Murati: Kontratat me procedurë të negociuar, opozita qëllimisht po i quan gabimisht – kontrata njëburimore
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook rreth kontratave me procedurë të negociuar. Sipas Muratit, me muaj të tërë ka dëgjuar nga opozita ‘shpifje’ e ‘propagandë’ për prokurimin që bëhet përmes procedurave të negociuara. Sipas Muratit, opozita qëllimshëm dhe gabimisht kontratat me procedurë të negociuar po…
Lajme
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook rreth kontratave me procedurë të negociuar.
Sipas Muratit, me muaj të tërë ka dëgjuar nga opozita ‘shpifje’ e ‘propagandë’ për prokurimin që bëhet përmes procedurave të negociuara.
Sipas Muratit, opozita qëllimshëm dhe gabimisht kontratat me procedurë të negociuar po i quan si kontrata njëburimore.
Murati thotë se e gjithë kjo shpifje nga ana e opozitës është propagandë nga qeverisë “Kurti”.
Reagimi i plotë i Muratit, pa ndërhyrje:
Tash e disa muaj keni dëgjuar nga opozita shpifje e propagandë për prokurimin që bëhet përmes procedurave të negociuara.
Në prononcimet e tyre, kontratat me procedurë të negociuar ata i quajnë gabimisht, e qëllimshëm, herë kontrata njëburimore, e herë tenderë sekretë, dhe shpesh përdorin shifra të mëdha e flasin për keqpërdorime, për të krijuar përshtypjen te publiku se këtu me të vërtetë duhet të ketë diçka.
Por e tëra është shpifje e propagandë, në kuadër të luftës ndaj Qeverisë Kurti, me të gjitha mjetet.
E para, prokurimi me procedurë të negociuar është i paraparë në Ligjin për Prokurimin Publik, saktësisht Nenit 34 dhe Neni 35, pra nuk ka asgjë të paligjshme kur një autoritet kontraktues përdorë këtë metodë, për aq sa plotësohen kriteret e kërkuara me ligj.
E dyta, shifrat e përdorura në kuadër të propagandës, për numrin e kontratave me procedurë të negociuar dhe vlerën e tyre, përfshijnë të gjitha institucionet – qeverinë qendrore, institucionet e pavarura, komunat, dhe ndërmarrjet publike.
Prandaj edhe përdorimi i këtyre shifrave duke thënë se janë qindra miliona euro e mijëra kontrata duke ia atribuuar qeverisë qendrore, është manipulim vetëm e vetëm për të krijuar përshtypjen te qytetari se kemi të bëjmë me një keqpërdorim të madh, se përndryshe kush ka guximin të gënjejë për diçka kaq të madhe.
Dhe e treta, nëse e shikojmë nëpër vite se si ka qenë raporti i kontratave me procedurë të negociuar nëpër vite, del se niveli më i lartë i përdorimit të kësaj lloj metode, pra tenderë njëburimorë apo tenderë sekretë siç ka qef t’i quajë opozita, ka qenë në vitet 2008 me 19.9% dhe në vitin 2015 me 16.1%.
Në grafikon, me vijë të kuqe është paraqitur përqindja e vlerës së kontratave me procedurë të negociuar në raport me vlerën totale të kontratave, nëpër vite.
Edhe në vitin 2008, edhe në vitin 2015, në qeverisje ka qenë koalicioni PDK-LDK. Madje në vitin 2015 ka qenë ministre edhe deputetja Bajrami, e cila është aq e zellshme të “denoncojë” këtë metodë të prokurimit.
E nëse me të vërtetë duhet konsideruar kontratat me procedurë të negociuar si potencial për korrupsion, atëherë hetimet do duhej të fillonin pikërisht nga këto vite, 2008 dhe 2015 për të gjetur korrupsionin më të lartë.
Por Prokuroria Speciale nuk i bën ato hetime, sepse Prokuroria Speciale nuk është e interesuar ta luftojë krimin e korrupsionin.
Prokuroria Speciale është e interesuar ta luftojë Albin Kurtin, për t’ia bërë një argat opozitës. Kjo dëshmohet edhe në shkresat që u dërgojnë institucioneve kur kërkojnë dokumentacionin për “kontratat njëburimore” (termi i përdorur nga opozita), e jo “kontratat me procedurë të negociuar” siç është termi zyrtar.