Rasti “400 kg kokainë”, ish-zyrtari financiar i “MC Food” flet për komunikimet mes të akuzuarve
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në seancën e së hënës, në gjykimin për rastin e 400 kg kokainë është dëgjuar dëshmitarit Lulzim Krasniqi, ish-zyrtar kryesor financiar i kompanisë “MC Food”, i cili ka folur lidhur me komunikimet e të akuzuarve. Krasniqi ka pohuar se të akuzuarit i njeh duke qenë se kanë punuar në të…
Lajme
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në seancën e së hënës, në gjykimin për rastin e 400 kg kokainë është dëgjuar dëshmitarit Lulzim Krasniqi, ish-zyrtar kryesor financiar i kompanisë “MC Food”, i cili ka folur lidhur me komunikimet e të akuzuarve.
Krasniqi ka pohuar se të akuzuarit i njeh duke qenë se kanë punuar në të njëjtin vend, në kompaninë “MC Food”.
Për të akuzuarin Kadri Brahimi ai ka pohuar të ketë dëgjuar të njëjtin duke folur në telefon me të akuzuarin tjetër, Faton Vrajolli, në raport me mallrat e pranuara në kompani përmes kontenjerëve, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas tij, këto komunikime (mes Vrajollit dhe Brahimit) kanë qenë të rregullta që të kontaktohet me depoistin për aranzhimin dhe sistemimin e mallrave në depo, mirëpo sipas tij, ka pas raste kur ka pas komunikime për paketa specifike në kontenjer të caktuar.
Për deklaratën e dhënë në Prokurori, ai është tha se i qëndron edhe sot e që kishte të bëjë pikërisht me këto komunikime.
Sipas asaj deklarate, dëshmitari Krasniqi kishte thënë se “mu ka kujtuar kur kanë ardhë disa kontenjer të caktuar në kompani kam dëgjaur kur Faton Vrajolli e ka thirr në telefon personalisht depoistin Kadri Brahimi dhe i ka thënë ‘e kam një paketë në atë kontenjer dhe mos e hap deri sa të vi unë e ta marr sepse kam material reklamus”.
Për të njëjtën deklaratë, i pyetur edhe sot dëshmitari tha se ajo çfarë ka thënë është e vërtetë plotësisht.
Po ashtu, dëshmitari tha se i kujtohet që edhe i akuzuari Izet Sheqiri ka thirrur depoistin Kadri Brahimi në lidhje me mallrat.
Lidhur me këtë çështje, prokurori, Valdet Gashi përsëri i ka kujtuar dëshmitarit deklaratën e dhënë në Prokurori ku i njëjti kishte deklaruar se “poashtu e kam dëgjuar disa herë edhe Izet Sheqirin kur ka kërkuar nga depoisti Kadri Brahimi duke i thënë se ‘një paletë të caktuar në kontenjer të caktuar ta ndaj si të veçantë se kam me e dërgu te një klient i veçantë në Mal të Zi’.
Edhe për këtë, dëshmitari ka pohuar se kjo pjesë e deklaratës së tij është e vërtetë dhe qëndron pas saj.
I njëjti, për këto dy raste thotë se iu kanë kujtuar pasi ka dëgjuar në media për rastin konkret.
I akuzuari Izet Sheqiri ka parashtruar pyetje ndaj dëshmitarit Krasniqi nëse ka qenë vetëm i akuzuari Brahimi depoist apo ka pasur të tjerë, dëshmitari pohoi se ka pasur edhe të tjerë punëtorë përveç Brahimit.
Në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Faton Vrajolli, avokatit Leotrim Syla, në lidhje me faturat që kanë të bëjnë me hyrje-daljet dhe çdo faturë tjetër, dëshmitari ka thënë se nuk është marrë to pasi këto kanë qenë detyra të punëtorëve të niveleve tjera, përfshirë edhe faturat në lidhje me mostrat dhe materialet reklamuese.
Ndërsa, në lidhje me atë se pse për çështjen rreth paketës për Mal të Zi është deklaruar në Prokurori por jo edhe në Polici, ai ka thënë se në polici është përgjigjur në pyetje konkrete, ndërsa në Prokurori është lejuar të shtoi çfarëdo që i kujtohet.
“Në polici më kanë kërkuar të sqaroj për një deponim në llogari bankare të kompanisë që e kam bërë unë dhe disa punëtorë te kompanisë në vlera rreth 9 mije-9 mije e 500 euro, rreth 4-5 persona të cilat mjete i kemi pranuar nga pronari… ndërsa në Prokurori përveç asaj është kërkuar edhe ndonjë detaj tjetër shtesë që kam pasur në njohuri lidhur me këtë rast”, tha mes tjerash Krasniqi.
Gjithashtu, dëshmitari ka mohuar të ketë dyshuar në kohën kur ai ka punuar në kompani, që materiali reklamues në fjalë i sjellë nga furnitori të ketë ardhur si rrjedhojë e ndonjë aktiviteti kriminal.
Tutje, në pyetjen e të akuzuarit Vrajolli, Krasniqi, ai tha se duke qenë se e ka njohur mirë të akuzuarin, asnjëherë nuk ka pasur ndonjë dyshim lidhur me aktivitetin për të cilin Vrajolli akuzohet.
Avokati Xhafer Maliqi, mbrojtës i të akuzuari Kadri Sheqiri ka kërkuar nga dëshmitari të dijë nëse marrëdhënia e punës së tij është ndërprerë nga ana e tij apo nga ana e kompanisë “MC Food”, për të cilën dëshmitari ka thënë se është larguar vullnetarisht.
Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Ngadhnjim Arrni ka kërkuar nga dëshmitari të sqaroj se pse kur ka dëgjuar në media për rastin ka bërë lidhshmërinë me komunikimet në telefon të sipërpërmendura dhe substancave narkotike të gjetura më vonë.
Për këtë çështje dëshmitari ka thënë se i ka shkuar në mendje nëse të njëjtit edhe më parë, pra gjatë kohës sa ai ka punuar aty të kenë mundur të ndodhin të tilla gjëra.
“Mu rikujtu në ato momente që, tash po e ndërlidhi që paska pas mundësi këta me punu edhe ma herët me këto çështje, kjo është ndërlidhja”, shtoi Krasniqi.
Vlen të përmendet që në këtë seancë, mbrojtësi i të akuzuarit Izet Sheqiri, avokati Florent Latifaj ka pyetur dëshmitarin në rast se i njëjti ka aktakuzë të ngritur nga ana e Prokurorisë për “Keqpërdorim besimi” të 23 mijë e 890 euro në lidhje me kompaninë në fjalë.
Për aktakuzën e lartpërmendur, Latifaj ka bërë me dije se dëshmitari është akuzuar se në cilësinë e drejtorit financiar nga firma “MC Food” në llogarinë e tij personale ka tërhequr shumën e lartcekur.
Lidhur me këtë, Krasniqi ka thënë se nuk ka vepra penale, pra nuk ka dijeni për këtë çështje dhe se realizimin e shumave të përmendura e ka bërë në bazë të autorizimit të përgjithshëm.
“Unë kam pas autorizim të përgjithshëm, nuk kam marrë kurrë autorizim specifik sepse asnjëherë nuk kam marrë autorizime specifike”, ka përfunduar Krasniqi.
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), për rastin e sekuestrimit të 400 kilogramëve kokainë, të akuzuar janë pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, dhe gjashtë të tjerë, Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi, Fehmi Bytyqi, Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina.
Ndryshe, “Betimi për Drejtësi”, ka raportuar ekskluzivisht për dosjen e Prokurorisë lidhur me këtë rast, ku akuzohet pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, si dhe Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Rrahimi, Fehmi Bytyqi, Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina.
Bashkë me pesë të akuzuarit, në këtë rast akuzoheshin edhe Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina, por pas arritjes së marrëveshjes për pranimin e fajësisë çështja penale ndaj tyre ishte veçuar.
Ndryshe, i akuzuari Hyzri Sheqiri pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie me Prokurorinë, është dënuar me 7 muaj burgim efektiv për pengim të procedurës penale. Kurse, i akuzuari Naim Morina pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie, është dënuar me 6 muaj burgim efektiv për pengim të procedurës penale.
Në këtë aktakuzë, Prokuroria ka propozuar të konfiskohen 400 kilogramë kokainë, makina, armë e rreth 26 mijë eurove.