Ministria Kulturës dha tenderë për punë shtesë në Rezidencën e Rugovës, një ditë para vizitës së Çekut me Kurtin atje
Ministria e Kulturës ka dhënë edhe një kontratë tjetër për restaurimin e Rezidencës së Presidentit Ibrahim Rugova. Kontrata është dhënë me negocim, e vlera e saj është mbi 14 mijë euro. Punimet pritet të zgjasin dy muaj. Kryeministri Albin Kurti ka mbikëqyrur dje punimet që po bëhen për restaurimin e Rezidencës së Presidentit historik Ibrahim…
Lajme
Ministria e Kulturës ka dhënë edhe një kontratë tjetër për restaurimin e Rezidencës së Presidentit Ibrahim Rugova. Kontrata është dhënë me negocim, e vlera e saj është mbi 14 mijë euro. Punimet pritet të zgjasin dy muaj.
Kryeministri Albin Kurti ka mbikëqyrur dje punimet që po bëhen për restaurimin e Rezidencës së Presidentit historik Ibrahim Rugova, që kanë filluar tash e disa javë. Këtë rezidencë, Kurti e cilësoi si “margaritarin e lagjes Velania”.
Pas vizitës, Kurti tha se ndërhyrjet janë drejt përfundimit. Por, vetëm një ditë para kësaj vizite, Ministria e Kulturës, që udhëhiqet nga Hajrulla Çeku, ka dhënë një kontratë tjetër për punë shtesë në këtë rezidencë.
Kontrata është dhënë me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, derisa vlera e saj është 14 mijë e 471 euro. Afati për përfundimin e punimeve është 2 muaj.
Lidhur me përdorimin e kësaj procedure, Ministria ka dhënë një shpjegim.
“Arsyetimi për zgjedhjen e procedurës së negociuar kjo procedurë gjenë zbatim në Ligji për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës nr. 04 L-042 i ndryshuar dhe plotësuar me Lgjin Nr. 04 L-237, Ligjin Nr. 05 L-068 dhe Ligjin Nr. 05 L-092. Punë shtesë sipas aprovimeve paraprake nga Departamenti i Trashëgimisë Kulturore, Menaxheri i Kontratës, Organi Mbikëqyrës dhe Sekretari i Përgjithshëm të njëjtat kanë aprovim të mjeteve financiare dhe se janë paraqitur të gjitha dokumentacionet e nevojshme të tilla si 1. Deklarata e Disponueshmerisë se Mjeteve 2. Aprovimet nga Menaxheri i Kontratës, Udhëheqësi i Drejtpërdrejt dhe ZKA 3. Kërkesa për punë shtesë nga Operatori Ekonomik 4. Paramasa dhe Parallogaria 5. Vendimet e caktimit të personave përgjegjës 6. Kontrata Bazë – Intervenime emergjente në rajonin e Prishtinës – Rezidenca Dr Ibrahim Rugova – Ritenderim i tretë me numër identifikues me numër identifikues 207-23-12309-5-2- 1 C356 (207-23-113-5-2-1)”, thuhet në dosjen e tenderit.
Kontrata është lidhur me konsorciumin “LIMITPROJECT SH.P.K.; Rinesa SH.P.K”, e nënshkrimi është planifikuar të bëhet sot.
Punët shtesë do të kryhen në katër terracat.
“Furnizimi me material si dhe punimi i fasadës – fasadex në pjesët e brenshme të mureve të atikës duke përfshi edhe fasadën rreth oxhaqeve”, janë punët që do të kryhen tek secila terracë.
Pas vizitës së djeshme në këtë rezidencë ku u prit nga bashkëshortja e Presidentit Rugova, Fana dhe dy djemtë e tyre, Mendimi dhe Uka, Kryeministri Albin Kurti tha se me këto ndërhyrje, Rezidenca do të vazhdojë të ruaj kujtesën mbi njërën ndër periudhat më të rëndësishme të popullit tonë.
“Sot ishim për të parë nga afër rezultatin e punës deri tash. Restaurimi po udhëhiqet nga ekipe profesionale në respekt të vlerave që ka kjo shtëpi, e cila është pjesë e listës së aseteve të trashëgimisë që mbrohen me ligj. Kujdesin tonë ndaj trashëgimisë kulturore tanimë e kemi të dëshmuar. Në këtë kuadër, po sigurohemi që si institucione të shtetit të mirëmbajmë respektin për figurat qendrore të historisë moderne të Kosovës”, shkroi Kurti.
Bashkëshortja e Presidentit Rugova, Fana, tha për një kohë të gjatë nuk është investuar asgjë në këtë rezidencë.
Ajo falënderoi Kurtin dhe Çekun për interesimin për zhvillimin e punimeve.
“Është shku një kohë e gjatë pa u bë kurfarë investimi. Shtëpia ka shumë punë, e këtu ka kohë të gjatë që s’është investu. Juve si kryeministër ju falenderojmë shumë që dhatë kontributin e juaj për me u renovu ky vend. Faleminderit shumë, e sidomos edhe Ministrin e Kulturës se edhe ky çdo herë është interesu si po shkojnë punët”, deklaroi ajo.
Ministri Çeku bëri me dije se projekti është hartuar nga vetë familja Rugova.
“Projektin e kanë hartu vetë familja, për çka ju falenderohna shumë se kanë qenë shumë të kujdesshëm, edhe punimet tash janë vec në fund”, tha Çeku.
Djali i Presidentit, Mendimi, tha se problemet kanë qenë me rrjedhjen e ujit nga terracat.
Punimet për restaurimin e kësaj residence kanë filluar më 17 shkurt. Për këtë kishte njoftuar Ministri Hajrulla Çeku,.
“Kanë nisur punimet restauruese në Rezidencën e Presidentit Ibrahim Rugova. Ky aset i trashëgimisë kulturore në mbrojtje të shtetit, do të ruhet dhe të gëzoj dinjitet”, kishte shkruar Çeku.
Tenderi për restuarimin e kësaj rezidence ishte dhënë në ritenderimin e tretë.
Vlera e kontratës ishte mbi 148 mijë euro. Kontrata ishte nënshkruar më 15 shkurt, derisa punimet ishin paraparë të kryhen për tre muaj, saktësisht në qershor. Tani jemi në muajin nëntor, e punimet po vazhdojnë ende.