Takimi me SBASHK-un, MASHT: Në qeverisjet e kaluara janë nënshkruar marrëveshje që po na paraqesin probleme, ky gabim nuk do të përsëritet

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka shkruar në lidhje me takimin që kanë mbajtur sot me SBASHK-un. Përmes një postimi në Facebook, MASHT ka shkruar se në këtë takim është diskutuar për nismat e ndërmarra së fundmi në arsimin parauniversitar, përfshirë temat e ngritura nga SBASHK-u. MASHT ka shkruar se dokumentet dhe iniciativat…

Lajme

03/12/2024 17:45

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka shkruar në lidhje me takimin që kanë mbajtur sot me SBASHK-un.

Përmes një postimi në Facebook, MASHT ka shkruar se në këtë takim është diskutuar për nismat e ndërmarra së fundmi në arsimin parauniversitar, përfshirë temat e ngritura nga SBASHK-u.

MASHT ka shkruar se dokumentet dhe iniciativat për ndryshime legjislative duhet të trajtohen brenda kornizës ligjore, pasi çdo qasje e njëanshme mund të shkaktojë përçarje në kolektivat e mësimdhënësve nëpër shkolla, të pengojë mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe të mos kontribuojë në objektivin e përbashkët për rritjen e cilësisë në arsim.

Ministria e Arsimit ka thënë se gjatë qeverisjeve të kaluara, në periudha zgjedhore, janë nënshkruar marrëveshje të shumta me sindikatën, të cilat kanë prodhuar pasoja juridike me të cilat institucionet po vazhdojnë të përballen. Prandaj sipas tyre një gabim i tillë nuk do të përsëritet.

“Çështja e pagave për mësimdhënësit është rregulluar me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik (08/L-196) dhe përcaktohet nga ligji vjetor i buxhetit. Rrjedhimisht, rritja e koeficientit përfshin edhe mësimdhënësit. Sa i përket kontratës kolektive, diskutimi nuk duhet të jetë i njëanshëm dhe as i margjinalizuar. Ky diskutim mund të zhvillohet nga BSPK dhe Këshilli Ekonomik Social në nivel qeveritar, sapo të krijohen kushtet e përcaktuara me ligj. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit mbetet gjithmonë e hapur për të diskutuar dhe bashkëpunuar me SBASHK-un në përputhje me zhvillimin dhe ngritjen e cilësisë së arsimit në Kosovë, si dhe për trajtimin e përbashkët të çdo nisme ligjore brenda infrastrukturës ligjore të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim. /Lajmi.net/ 
Postimi i plotë në Facebook: