Samiti BE-Ballkani Perëndimor, angazhim për integrim konkret për vendet e rajonit
Forcimi i partneritetit mes Bashkimit Evropian (BE) dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe përmes integrimit gradual të këtyre vendeve në disa politika të BE-së, do të jetë në fokus të samitit të radhës BE-Ballkani Perëndimor, i cili do të zhvillohet në Bruksel më 18 dhjetor. Në prag të këtij takimi, para dhjetë ditësh, presidenti…
Lajme
Forcimi i partneritetit mes Bashkimit Evropian (BE) dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe përmes integrimit gradual të këtyre vendeve në disa politika të BE-së, do të jetë në fokus të samitit të radhës BE-Ballkani Perëndimor, i cili do të zhvillohet në Bruksel më 18 dhjetor.
Në prag të këtij takimi, para dhjetë ditësh, presidenti i ri i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka pasur një takim të përbashkët joformal me liderët e vendeve të rajonit, ku ndër tjerash janë diskutuar edhe përgatitjet dhe pritjet nga ky samit i përbashkët.
Zhvillimi tashmë i rregullt i samiteve të përbashkëta BE-Ballkani Perëndimor është një prej dëshmive se BE-ja e ka prioritet këtë rajon, raportet me vendet e tij, por edhe procesin e integrimit të plotë të tyre në BE. Ky përkushtim pritet të ritheksohet edhe kësaj radhe në takim. Kjo përfshihet edhe në draftin e Deklaratës së përgatitur për miratim në samit, tekst në të cilin ka pasur qasje edhe Radio Evropa e Lirë.
“Zgjerimi është një investim gjeostrategjik në paqe, stabilitet dhe prosperitet. Ka tash një dinamizëm të ri në procesin e zgjerimit. Përshpejtimi i procesit të zgjerimit, bazuar në kushtet e drejta dhe strikte dhe parimet e meritave individuale, është në interes të përbashkët”, thuhet në deklaratën që pritet që bashkërisht ta miratojnë në takim liderët e vendeve anëtare të BE-së dhe kolegët e tyre nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Në kohën e agresionit të Rusisë në Ukrainë, dhe me ndryshimin e rrethanave globale, pritet të ritheksohet se partneriteti mes BE-së dhe vendeve të rajonit është më i rëndësishëm se kurrë.
Pikërisht për të ndihmuar në përshpejtimin e procesit të zgjerimit nga ky samit do të dërgohet thirrja që vendet e rajonit sa më shpejt t’i zgjidhin mospajtimet me fqinjët, si me vendet anëtare të Bashkimit Evropian, ashtu edhe mes vete në rajon.
“Mospajtimet rajonale dhe bilaterale që i kanë rrënjët në të kaluarën për kohë tepër të gjatë kanë penguar fokusimin në të ardhmen. Implementimi i marrëveshjeve bilaterale me mirëbesim dhe me rezultate të prekshme, përfshirë edhe Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Traktatin e Miqësisë, Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë dhe bashkëpunim me Bullgarinë, mbeten kyç”, thuhet në dokument.
Këto dy marrëveshje që përmenden vazhdojnë të jenë arsye pse Maqedonia e Veriut po mbahet e bllokuar në rrugën e integrimeve evropiane pa pasur mundësi që t’i hapë kapitujt negociues, edhe pse janë përmbushur të gjitha kushtet teknike që kërkohen. Deri vonë Greqia bllokonte vendimet në Këshill ndërsa tash këtë e bën Bullgaria.
Pos Maqedonisë së Veriut që ka akoma çështje të hapura me Greqinë, tash edhe Serbia, por edhe Mali i Zi kanë çështje të hapura me Kroacinë, një anëtare e BE-së. Për shkak të përkeqësimit të raporteve mes Kroacisë dhe Malit të Zi, prej kur në Qeverinë e Malit të zi kanë hyrë forcat proserbe dhe proruse, Kroacia nuk ka paraqitur pengesa edhe në mbylljen e kapitujve në negociatat e anëtarësimit të Malit të Zi.
Edhe Serbia, por edhe Kosova, kanë ngecur në proces – ndër tjerash edhe për shkak të mungesës së progresit në normalizimin e raporteve mes tyre. Kjo, pos që e dëmton procesin e integrimeve evropiane, sipas BE-së, po ndikon negativisht edhe në stabilitetin e tërë rajonit. Prandaj, edhe normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë pritet të jetë pjesë e Deklaratës së samitit.
“Marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja mes Prishtinës dhe Beogradit, përfshirë edhe Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit, duhet të zbatohen pa vonesa të reja. BE-ja fton të gjithë partnerët që të garantojnë të drejtat dhe trajtimin e barabartë të personave që u përkasin pakicave”, thuhet në draftin e tekstit të Deklaratës.
Serbia tash e tre vjet nuk ka hapur asnjë kapitull në procesin e negociatave për anëtarësim në BE. Përpjekjet e fundit të presidencës hungareze, të mbështetura nga Komisioni Evropian dhe shumica e vendeve anëtare, që Serbia t’i hapë disa kapituj, nuk kanë dhënë rezultate, sepse disa vende anëtare nuk janë pajtuar që Serbia të lëvizë.
Përveç mungesës së progresit në fushën e sundimit të ligjit dhe lirisë së mediave, si shkak është përmendur edhe mungesa e progresit në procesin e normalizimit të raporteve të Serbisë me Kosovën.
Në anën tjetër, edhe Kosova nuk ka shënuar ndonjë lëvizje. Ajo ka aplikuar për anëtarësim në BE qysh para dy vjetësh, por ajo kërkesë vazhdon të mbahet e mbyllur në sirtarë dhe nuk është shqyrtuar asnjëherë nga Këshilli i BE-së. Në rastin e Kosovës një prej arsyeve kryesore është mosnjohja nga pesë vende anëtare të BE-së, por edhe mungesa e progresit në dialog.
Bashkimi Evropian mirëpret pjesëmarrjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në forumin e Bashkësisë Politike Evropiane, një forum ku janë shumë shtete evropiane e jo vetëm ato të BE-së. Pritet të përshëndetet fakti se samiti i radhës i Bashkësisë Politike Evropiane vitin që vjen do të mbahet në Tiranë.
Kësaj radhe në samit pritet të flitet edhe për proceset konkrete, të cilat tashmë janë duke e ndihmuar rajonin që të afrohet në procesin e integrimit në BE përmes integrimit gradual në shumë fusha.
Një prej tyre është Plani i rritjes ekonomike për Ballkanin Perëndimor në vlerë prej gjashtë miliardë eurosh. BE-ja do të shprehë gatishmërinë që të shqyrtojë integrimin e mëtejmë ekonomik dhe tregtar të vendeve të rajonit.
Bashkimi Evropian përmend edhe integrimin në bllok të transportit, i cili tashmë po jep rezultate. Përmendet edhe vendosja e linjave të gjelbra nëpër pikat e kalimeve kufitare për të shpejtuar qarkullimin e mallrave. BE-ja mbështet edhe pjesëmarrjen e vendeve të rajonit të Ballkanit në “agjendën e gjelbër“ që ka për qëllim ruajtjen e mjedisit dhe luftën kundër ngrohjes globale. Mbështet edhe përfshirjen e vendeve të rajonit në agjendën digjitale të BE-së dhe “tregut të përbashkët digjital”.
Prandaj, sipas diplomatëve në BE, ky samit do të jetë rast për të diskutuar bashkëpunimin konkret në shumë fusha, prej asaj politike, të mbrojtjes dhe sigurisë, deri tek energjia. E gjithë kjo do t’u ndihmojë vendeve të rajonit që më shpejtë të bëhen gati për integrim në BE, duke forcuar në të njëjtën kohë edhe ekonomitë e tyre dhe duke rritur stabilitetin rajonal përmes zgjidhjes së mospajtimeve të tyre.