Rikthimi i Vjosa Osmanit në LDK? Lutfi Haziri: Nëse sheh për rikthim, e ka partinë “Guxo” që e themeloi vet

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka folur për mundësinë e rikthimit të Vjosa Osmanit në LDK. Ai për lajmi.net ka thënë se Vjosa Osmani tashmë ka një parti të saj që e ka themeluar dhe nuk e sheh të arsyeshme rikthimin e saj po në atë parti që doli për të themeluar…

Lajme

26/11/2024 20:00

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka folur për mundësinë e rikthimit të Vjosa Osmanit në LDK.

Ai për lajmi.net ka thënë se Vjosa Osmani tashmë ka një parti të saj që e ka themeluar dhe nuk e sheh të arsyeshme rikthimin e saj po në atë parti që doli për të themeluar partinë “Guxo”.

Madje Haziri në njëfarë forme ia bëri të qartë Osmanit se kthimi në LDK është thuajse i pamundur.

E rikthimin e Osmanit në ish-partinë politike të saj e komentuan shumë së fundi, sidomos pas deklarimit që pati në fjalimin vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Shumë analistë, politikan e qytetarë e “nuhatën” dëshirën e bashkimit të mundshëm të Osmanit me LDK-në. Por sipas Hazirit, Osmani do të duhej të kthehej në “Guxo”, e jo në LDK-në e Abdixhikut tashmë.

“Vjosa Osmani është presidente, ajo shef përpara besoj në përfundimin e këtij mandati dhe eventualisht në një mandat tjetër kushtetues që i lejohet. Nuk e shoh asnjëherë që Vjosa Osmani si personalitet politik në detyrën e presidentes sheh mbrapa, sheh me u rikthy. Po nëse sheh mbrapa për rikthime, ajo ka partinë Guxo që do të duhej me shku diku tjetër ku e ka themelu vet. Edhe atë themelim të asaj partie e ka bo si dalje nga LDK-ja e kjo është ajo që unë e shoh realisht” ka thënë Haziri.

Haziri shtoi se dera e LDK-së është e hapur për qytetarët dhe se nuk është në interes të LDK-së që të merret me funksionarë të partive tjera.

“LDK-ja ka hap derën për të gjithë qytetarët e Kosovës, për rikthimin e votuesve që e patën humb besimin për një arsye apo tjetër, për me funksionar nuk është ka merret dhe nuk është në interes të LDK-së me u marr me funksionarë të partive tjera e as ata institucional” shtoi ai.

Haziri deklaroi se partia e tij është fokusuar në rikthimin e besimit te qytetarët.

“Që nga 19 nëntori i vitit 2023 LDK-ja ja ka qartësu politikat editoriale, ka bo zgjedhje te brendshme dhe ka konfirmu që me 10-tshin e Lumir Abdixhikut do te jetë e gatshme në çdo kohë që do ketë zgjedhje, tash më 9 shkurt që janë vendos zgjedhjet dhe jemi  në fazën përgatitore kemi vizitu qendrat kryesore të qyteteve të Kosovës, mobilizimi dhe reagimi i  qytetarëve është jashtëzakonisht i besushëm dhe ndryshimi nën udhëheqjen e Lumir Abdixhikut po ndodh ne besojmë që deri më 9 shkurt të krijojmë shumicën e nevojshme si parti e parë  në Republikën e Kosovës.  Rikthimi i  madh do të ndodh”, ka thënë Haziri.

E deri më tani nga LDK-ja nuk ka pasur asnjë shenjë për ndonjë koalicion  të mundshëm.

Madje në LDK nuk ka pasur as “kthim” të ndonjë prej figurave politike që dikur i takonin kësaj partie, e më pas ishin larguar.

Së fundi nga kjo parti ishte njoftuar për disa aderime, por të ish-deputetëve të VV-së.

Drita Millaku ishte emri i fundit që u publikua, e që iu bashkua rrugëtimit të LDK-së në politikë, e në zgjedhjet e 9 shkurtit.

LDK-ja u “përforcua” edhe nga të rinjt, ku aty iu bashkua ish-fituesi i edicionit “Big Brother VIP Kosova”, Lumardh Salihu.

Bashkimi i Lumbardh Salihut në LDK ishte paksa befasues duke e ditur rrugëtimin politik të babait të ish-ish deputetit të VV-së, Salih Salihu.

Siç duket kalimi nga VV në LDK veçse ka ngjallur interes tek disa prej emrave të lakuar tashmë në publik.

Vjosa Osmani ndërkohë vazhdon të përfaqësojë Kosovën si Presidente. Ajo në fjalimin e saj vjetor pati kritika të shumta për kreun e qeverinë, Albin Kurti, me të cilin deri para disa muajsh ishin thuajse të pandarë në qëndrime, në vendime e në bashkëpunime.

Por “krisja” e marrëdhënieve me Kurtin, por edhe me ish-partiaken Donika Gërvalla-Schwarz dhe deklarimet e “ashpra” në drejtim të tyre nxiti dyshimet për kthimin e mundshëm të presidentes në LDK.

Se a do t’u bashkohet Vjosa Osmani ish-bashkëpartiakëve, apo do të tentojë të marrë edhe një mandat si presidentes mbetet të shihet në përfundim të këtij mandati.

Zgjedhjet e 9 shkurtit nga presidentja Osmani u caktuan pas një takimi që pati zhvilluar me liderët e partive më të mëdha në vend. E pikërisht në këtë takim kishte refuzuar t’i shkonte lideri i VV-së, Albin Kurti.

Që aty thuajse edhe u bë e ditur krisja e raporteve në mes tyre./Lajmi.net/