Ftesa e Prokurorisë Speciale dhe mosparaqitja e Kurtit lajm në mediat e mëdha botërore
Mediat më të mëdha ndërkombëtare e kanë dhënë sot lajmin se Prokuroria Speciale e Kosovës e ka thirrur për të dëshmuar kryeministrin e vendit, Albin Kurti dhe se ai nuk u paraqit. Washington Post transmeton një lajm të agjencisë ndërkombëtare të lajmeve, Associated Press ku shkruhet se Kurti është ftuar të dëshmojë në një rast që, siç thuhet…
Lajme
Mediat më të mëdha ndërkombëtare e kanë dhënë sot lajmin se Prokuroria Speciale e Kosovës e ka thirrur për të dëshmuar kryeministrin e vendit, Albin Kurti dhe se ai nuk u paraqit.
Washington Post transmeton një lajm të agjencisë ndërkombëtare të lajmeve, Associated Press ku shkruhet se Kurti është ftuar të dëshmojë në një rast që, siç thuhet në tekst, mbetet i paqartë. Këto media kanë shkruar se se mbështetësit e kryeministrin thonë se kjo është një lëvizje e shtyrë politikisht ndërsa vendi po përgatitet për zgjedhje.
Sipas Liridona Kozmaqit, zëdhënëse e prokurorisë, Kurti ishte në një udhëtim jashtë vendit dhe se do të caktohej një datë tjetër për thirrjen.
Ajo nuk pranoi të jepte detaje mbi natyrën e rastit.
Mirëpo, zëdhënësi i Kurtit, Perparim Kryeziu, në një postim në Facebook javën e kaluar tha se kryeministri është thirrur për të dëshmuar në një rast nga neni 414 i Kodit Penal, i cili rregullon veprat që kanë të bëjnë me “keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Kryeziu e akuzoi thirrjen si të motivuar politikisht dhe “një përpjekje për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve të 2025-ës”.
Kosova do t’i mbajë zgjedhjet parlamentare më 9 shkurt, një votim që pritet të jetë një provë kyçe për Kurtin, partia e majtë qeverisëse e të cilit, Lëvizja Vetëvendosje, fitoi me shumicë në vitin 2021.
Konkurrentët kryesorë për zgjedhjet e ardhshme janë Partia Demokratike e Kosovës, liderët kryesorë të së cilës janë në gjykatën e Hagës të akuzuar për krime lufte dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, partia më e vjetër në vend që ka humbur shumë mbështetje pas vdekjes së udhëheqësit të saj Ibrahim Rugova.
Sondazhet lokale tregojnë se partia e Kurtit është e para.
Çështja kryesore që ka lënë në hije zgjedhjet mbeten bisedimet e ngecura të normalizimit me Serbinë, të cilat Bashkimi Europian i ka lehtësuar që nga viti 2011, por me pak progres. Bisedimet janë vendimtare për anëtarësimin e dy vendeve në bllok.
Në fund, AP dhe WP shkruajnë se Kosova ishte një ish-krahinë serbe derisa një fushatë bombarduese 78-ditore e NATO-s në vitin 1999 i dha fund një lufte midis forcave qeveritare serbe dhe separatistëve shqiptarë etnikë në Kosovë, e cila la rreth 13,000 të vdekur, kryesisht shqiptarë etnikë, dhe i dëboi forcat serbe. Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të shpallur në vitin 2008.