Doracakët e edukimit seksual, Bajrami: Kur unë isha ministër është bërë vetëm kërkesa tek UNFPA për mbështetje në hartimin e tyre
Ish ministri i Arsimit, Arsim Bajrami ka reaguar pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përmendur emrin e tij në hartimin e doracakëve të edukimit seksual. Bajrami përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se gjatë kohës sa ai udhëheqte Ministrinë e Arsimit është bërë vetëm kërkesa drejt UNFPA-së për mbështetje në hartimin e doracakëve…
Lajme
Ish ministri i Arsimit, Arsim Bajrami ka reaguar pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përmendur emrin e tij në hartimin e doracakëve të edukimit seksual.
Bajrami përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se gjatë kohës sa ai udhëheqte Ministrinë e Arsimit është bërë vetëm kërkesa drejt UNFPA-së për mbështetje në hartimin e doracakëve për mësimdhënës, shkruan lajmi.net.
Sipas tij, hartimi dhe miratimi i përmbajtjes së doracakëve nga njësitë përkatëse të MASHTI-t nuk ka ndodhur gjatë periudhës kur ai ka qenë në udhëheqje të Ministrisë, shkruan lajmi.net.
Postimi i plotë i Bajramit pa ndërhyrje:
Unë tashmë prej kohësh nuk jam i angazhuar aktivisht në politikë, mirëpo ndjeva nevojën të jap këtë sqarim, pasi kryeministri z. Albin Kurti më ka përmendur në reagimin e tij lidhur me debatet e fundit mbi temën e doracakëve për mësimdhënës “Edukimi seksual dhe shëndeti riprodhues” për arsimin fillor, arsimin e mesëm të ulët dhe arsimin e mesëm të lartë.
Dëshiroj të sqaroj se në shkurt 2016, kur unë isha në udhëheqje të MASHTI-t, është paraqitur kërkesa tek UNFPA (Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë) për mbështetje në hartimin e doracakëve për mësimdhënës. Për këtë, shpreh mirënjohjen time ndaj UNFPA-së për gatishmërinë e tyre për të ofruar ndihmë duke qenë një agjenci e Kombeve të Bashkuara që punon për të përmirësuar çështjet që lidhen me popullsinë dhe zhvillimin.
Gjithsesi, hartimi dhe miratimi i përmbajtjes së doracakëve nga njësitë përkatëse të MASHTI-t nuk ka ndodhur gjatë periudhës kur unë isha në udhëheqje të ministrisë.
Gabime në tekste shkollore, planprograme dhe doracakë kanë ndodhur (përfshirë periudhën kur unë kam shërbyer), ndodhin dhe do të ndodhin edhe në të ardhmen. Ajo që është më e rëndësishme, është që institucionet shtetërore përkatëse të jenë të hapura dhe të tregojnë gjithmonë gatishmëri për reflektim dhe përmirësim.