Dëmet nga lufta në njerëz dhe ekonomi, ASK prezanton të dhënat për numrin e të vrarëve
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar sot rezultatet e para përfundimtare të regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave (ReKos 2024). Sipas ASK-së, në bazë të rezultateve të para përfundimtare, Kosova ka 1 milion e 602 mijë e 515 banorë, numër ky që ka shënuar rënie krahasuar me regjistrimin e popullsisë të vitit…
Lajme
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar sot rezultatet e para përfundimtare të regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave (ReKos 2024). Sipas ASK-së, në bazë të rezultateve të para përfundimtare, Kosova ka 1 milion e 602 mijë e 515 banorë, numër ky që ka shënuar rënie krahasuar me regjistrimin e popullsisë të vitit 2011. Në atë vit Kosova kishte 1 milion e 739 mijë e 825 banorë.
Sipas Agjencisë së Statiskikave të Kosovës, Kosova i ka 1 milion e 586 mijë e 659 banorë të regjistruar, por ushtruesi i detyrës së drejtorit të ASK-së, Avni Kastrati, në konferencën për media ku janë prezantuar rezultatet ka thënë se ASK-ja e ka bërë vlerësimin edhe për komunat me shumicë serbe në veri të vendit, ku procesi ishte bojkotuar në masë të madhe dhe sipas tij, pas përfshirjes së komunave në veri del se gjithsej banorë rezidentë në Kosovë janë 1,602.515 persona.
Kastrati gjatë prezantimit rezultatet e para përfundimtare të regjistrimit të popullsisë ka treguar edhe dëmet e luftës së fundit.
“Nga dëmet e luftës, gjithsej ekonomi familjarë të prekura janë 154 mijë e 272. Dëmet vetëm në ekonomi familjare, jo në institucione, është vlerësuar mbi 5 miliard euro. Dëmet e luftës në njerëz, të vrarë janë 11 mijë 417 e të zhdukur 1 mijë e 47″, tha ai.
Ndërsa, sa i përket numrit të diasporës të regjistruar, ai tha se procesi është duke vazhduar, mirëpo sipas tij, deri tani nga diaspora janë regjistruar rreth 550 mijë qytetarë.