Bashkëpunimi ekonomik Kosovë-Maqedoni e Veriut, këto janë sfidat dhe këmbimet tregtare

Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë rritur qarkullimin tregtar në pesë vitet e fundit, kryesisht niveli i importit të mallrave nga Maqedonia në vendin tonë. Megjithatë, ka ende sfida me të cilat përballen bizneset e Kosovës nga ana pala zyrtare në Doganën e Maqedonisë së Veriut. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulëzim Rafuna ka…

Lajme

18/11/2024 17:20

Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë rritur qarkullimin tregtar në pesë vitet e fundit, kryesisht niveli i importit të mallrave nga Maqedonia në vendin tonë.

Megjithatë, ka ende sfida me të cilat përballen bizneset e Kosovës nga ana pala zyrtare në Doganën e Maqedonisë së Veriut.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulëzim Rafuna ka thënë për KosovaPress se Maqedonia Veriore është vendi i dytë për eksport dhe import të mallrave. Rafuna ka theksuar se përveç këmbimeve tregtare, për Kosovën është me rëndësi të ketë edhe marrëdhënie të mira edhe në aspektin e investimeve të përbashkëta.

Mirëpo, Rafuna ka përmendur edhe sfidat me të cilat përballen bizneset nga pala zyrtare e Maqedonisë së Veriut.

Gjatë vitit 2023 shkëmbimet tregtare në mes Kosovës dhe Maqedonisë Veriore kanë arritur rreth 430 milionë euro. Kompanitë e Kosovës eksportuan mallra dhe shërbime në ketë shtet mbi 120.5 milionë euro kurse Kosova ka importuar nga Maqedonia rreth 309 milionë euro.

Gjatë vitit 2022, sipas Doganës së Kosovës, Kosova ka eksportuar mallra në Maqedoninë e Veriut 117 milionë euro, ndërsa ka importuar 281.2 milionë euro. Ndërsa, gjatë vitit 2019 këmbimet tregtare ishin 284 milionë euro. Eksporti nga Kosova në Maqedoni të Veriut më 2019 ishte 44 milionë euro, ndërsa importi nga ky shtet ishte 240 milionë euro.

Në mbledhjen ndërqeveritare mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për marrëdhëniet siç tha ai të mira në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut të cilat sipas tij reflektohen në rritjen “e vazhdueshme të tregtisë”. Kjo sipas tij ka arritur në 432 milionë euro në vitin 2023.

Shefi i ekzekutivit e ka quajtur këtë rritje të “jashtëzakonshme prej 52 për qind, krahasuar me vitin 2019”.

Kurti ka thënë se ka pasur rritje të eksportit nga Kosova në MV – nga 48 milionë euro në vitin 2019 në 121 milionë në vitin 2023.

Ndërsa, kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e përbashkët me Qeverinë e Kosovës ka njoftuar se bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve do të jetë mbi gjysmë miliard euro.

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut në një ceremoni sot në Prishtinë kanë nënshkruar një protokoll për zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e qytetarëve në dy pika kufitare, por edhe memorandumin e mirëkuptimit për energjinë dhe memorandumin për arsim.

Fillimisht ministri i Punëve të brendshme në Qeverinë e Kosovës, Xhelal Sveçla dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski nënshkruan protokollin për zbatimin e marrëveshjes për kalimin e pikat e përbashkëta të kalimit kufitar Hani i Elezit-Bllacë dhe Jazhincë-Glloboqicë.

Më pas është nënshkruar memorandum i mirëkuptimit në mes Ministrisë së Ekonomisë dhe Ministrisë së Energjisë, Minierave dhe burimeve minerale të Maqedonisë së Veriut në sektorin e energjisë.

Po ashtu, është nënshkruar edhe memorandumi i mirëkuptimit në mes Ministrisë së Arsimit, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencave të Maqedonisë së Veriut, që është i fokusuar në aftësimin profesional.