​“Mjaft me urrejtje”, mesazhi i ipeshkvit Dodë Gjergji për Krishtlindje

Mesazhi i Ipeshkvit të Kosovës, imzot Dodë Gjergji për Krishtlindje ishte toleranca, dashuria e respekti ndaj njëri tjetrit duke lënë mënjanë urrejtjen politike, fetare dhe etnike. Në meshën kryesore për Krishtlindje në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, imzot Dodë Gjergji theksoi rëndësinë e dashurisë për çdo njeri dhe çdo krijesë. Ai shprehu shqetësimin për luftërat…

Lajme

25/12/2024 08:07

Mesazhi i Ipeshkvit të Kosovës, imzot Dodë Gjergji për Krishtlindje ishte toleranca, dashuria e respekti ndaj njëri tjetrit duke lënë mënjanë urrejtjen politike, fetare dhe etnike.

Në meshën kryesore për Krishtlindje në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, imzot Dodë Gjergji theksoi rëndësinë e dashurisë për çdo njeri dhe çdo krijesë. Ai shprehu shqetësimin për luftërat dhe dhimbjet që ato shkaktojnë, duke theksuar se humbja e jetëve njerëzore shpesh konsiderohet vetëm si një numër.

“Dua të ftoj të gjithë të pagëzuarit dhe ata që janë duke u përgatitur për pagëzim që të bëhen vegël paqeje në dorën e Zotit, ta duan çdo njeri e çdo krijesë me zemrën e Krishtit, mu ashti siç ai në deshi neve. Të sjellim dashuri në këtë kohë plotë urrejtje, pasi që po jetojmë thatësinë e shpirtit pa dashuri dhe helmin e zemrës njerëzore me urrejtje qofshin ato politike, fetare apo etnike. Sa luftërat e pakuptimta nëpër botë janë duke ndodhur sot, sa rrënimet e panevojshme gjithandej ku ka luftëra dhe sa dëme anësore përjetojnë të gjithë ata që e duan lirinë. Dhe sa jetë njerëzish humbin në gjithë vendin, Gjëja më trishtueshme e kësaj urrejtje është se humbja e jetëve njerëzore nuk vlerësohet fare, thjesht llogaritet me numrit”, theksoi Dodë Gjergji.

Ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji apeloi për reflektim dhe ndërgjegjësim, sidomos për politikën e ndarë dhe për liderët fetarë, duke nxitur një atmosferë paqeje dhe bashkëjetese. Mesazhi i tij u përqendrua në domosdoshmërinë e krijimit të lidhjeve të forta të dashurisë dhe harmonisë, duke e shprehur këtë si një mjet për të ndihmuar shoqërinë të mposhtë urrejtjen dhe të ndjekë një rrugë të paqes.

“Mjaft me nxitje të mos durimit, me përçarje e me fyerje pasi që sot në botë ka mjaft urrejtje. E populli ynë sidomos, vendi ynë, familjet tona dhe çdo njeri mes nesh ka nevojë për dashuri. Prandaj, të bëhemi vegël e paqes. Ne nuk e kemi fuqinë t’i ndalojmë luftërat, por kemi mundësi të sjellim dashuri prindërve të vetmuar ose të braktisur nga fëmijët e tyre. Mund të sjellim pajtim dhe dashuri tek vëllezërit e hidhëruar me njëri-tjetrin, po ashtu te politika e përçarë e te politikanët që kanë nevojë për ndërgjegjësim, pse jo edhe te ne prijësit e feve”, theksoi ai.

Ai tha po ashtu se pavarësisht bindjeve, besimeve apo feve, shqiptarët në liri dhe paqe dinë të festojnë së bashku.

“Këtë vit po kremtojmë Krishtlindjen e 25-të në liri dhe paqe. Sikur çdo herë edhe në këtë vit në të gjitha sheshet e qyteteve tona e sidomos në Prishtinë besimtarët dhe bashkëqytetarët e vendit tonë po festojnë e kënaqen me njëri-tjetrin. Kjo është një gjë e mirë, pasi varëisht bindjeve, besimeve apo feve, shqiptarët dinë të festojnë së bashku. Por nuk duhet harruar se ne të pagëzuarit që I kemi hapur zemrën Krishtit, e ditëlindjen e të cilit po e festojmë dhe kremtojmë mishërimin e fjalës dhe ardhjen e zotit në historinë e botës dhe në jetën e secilit prej nesh”, tha imozt Dodë Gjergji.

Përveç qytetarëve, në meshë morën pjesë edhe kryeministri i vendit Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.