Buxheti 2025 – Për dikë historik, për dikë as i zhvillimit e as i dështimit
Qeveria e vendit ka miratuar në lexim të parë buxhetin për vitin 2025 që kap shifrën pre 3.6 miliard eurove, që, sipas partisë në pushtet konsiderohet buxhet historik, derisa opozita e vlerëson si buxhet mbijetese. Për këtë çështje, në “RTKPrime” folën Enver Haliti, deputet i LVV-së; Berim Ramosaj, profesor i ekonomisë,si dhe Ertan Bega, gjithashtu…
Lajme
Qeveria e vendit ka miratuar në lexim të parë buxhetin për vitin 2025 që kap shifrën pre 3.6 miliard eurove, që, sipas partisë në pushtet konsiderohet buxhet historik, derisa opozita e vlerëson si buxhet mbijetese.
Për këtë çështje, në “RTKPrime” folën Enver Haliti, deputet i LVV-së; Berim Ramosaj, profesor i ekonomisë,si dhe Ertan Bega, gjithashtu profesor i ekonomisë.
Enver Haliti, nga Lëvizja Vetëvendosje, për buxhetin e miratuar në lexim të parë në Kuvend, tha se në një situatat në të cilën jemi, Kosova ka arritur të ketë buxhetin rekord. Sipas tij, përmes këtij buxheti do të kenë rritje solide të gjitha kategoritë ekonomike. Ai shtoi se investimet kapitale arrijnë shifrën në një miliard euro, por edhe kategoria për paga e mëditje.
“Ky buxhet bazohet n të hyrat buxhetore në 3.3 miliardë euro, që janë të parashikuara për vitin 2025”, tha Haliti, derisa shtoi se rreth 200 milionë euro janë deficit, që do të shtohen buxhetit të vitit 2025.
Kurse kritikat nga partitë opozitare për buxhetin, Haliti i vlerësoi si fushatë parazgjedhore, duke shtuar kjo vërehet që nga koha kur presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka shpallur datën e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.
Kurse profesor Berim Rsamosaj tha se buxheti i miratuar nga Kuvendi i Kosovës, është buxhet rrjedhës, sepse, sqaroi ai, është bazuar në kategoritë nga e kaluara. Duke u bazuar në këtë, një qeveri e re, vuri në dukje ai, sigurisht do të kishte filluar me buxhet me bazën fillestare zero. Ai shtoi se pushteti është në të drejtën e vet në miratimin e një buxheti rrjedhës, ndërsa opozita, sipas tij, po ashtu është në të drejtën e vet.
“Them se ky buxhet nuk është as buxhet zhvillimor, por as buxhet i dështimit. Është buxhet rrjedhës, ku bazën e ka nga rrjedha e periudhës së kaluar”, tha Ramosaj.
Ndërkaq Ertan Bega, profesor i ekonomisë, për buxhetin tha se për nga struktura e buxhetit nuk ndryshon shumë as nga qeveritë e mëparshme. Ai tha se në këtë periudhë katërvjeçare të qeverisjes Kurti, fokusi ka qenë në politikat sociale, derisa vuri në dukje se këtu kemi më shumë rritje në subvencione e transfere, dukuri që nuk ka qenë identifikuar në qeveritë e mëparshme, derisa në investimet kapitale, vlerësuar në përqindje, ka rënie.
“Marrë në përgjithësi, edhe struktura e të hyrave të buxhetit vazhdon të jetë e ngjashme me vitet paraprake, diku rreth 90%v e buxhetit të sigurohet nga të hyrat e buxhetit, ndërsa 10 % do të financohet përmes kredive, derisa shqetësuese është se rreth 57% e të hyrave do të mblidhen në dogana, që do të rëndohen bizneset”, tha Bega.