“Varrin e babait ta vizitojë pa familjar”, publikohet vendimi i DhSK-së që lejoi Shalën të vinte në Kosovë

Në tetor të 2024-ës, Haxhi Shala ishte lejuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë që me rastin e vdekjes së babait të tij të vij në Kosovë, por vizita ishte realizuar nën kushte të rrepta të sigurisë të cilat duhej të respektoheshin deri në përfundim të vizitës dhe kthimit në Hagë. Babai…

Lajme

21/11/2024 13:30

Në tetor të 2024-ës, Haxhi Shala ishte lejuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë që me rastin e vdekjes së babait të tij të vij në Kosovë, por vizita ishte realizuar nën kushte të rrepta të sigurisë të cilat duhej të respektoheshin deri në përfundim të vizitës dhe kthimit në Hagë.

Babai i Shalës kishte vdekur më 8 tetor 2024 dhe varrimi ishte organizuar po atë ditë për çka mbrojtja kishte parashtruar se ka rendësi të madhe që Shala të vizitojë varrin e babai dhe të jep mbështetjen e tij emocionale për anëtarët e ngushtë të familjes.

Si rrjedhojë, mbrojtja kishte kërkuar lirimin e përkohshëm të Shalës për arsye bindëse humanitare për një periudhë tre ditore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ata kishin kërkuar që vizita të organizohej sa më shpejt të jetë e mundur në mënyrë që Shala të marrë pjesë në varrim. Megjithatë, pjesëmarrja në varrim ishte refuzuar por ishte aprovuar vizita tek varri i babait pa prezencën e anëtarëve të familjes e vetëm me eskortën e sigurisë.

Në vendimin e DHSK-së, të publikuar më 15 nëntor 2024, thuhej se Shala, anëtarët e ngushtë të familjes dhe as avokati i tij nuk duhej ta informonin asnjë palë të tretë për vizitë dhe se ata nuk duhet të kenë kontakte me media apo të bëjnë deklarata publike lidhur me këtë çështje.

Vendimi për lirimin e Shalës ishte urdhëruar që të ndahej vetëm me ZPS-në, Shalën dhe avokatin e tij kryesor. Ndërsa, avokati nuk duhej që të informonte anëtarët e tjerë të ekipit mbrojtës.

“Avokatët nuk duhet t’i zbulojnë asnjë pale të tretë (përfshirë anëtarët e tjerë të ekipit të tij) ekzistencën e këtij vendimi dhe/ose lirimin e përkohshëm të z. Shala deri në kthimin e tij. Avokati Kryesor duhet të sigurojë që avokatët dhe anëtarët e tjerë të ekipit të tij të mos komentojnë publikisht për këtë çështje dhe të mos ndajnë informacione që lidhen me këtë çështje me mediat”, thuhej në vendim.

Por, Specialja ishte parashikuar edhe mundësinë që prania e Shalës në Kosovë të bëhej e ditur.

Si rrjedhojë, regjistri i DhSK-së, ZPS-ja ishin të autorizuar që të ndërmarrin çdo veprim që ata e shohin të nevojshme për arsye sigurie duke përfshirë edhe ndërprerjen e vizitës.

Kurse, gjatë qëndrimit në Kosovë, Shala në çdo moment dhe pa përjashtim duhet të ishte nën shoqërimin e përfaqësuesve të Gjykatës Speciale.

“Në asnjë rast z. Shala nuk duhet të jetë vetëm dhe ai duhet të jetë gjithmonë në shikim dhe brenda dëgjimit të oficerëve shoqërues. Oficeri kryesor i kujdestarisë mund të ushtrojë diskrecionin e tij/saj dhe të marrë çdo vendim që e sheh të nevojshëm në lidhje me vizitën në kujdestari bazuar në sigurinë operative, përfshirë ndërprerjen e parakohshme të vizitës.”, thuhet në vendim.

Gjithashtu, në vendim ishin caktuar edhe vendet se ku ishte i lejuar Shala të shkonte duke përfshirë edhe varrin e babait.

“Z. Shala duhet të mbahet në vendin e transferimt kur nuk është duke kryer vizita të autorizuara. Lëvizjet e tij në Kosovë duhet të përfshijnë vetëm udhëtime midis: (i) [REDAKTUAR]; (ii) [REDAKTUAR]; (iii) varrit të babait të tij të ndjerë; dhe (iv) vendit të transferimit”, thuhet në vendim.

Vendimi thekson se gjatë vizitës së Shalës tek varrimi i babait, aty nuk lejohej prania e anëtareve të ngushtë të familjes apo ndonjë personi tjetër.

Vendimi ia kishte caktuar Shalës edhe numrin e anëtarëve të familjes që duhet të ishin të pranishëm në vendqëndrimin e Shalës por që kjo përmbajtje është e redaktuar.

“Gjatë vizitës një herë dhe të kufizuar në kohë të z. Shala në [REDAKTUAR], nuk lejohen të jenë të pranishëm më shumë se një total prej [REDAKTUAR] anëtarësh të familjes të miratuar paraprakisht, të cilët mund të përfshijnë anëtarë të ngushtë të familjes (prindërit, bashkëshortin/en, fëmijët, vëllezërit/motrat dhe nipërit/mbesat)”, thuhet në vendim.

Për zbatimin e kësaj, mbrojtja ishte urdhëruar që të dorëzojë kopje të dokumenteve identifikuese të familjarëve me fotografi të tyre pranë regjistrit për miratim paraprak .

“Gjatë vizitës në [REDAKTUAR], të gjithë pjesëmarrësit familjarë [REDAKTUAR] duhet të paraqesin dokumente identifikimi me fotografi tek oficeri kryesor i kujdestarisë dhe z. Shala nuk lejohet të komunikojë me asnjë person tjetër përveç pjesëmarrësve familjarë [REDAKTUAR] dhe oficerëve shoqërues të Gjykatës Speciale”, thuhet në vendim.

Përveç këtyre urdhërove, palët ishin urdhëruar që të njoftojnë panelin në rast se ka nevojë për ndryshimin e ndonjërës nga kushtet e përcaktuara në vendim.

Gjithashtu, ishte autorizuar regjistri që të bëjë marrëveshje me partner të jashtëm për implementimin e këtij vendimi.

Ndërsa, autoriteteve në Kosovë iu ishte rikujtuar se ato duhet të respektojnë pa vonesë çdo vendim të lëshuar nga DhSK-ja ose çdo kërkesë për ndihmë.

Mbrojtja ishte urdhëruar që të sigurojë për regjistrin të dhënat e individëve që do të jenë të pranishëm ose që do ta vizitojnë Shalën në vendin e transferimit në Kosovë.

Krejtësisht në fund, regjistri ishte urdhëruar që të ofroj përditësime dhe të dorëzojë raporte lidhur me mbarëvajtjen e vizitës pasi të kthehet Shala në Hagë.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kishte dorëzuar më 12 janar aktakuzën e përbashkët për çështjen gjyqësore të Sabit Januzit dhe Ismet Bahtijarit dhe atë të Haxhi Shalës.

Në seancën e parë,  para gjyqtarit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou, Bahtijari dhe Januzi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që iu vihen barrë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Gjithashtu, më 8 korrik janë bërë ndryshime në aktakuzën e përbashkët ku janë shtuar akuzat ndaj Bahtijarit dhe Januzit për frikësim përmes premtimit ose dhuratës, e cila përkufizohet edhe me Kodin Penal të Kosovës.

Aktakuza ndaj tyre është ngritur më 4 tetor 2023, me të cilën ngarkohen se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.

Ata akuzohen për përpjekje për pengim të personave zyrtarë për kryerjen e detyrës zyrtare, me anë të kërcënimit të rëndë, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër rendit publik, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 28, 31, 33, 35 dhe 401 (1) dhe (5) të KPK-së, dhe neneve 15 (2) dhe 16 (3) të Ligjit.

Po ashtu, për përpjekje për pengim të personave zyrtarë për kryerjen e detyrës zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër rendit publik, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 28, 33, 35, dhe 401 (2) dhe (5) të KPK-së, dhe neneve 15 (2) dhe 16 (3) të Ligjit. Po ashtu, për përpjekje për frikësim gjatë procedurës penale, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 31, 33, 35 dhe 387 të KPK-së, dhe neneve 15(2) dhe 16 (3) të Ligjit.

Më 6 tetor, në një njoftim të Zyrës së Prokurorit të Specializuar është thënë se Ismet Bahtijari dhe Sabit Januzi janë arrestuar dhe transferuar në Hagë nën dyshimin se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.

Sipas aktakuzës, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, përmes kërcënimit të rëndë dhe veprimit të përbashkët të një grupi personash në të cilin të dy morën pjesë, tentuan të pengonin persona zyrtarë, si gjykatës, prokurorë, zyrtarë të gjykatës, zyrtarë të prokurorisë apo persona të autorizuar nga gjykata ose prokuroria, në kryerjen e detyrave zyrtare.

Kurse, në aktakuzën e 12 dhjetorit 2023, Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly Ëest akuzon Shalën për frikësim të dëshmitarëve, tentativë me anë të kërcënimit të rëndë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare individualisht dhe me pjesëmarrje në grup.