Në kafiteri tymi i duhanit po e bënë “mjegull”, Ministria e Shëndetësisë thotë se për tre muaj u shqiptuan veç 52 gjoba

Një nga ankesat kryesore të qytetarëve jo duhanpirës gjatë sezonit të dimrit, është tymi dhe era e duhanit nëpër hapësirat e brendshme të lokaleve dhe bareve. Me rënien e temperaturave, hapësirat e jashtme të lokaleve nuk po shfrytëzohen më dhe kësisoj klientët po i frekuentojnë hapësirat e brendshme të tyre. Ndonëse sipas legjislacionit në fuqi,…

Lajme

12/11/2024 20:10

Një nga ankesat kryesore të qytetarëve jo duhanpirës gjatë sezonit të dimrit, është tymi dhe era e duhanit nëpër hapësirat e brendshme të lokaleve dhe bareve.

Me rënien e temperaturave, hapësirat e jashtme të lokaleve nuk po shfrytëzohen më dhe kësisoj klientët po i frekuentojnë hapësirat e brendshme të tyre.

Ndonëse sipas legjislacionit në fuqi, pirja e duhanit në hapësira të brendshme është e ndaluar, kjo nuk po respektohet shumë nga lokalet në kryeqytet dhe më gjerë.

Bazuar në ankesat e qytetarëve, duhani nuk po ndalet nga pronarët e kafiterive për klientët e tyre. E dëmin më të madh këtu e kanë jo-duhanëpirësit. Si shkak i mosrespektimit të ligjit të duhanit siç duhet, këta të fundit o s’duhet të dalin fare o do e kenë problem të gjejnë një hapësirë të pastër nga tymi i duhanit për të qëndruar.

Të kundërtën e ka thënë për lajmi.net, Ministria e Shëndetësisë e cila ka konsideruar se Ligji në fuqi për ndalimin e pirjes së duhanit brenda po respektohet.

“Po vazhdojnë aktivitetet sipas planit për kontrollin e duhanit, duke zbatuar legjislacionin në fuqi. Për momentin, është një respekt i kënaqshëm i ligjit për kontrollin e duhanit, pasi moti ende po vazhdon të jetë me temperatura të larta dhe subjektet po mbajnë të hapura terasat e lokalëve. Natyrisht, aty ku nuk zbatohet ligji, shqiptohen gjoba në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi”, ka thënë Ministria e Shëndetësisë. 

Ministria e Bujqësisë ka thënë se pas hyrjes në fuqi të Ligjit Nr.08/L-067 për Inspektimet, janë transferuar inspektorët sanitarë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rajonal tek Ministria e Shëndetësisë. 

Nga AUV-i janë transferuar gjithsej 57 inspektorë tek Ministria e Shëndetësisë.

Gjatë tre muajve të fundit, inspektorët sanitarë të Ministrisë së Shëndetësisë kanë kryer gjithsej 2249 inspektime ndërsa kanë shqiptuar 52 gjoba. 

“80 inspektime janë kryer tek prodhuesit dhe përpunesit e ushqimit, 280 tek tregtuesit dhe qendrat tregtare, 2249 tek subjektet hoteliere-restauranteve, 41 inspektime në furra, 17 inspektime janë kryer në institucionet edukativo arsimore, parashkollore-çerdhet, 12 në institucione shëndetësore, 48 në eks-humim, 16 inspektime në objekte të ndryshme publike/private-sallone ondulimi, 62 raste të shqyrtimit të ankesave të konsumatorit dhe 181 pëlqime sanitare”, thuhet nga ministria për lajmi.net.

Neni 11 i LIGJI Nr. 04/L-156 PËR KONTROLLIN E DUHANIT thotë se Ndalohet pirja e duhanit në:
1.1. hapësirë publike;
1.2. hapësirë të punës;
1.3. mjetet e transportit publik;
1.4. hapësirat e hapura të përcaktuara në paragrafin 3. të këtij neni.
2. Në ndërtesat me banesa shumëkatëshe, asnjë person nuk lejohet të pijë duhan në ndonjë hapësirë të përbashkët të ndërtesës.
3. Asnjë person nuk lejohet të pijë duhan në ndonjë hapësirë të hapur që është:
3.1. në administrim të institucioneve edukative-arsimore;
3.2. në afërsi të hyrjeve/daljeve të hapësirave publike, hyrjeve/daljeve të hapësirës së punës
dhe në hyrjeve/daljeve të institucioneve shëndetësore
3.3. vendet e lojërave për fëmijë;
3.4. stadium, arenë, apo hapësirë për çfarëdo shfaqje.
4. Ndalesat e pirjes së duhanit të përcaktuara në këtë nen do të aplikohen edhe në përdorimin e ndonjë pajisje që prodhon emisione të nikotinës apo ndonjë substance tjetër që rrjedh nga duhani, përveç nëse ajo pajisje është lejuar për përdorim nga ministria si terapi për zëvendësimin e nikotinës apo për qëllime tjera mjekësore.
5. Me përjashtim të paragrafit 1., 2., dhe 3. të këtij neni, pirja e duhanit lejohet vetëm në hapësirat e dedikuara për pirjen e duhanit në institucionet ku trajtohen personat e palëvizshëm, personat me çrregullime mendore, ku strehohen personat e moshuar, dhe në institucionet korrektuese. Lejimi vlen për personat që trajtohen dhe/apo mbahen në këto institucione.
6. Me përjashtim të paragrafit 1., 2., dhe 3., personi përgjegjës i hotelit ka të drejtë të dedikoj dhoma të veçanta për mysafirë që përdorin duhanin.
7. Ministria me akt nënligjor do të përcaktojë kushtet në hapësirën për pirjen e duhanit, për institucionet sipas paragrafit 4. dhe 5. të këtij neni.
8. Çdo çështje që mund të ngrihet nëse pirja e duhanit është e lejuar në ndonjë situatë të caktuar duhet të zgjidhet në favor të mbrojtjes së të gjithë punëtorëve dhe anëtarëve të publikut, me krijimin e një ambienti të lirë nga tymi i duhanit.

Ndër vite në Kosovës lejimi i pirjes së duhanit në hapësirat e mbyllura është problem. Madje problem ishte shfaqur edhe në disa institucione publike. Shpesh herë thirrje për mos-konsumim të duhanit ishte bërë edhe brenda Kuvendit të Kosovës.

Situata kishte shkuar aq larg sa ishin thirrur edhe inspektorati brenda Kuvendit, pasi kishte nga deputetët e Kosovës që assesi s’e respektonin këtë ligj.

Pavarësisht thirrjeve të qytetarëve që ky ligj të gjejë zbatim, kjo s’po arrihet. Më të lehtë “thyerjen” e ligjit ua bëjnë shpesh herë edhe vetë pronarët që e lejojnë atë. Madje si arsyetim vie se “klientët largohen nëse ua ndalojë duhanin”.

E kjo bëhet edhe më shqetësuese sa i përket rritjes së numrit të atyre që konsumojnë duhanin, sidomos tek moshat e reja.

E mungesa e numrit të duhur të inspektorëve veçse e bën të pamundur kontrollin e nevojshëm në lokale. Derisa inspektorët janë pak dhe fokusin e kanë tjetër ku, ky ligj do vazhdoj të thyhet e madje edhe të mos gjejë zbatim fare./Lajmi.net/