Pa rrymë gjithandej Kosovës, Ministria lut qytetarët të ngrohen me dru ose pelet: Konsumi i energjisë të zhvendoset pas mesnate
Qytetarë të shumtë janë duke mbetur pa energji elektrike përgjatë këtyre ditëve. Pikërisht në ditët e ftohja të dimrit, e në ditët e para të festave qytetarët po mbesin në errësirë e pa ngrohje. E në lidhje me këtë problem janë deklaruar nga Ministria e Ekonomisë. Sipas njoftimit thuhet se mbrëmë në orët e vona,…
Lajme
Qytetarë të shumtë janë duke mbetur pa energji elektrike përgjatë këtyre ditëve.
Pikërisht në ditët e ftohja të dimrit, e në ditët e para të festave qytetarët po mbesin në errësirë e pa ngrohje.
E në lidhje me këtë problem janë deklaruar nga Ministria e Ekonomisë.
Sipas njoftimit thuhet se mbrëmë në orët e vona, Ministria e Ekonomisë, KOSTT dhe KEDS mbajtën një takim të përbashkët për të trajtuar situatën e furnizimit me energji elektrike pasi që qytetarët e disa komunave të Kosovës kanë raportuar ankesa gjatë ditëve të fundit.
“KOSTT dhe KEDS raportojnë se, me uljen e temperaturave, konsumi i energjisë elektrike ka arritur nivele shumë të larta, mbi 1400 MË në kohë të caktuara. Si rezultat, sistemi ynë elektro-energjetik është ngarkuar tej mase, duke shkaktuar vështirësi teknike në furnizim dhe duke e rrezikuar rrjetin; kësisoj, ka qenë e domosdoshme që operatorët të bëjnë shkyçje në disa vendbanime ku ngarkesa ka qenë e papërballueshme për rrjetin. Vështirësitë janë hasur veçanërisht në komunat e Ferizajt, Lipjanit, Gjakovës, Malishevës, Gjilanit, Shtimes, Istogut dhe Prizrenit, dhe si rrjedhojë mund të jenë ndikuar edhe disa nga vendbanimet të cilat furnizohen nga linjat e afektuara. Ndërsa, ekipet e KOSTT-it dhe KEDS-it janë duke punuar pandërprerë në terren për të minimizuar ndikimin në furnizim të qytetarëve”.
Sipas tyre probleme të ngjashme ka pasur në Fushë-Kosovë, por me energjizimin e nënstacionit të ri 110kV përgjatë javës së kaluar, është lehtësuar në masë të madhe barra dhe është adresuar problemi i furnizimit për banorët e kësaj komune.
“Gjatë javës në vijim pritet që të përfundojë ndërtimi i nënstacionit të tretë në Ferizaj nga KOSTT, gjë që do të zgjidhë problemet e furnizimit në këtë komunë, dhe do të lehtësojë ngarkesën edhe në vendbanimet të cilat furnizohen nga linjat e ndërlidhura me këtë nënstacion. Në tremujorin e parë të vitit 2025, investime të tjera planifikohen për komunat e Malishevës dhe Dragashit me qëllim të zgjidhjeve afatgjata për furnizimin e qëndrueshëm me energji. Zakonisht kohët e festave të fundvitit karakterizohen me rritje të madhe të konsumit të energjisë elektrike, prandaj janë kritike sa i përket sigurisë së furnizimit”.
Nga Ministria e Ekonomisë dhe kompanitë përkatëse kanë lutur qytetarët që të jenë të kujdesshëm në konsumin e energjisë.
“Përgjatë javës në vijim, për të ndihmuar sistemin elektro-energjetik, lusim qytetarët që të jenë sa më të kujdesshëm në konsumin e energjisë, sidomos gjatë orëve të paradites nga ora 09:00-12.00 dhe pasdites nga ora18:00-00:00. Kursimi i energjisë në këto orë është thelbësor për të shmangur mbingarkesat dhe për të ruajtur funksionalitetin e sistemit për të gjithë.Lusim qytetarët që aty ku është e mundur të përdorin burime alternative për ngrohje si druri ose peleti, si dhe të zhvendosin konsumin e energjisë elektrike pas mesnatës”./Lajmi.net/