Takimi në Bruksel, Kurti Marrëveshja Bazike duhet të respektohet dhe duhet të zbatohet, por në vazhdimësi po shkelet nga Serbia

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti u mirëprit sot në Bruksel nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas. Në këtë takim të parë në kapacitete të reja, kryeministri Kurti e uroi znj. Kallas për detyrën e re, duke i dëshiruar suksese në realizimin e…

Lajme

03/12/2024 20:16

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti u mirëprit sot në Bruksel nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas.

Në këtë takim të parë në kapacitete të reja, kryeministri Kurti e uroi znj. Kallas për detyrën e re, duke i dëshiruar suksese në realizimin e objektivave të saj dhe Komisionit të ri të Bashkimit Evropian dhe duke i ofruar bashkëpunim të ngushtë, si dhe avancimin dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Kryeministri u shpreh se Republika e Kosovës është plotësisht e linjëzuar me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian dhe e angazhuar në reformat evropiane. Ai veçoi se deri në fund të vitit 2023, Kosova ka zbatuar 72% të Agjendës së Reformës Evropiane (ERA II) dhe ishte vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që ka dorëzuar në Bashkimin Evropian Agjendën e Reformave në kuadër të Planit të Rritjes. Me këtë rast, kryeministri kërkoi nga Përfaqësuesja e re e Lartë e Bashkimit Evropian, Kallas, largimin e masave ndaj Kosovës, dhe theksoi rëndësinë e pranimit të pyetësorit për anëtarësim të Kosovës në Bashkimin Evropian teksa këtë muaj bëhen dy vjet nga dorëzimi i aplikimit. Për Republikën e Kosovës, integrimi në BE dhe NATO nuk kanë alternativë sepse nuk duam të kemi alternativë, tha kryeministri.

Gjatë bisedës u diskutua për progresin e Kosovës, bashkëpunimin rajonal dhe sigurinë. Kryeministri tha se Kosova ka shënuar progres të madh ekonomik dhe demokratik, dhe se është palë aktive në bashkëpunimin rajonal dhe integrimin ekonomik në rajon sipas rregullave dhe standardeve të BE-së. Për sa i përket sigurisë, ai tha se Republika e Kosovës ka menaxhuar me sukses sfidat më të rënda dhe kërcënimet më serioze që prej shpalljes së pavarësisë, duke iu referuar sulmit paramilitar dhe agresionit të Serbisë në Banjskë në shtator të vitit 2023, ku mbeti i vrarë një rreshter i Policisë së Kosovës, dhe sulmit kinetik të 29 nëntorit në kanalin e ujit “Ibër Lepenc” në Zubin Potok, me ç’rast u rrezikua që gjysma e popullsisë të mbetet pa ujë dhe pa energji elektrike. Ndërkohë që hetimet për sulmin e fundit po vazhdojnë, kryeministri nënvizoi që në mesin e konfiskimeve të bëra në lidhje me rastin, krahas armatimit dhe municioneve, janë gjetur edhe 74 emblema ushtarake, prej të cilave 20 janë të njësive të ndryshme ushtarake ruse, përveç atyre serbe. , 

Në lidhje me dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, kryeministri theksoi rëndësinë që sa herë të flitet për dialogun si proces të përmendet fakti që ka një Marrëveshje Bazike e cila ka një Aneks të Zbatimit, por që në vazhdimësi shkelet nga Serbia. Ai tha se Marrëveshja Bazike duhet të respektohet dhe duhet të zbatohet dhe se garanci për këtë është pikërisht nënshkrimi i saj.

Kryeministri Kurti e falënderoi Përfaqësuesen e Lartë, Kallas për mikpritjen. Gjatë qëndrimit në Bruksel, ai gjithashtu do të marrë pjesë në darkën e shtruar për liderët e Ballkanit Perëndimor nga Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa. Paraprakisht do të ketë një takimi bilateral me të.