GAP prezanton raportin për Projektbuxhetin e vitit 2025
Projektbuxheti i vitit 2025, i cili tashmë ka kaluar shqyrtimin e parë në Kuvendin e Kosovës, ka një vlerë të planifikuar prej rreth 3.6 miliardë euro, që përfaqëson një rritje prej 293 milionë euro ose 8.9% më shumë se buxheti i vitit 2024. Përmes këtij raporti, Instituti GAP ka analizuar në detaje ndarjet kryesore buxhetore…
Lajme
Projektbuxheti i vitit 2025, i cili tashmë ka kaluar shqyrtimin e parë në Kuvendin e Kosovës, ka një vlerë të planifikuar prej rreth 3.6 miliardë euro, që përfaqëson një rritje prej 293 milionë euro ose 8.9% më shumë se buxheti i vitit 2024.
Përmes këtij raporti, Instituti GAP ka analizuar në detaje ndarjet kryesore buxhetore për vitin 2025, duke ofruar përgjigje për disa prej çështjeve më të rëndësishme.
Për vitin 2025, rreth 219 milionë euro nga rritja e buxhetit janë të destinuara për shpenzime rrjedhëse, duke përfshirë rritjen e pagave në sektorin publik (111 milionë euro shtesë ) dhe mbështetjen për pensione dhe transfere (93.4 milionë euro shtesë).
Raporti thekson se për investimet kapitale, është planifikuar një rritje prej 71 milionë euro. Rreth 90% e projekteve janë bartur nga vitet e kaluara dhe janë 264 projekte që i përkasin periudhës 2008-2019 e që marrin një buxhet prej 258 milionë euro në vitin 2025. Ndërkohë, është vërejtur një shpërndarje më e barabartë e investimeve kapitale të reja nga qeveria qendrore drejt komunave, duke reduktuar diskriminimin politik në baza partiake. Komunat e drejtuara nga PDK do të përfitojnë 6.7 milionë, ato të LDK 5.6 milionë euro, të VV 5 milionë euro dhe AAK 3.4 milionë euro.
“Sektorët kyç si shëndetësia, arsimi, drejtësia dhe mbrojtja kanë përfituar rritje buxhetore, por me mangësi që duhen adresuar. Në shëndetësi, buxheti për vitin 2025 është planifikuar në 358.8 milionë euro, një rritje prej 6% krahasuar me vitin 2024. Megjithatë, kjo përfaqëson vetëm 3.9% të BPV-së, duke e vendosur Kosovën pas vendeve të zhvilluara dhe të dytën me shpenzimet më të ulëta në rajon. Për sektorin e arsimit është paraparë një rritje e buxhetit me 11.1 milionë euro ose 3% më shumë se në vitin 2024. Sektori i drejtësisë do të përfitojë një rritje prej 12.2 milionë euro, duke e çuar totalin në mbi 114 milionë euro për gjashtë institucionet qendrore, me Ministrinë e Drejtësisë që merr rritjen më të madhe. Ministria e Mbrojtjes do të ketë rritje të buxhetit prej rreth 55 milionë euro, nga 153 milionë euro në vitin 2024 në rreth 208 milionë euro në vitin 2025”, thuhet në njoftimin e GAP-it.
Në anën tjetër, thuhet se për shkak të mosmiratimit në kohë të buxheteve nga kuvendet komunale, komunat si Prishtina, Gjilani dhe Zubin Potoku, rrezikojnë të kenë të njëjtin buxhet si në vitin 2024. Gjithashtu, me Projektbuxhetin 2025 shtyhet zbatimi i ligjit të ri për tatimin në pronë për vitin 2026, duke shmangur kështu zbatimin e shkallëve progresive të tatimit në vitin 2025. Në mes tjerash, Projektbuxheti 2025 nuk parashikon fonde rezervë për shpenzime të paparashikuara të komunave të cilat shpesh lidhen me kontrata kolektive të hartuara nga niveli qendror. Për më shumë, një mangësi e rëndësishme e projektuxhetit është mungesa e perspektivës gjinore, një aspekt që mbetet i paadresuar edhe në vitin 2025./rtk