Greva e punëtorëve në KEK fillon më 20 nëntor, kërkohet rritje pagash

Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) do të futen në grevë më 20 nëntor të këtij viti për rritje të pagave. Këshilli i përgjithshëm i Sindikatës së Re të KEK-ut njofton se kanë marrë mbështetje të fuqishme nga punëtorët e Termocentralit Kosova A për organizimin e grevës që do të fillojë më 20 nëntor…

Lajme

14/11/2024 18:24

Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) do të futen në grevë më 20 nëntor të këtij viti për rritje të pagave.

Këshilli i përgjithshëm i Sindikatës së Re të KEK-ut njofton se kanë marrë mbështetje të fuqishme nga punëtorët e Termocentralit Kosova A për organizimin e grevës që do të fillojë më 20 nëntor 2024.

“Kjo mbështetje tregon vendosmërinë dhe unitetin e punëtorëve për të kërkuar të drejtat e tyre për paga më të drejta, kompensim për punën në kushte të rrezikshme dhe pagesë për punën gjatë fundjavave, siç është e përcaktuar me lig”, thuhet në njoftim.

“Ftojmë të gjithë punëtorët e KEK-ut që të na bashkohen në këtë përpjekje të drejtë për të mbrojtur dhe për të promovuar të drejtat e tyre. Së bashku mund të bëjmë ndryshim dhe të sigurojmë që zëri ynë të dëgjohet”, njofton Sindikata e Re e KEK-ut.

Kjo sindikatë sot, gjatë vizitave në të gjitha departamentet e DPQ-së, përfshirë Departamentin e Mirëmbajtjes, Garazhin, Kosovën Mont në Palaj, Mirash me Departamentin e Djerrinës, Departamentin e Qymyrit, Departamentin e Shërbimeve, Departamentin e Sigurisë dhe mbrotjes në punë, Rikultivimin dhe të tjerë, kanë prezantuar planin e grevës që fillon më 20 nëntor 2024 në KEK.

“Kudo kemi gjetur mbështetje dhe përkrahje të plotë nga punëtorët të cilët qëndrojnë të bashkuar për të realizuar kërkesat e tyre të drejta dhe legjitime. Greva mbetet mjeti ynë i ligjshëm për të arritur të drejtat tona”, thuhet në njoftim.