuvend ku i nënshtrohet votimit, si në rastin e parë. Në rastin konkret, propozimi për shkarkim i anëtarit përkatës jo-prokuror të Këshillit, vjen nga Komisioni përkatës i Kuvendit, respektivisht nga Komisioni për Legjislacion si rezultat i gjetjeve të specifikuara në rekomandimin e lartcekur. Aktgjykimi sqaron, që mundësia e shkarkimit të një anëtari jo-prokuror të Këshillit Prokurorial, nga Kuvendi, pas propozimit të Komisionit përkatës, është paraparë shprehimisht në Ligjin e aplikueshëm për Këshillin Prokurorial.

Aktgjykimi gjithashtu sqaron që përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës, janë trajtuar rastet kur para saj, bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni i Gjykatës dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, janë kontestuar vendimet e Kuvendit për shkarkimin e anëtarëve të institucioneve të pavarura, si atyre të përcaktuar me Kushtetutë, dhe atyre të themeluara me ligj. Përmes praktikës së saj gjyqësore Gjykata ka sqaruar kufizimet e autorizimeve të Kuvendit për shkarkimin e anëtarëve të institucioneve të pavarura dhe të cilët gjithashtu i ka zgjedhur vet, duke theksuar që, në ushtrimin e këtij funksioni, Kuvendi është i detyruar të respektojë dhe zbatojë dispozitat specifike të ligjeve përkatëse të cilat vet i ka miratuar. Këto parime, janë vendosur, ndër tjerash, përmes (i) rastit KO127/21, lidhur me shkarkimin kolektiv të (5) pesë anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil; (ii) rastit KO134/21, lidhur me shkarkimin kolektiv të anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës; (iii) rastit KO157/23, lidhur me shkarkimin e anëtares së Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit; dhe (iv) rastit KO139/21, lidhur me shkarkimin e 5 (pesë) anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave. Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykimet e lartcekura dhe këtë Aktgjykim, Gjykata, ka konstatuar shkelje të dispozitave kushtetuese në tri rastet e para, duke u bazuar në formulimet e dispozitave të ligjeve të aplikueshme, përfshirë faktin që shkarkimet përkatëse ishin kolektive, vendimet përkatëse për shkarkimin e tyre nuk ngërthenin arsyetimin e duhur dhe për më tepër, ishte vendimmarrja e anëtarëve të shkarkuar që kishte rezultuar në shkarkimin e tyre. Ndërsa në rastin e katërt, përkatësisht shkarkimet që ndërlidhen me anëtarët e Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, Gjykata nuk kishte konstatuar shkelje kushtetuese, sepse formulimet e dispozitave të ligjit të aplikueshëm, i mundësonin Kuvendit diskrecion më të gjerë në shkarkimin e anëtarëve përkatës. Në kontekst të rrethanave të rastit konkret,

Aktgjykimi sqaron që z. Beka ishte shkarkuar nga Kuvendi bazuar në rekomandimin e Komisionit për Legjislacion, në të cilin ishin listuar arsyet për ushtrimin e funksionit të tij “[…] në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e tij”, bazuar në një procedurë për shkarkimin e anëtarëve jo-prokurorë të Këshillit Prokurorial që shprehimisht e përcakton Ligji për Këshillin Prokurorial, dhe mbi një bazë ligjore që është gjithashtu shprehimisht e përcaktuar në ligjin e lartcekur. Në rrethana të tilla, në të cilat, Kuvendi ka ushtruar rolin e tij ndërlidhur me anëtarët jo-prokurorë të Këshillit Prokurorial, dhe ka shkarkuar një anëtarë jo-prokuror bazuar në procedurën dhe bazat e shkarkimit sipas përcaktimeve të Ligjit për Këshillin Prokurorial, përfshirë mbi bazën e një arsyetimi që nuk rezulton të jetë dukshëm arbitrar, Aktgjykimi konstaton se Kuvendi përmes Vendimit të kontestuar, nuk ka tejkaluar autorizimet kushtetuese dhe ligjore në kontekst të paragrafit 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] dhe paragrafit 4 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës./Lajmi.net/